Ndryshimet ne Kodin e Punes opozita kunder disa neneve

KODI I PUNESTIRANË, 27 tetor/ATSH/.- Paketa ligjore e ndryshimeve në Kodin e Punës, që po vijon të diskutohet në komisionet parlamentare është kontestuar në disa pika të saj nga deputetët e opozitës.

Sipas tyre, projektligji i propozuar nga qeveria nuk është konsultuar me të gjithë grupet e interesit, e sidomos me përfaqësuesit e biznesit fason, të cilët janë dhe burimi më i madh i punësimit në Shqipëri, kryesisht për gratë dhe vajzat.

Ndryshimet e propozuara, sipas opozitës, nuk nxisin punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duke e lënë në mënyrë evazive këtë punësim në dorë të institucioneve ose punëdhënësve privatë. Përcaktimet e bëra në këtë pr/ligj privojnë mundësinë për punësim të gruas, e cila vendos me dëshirën e saj të punojë pas periudhës 63 ditore të paslindjes. Në kushtet e mungesës së punësimit për gratë dhe rritjes në vazhdimësi të papunësisë, projektligji i hap rrugën përjashtimit të gruas nga tregu i punës.

Një tjetër kontestim i opozitës ka të bëjë me nenin që ndalon rikthimin në punë të atyre që largohen me pa të drejtë, kur për këtë kanë një vendim të formës së prerë. Sipas deputetëve opozitarë, bërja nul e vendimeve të formës së prerë të gjykatave, jo vetëm cënon rëndë pozitën e punëmarrësve dhe krijon pasiguri në tregun e punësimit, por prek edhe parimin e shtetit të së drejtës.

Ndryshimet në Kodin e Punës, që pritet të miratohen në seancën plenare të së enjtes, sjellin një sërë risish në dokumentin më të rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet në sektorin e punësimit në Shqipëri.

Më poshtë vijojnë ndryshimet kryesore në këtë ligj:
- Çdo punëmarrës gëzon të drejtën për të marrë lejen vjetore dhe kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar.
- Për çdo 6 orë pune, punëdhënësit do të kenë detyrimin të garantojnë një periudhë pushimi për punëmarrësit.
- Të drejtën për lejen e lindjes do të mund ta marrë njëri nga të dy prindërit.
- Prindërit do të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6-vjeçare, si dhe 4 muaj leje të papaguar.
- Ngritja e Agjencive të përkohshme të Punësimit, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë personat, që deri më sot kanë punuar të pambrojtur; si hidraulikët, elektriçistët, pastrueset, babysitter-at, punëtorët e ndërtimit me ditë etj.
- Nxënësit e arsimit profesional, që do të kryejnë praktikën mësimore pranë një subjekti, do të paguhen.
- Përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të "shqetësimit seksual" në mjedisin e punës. /a.s//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama