TIRANË, 8 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), përmes nënkryetarit Petrit Vasili, u shpreh sot e gatshme të mbështesë ndryshimet e mundshme në qeveri, në ras se këto do të kërkohen nga kryeministri Edi Rama. Vasili tha se ndryshimet në kabinet janë tagër i kryeministrit dhe kur ai do ta gjykojë të nevojshme do të ketë mbështetjen tonë.
"Çështja e ndryshimeve në qeveri dhe personalizimi i tyre me persona dhe emra nuk është qasja jonë. Ne mbështesim gjithë punën dhe veprimtarinë e qeverisë, ndërsa është kryeministri ai që ka tagrin të bëjë vlerësimet e duhura. Në rast se ai do ta gjykojë këtë, do të ketë mbështetjen tonë. Për ne nuk është i rëndësishëm personalizimi, por ecja me ritmin e duhur e reformave, për të cilën na kanë votuar dhe qytetarët. Kryeministri është monitoruesi i qeverisë dhe për çdo aksion të tij do të ketë mbështetjen tonë. Qeveria ka dhënë prova se nuk është stepur para reformave të rëndësishme, të munguara në 20 vjet, kurajo që e ka shoqëruar gjatë dy viteve dhe do e shoqërojë deri në fund të mandatit qeverisës", deklaroi Vasili, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të LSI-së. /a.ke/