Ndryshimi i Kondoleca Rajs

Ndryshimi i Kondoleca Rajs
 "Shtetet e Bashkuara janë pro diplomacisë dhe shpresojnë se Irani do ta kuptojë këtë mesazh", ka deklaruar tri ditë më parë Rajs. Vendimi i Bushit për të dërguar në bisedime dypalëshe numrin tre të Departamentit të Shtetit, Burns, me përfaqësuesit e Iranit në Gjenevë të Zvicrës, i ka lënë të habitur disa zyrtarë të lartë amerikanë. Kjo iniciativë, si dhe ajo e mundësisë së çeljes së një përfaqësie amerikane në Teheran, kanë shkaktuar shumë reagime nga mbështetësit e konfliktit brenda dyerve të Departamentit të Shtetit. Ndërmarrja e fundit do të ishte rikthimi i parë i pranisë diplomatike amerikane në Iran, që nga ndërprerja e marrëdhënieve në vitin 1979. "Këto veprime janë një kapitullim i plotë i gjithë idesë së cilës i jemi përmbajtur deri më tani", ka deklaruar ish i dërguari i SHBA-së në OKB, Xhon Bolton. Në publik, Rajs ka mbajtur gjithmonë qëndrimin e neokonservatorëve, duke deklaruar se "për hir të paqes bota nuk duhet ta lejojë Iranin që të kenë armë bërthamore". Ajo ka qenë një ndër autoret dhe realizueset e politikës së Bushit të "luftërave parandaluese", si dhe kryetare e grupit të planeve të tij për të riorganizuar gjithë Lindjen e Mesme dhe atyre për eksportimin e demokracisë. Por, me historinë e Iranit, e cila rrezikoi shumë herë që të çonte palët në një konflikt të vërtetë e me pasoja të mëdha, Rajs duket se ka punuar me shumë zell pas skene për të ndalur përplasjen. Rezultati i kësaj përpjekjeje është pika e kthesës, nëse mund të quhet kështu, pra dhënia fund e bojkotit 30-vjeçar diplomatik, që Shtetet e Bashkuara i kanë bërë Iranit.

Ky ndryshim nisi me nënshkrimin nga ana e Kondolecës në një letër të përbashkët që i ofronte Teheranit përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike të deritanishme. Thjesht akti i vendosjes së firmës së saj në këtë dokument që iu prezantua Teheranit një muaj më parë, i bëri të mendonin autoritetet e Teheranit se ekziston një lëvizje që do t‘u japë atyre mundësinë që të shpallin fitore ndaj amerikanëve. Kur ministri i Jashtëm i Iranit pa nënshkrimin e Rajsit në dokument, u habit jashtë mase, të paktën sipas burimeve të marra nga persona të cilët ishin prezent në atë moment. Ai iu përgjigj formalisht ofertës me një letër dërguar zonjës Rajs dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Havier Solana, si edhe pesë ministrave të tjerë të jashtëm të vendeve që kishin nënshkruar dokumentin. Në letrën e tij anashkalohej çështja e pasurimit të uraniumit që përdoret edhe për ndërtimin e armëve bërthamore, por thuhej se Irani është i gatshëm që të ulet dhe të gjejë një gjuhë të përbashkët me palët dhe të ndërmarrë veprime konstruktive për të gjithë. Reagimi i ministrit të Jashtëm duket se e ka bërë Rajs të mendojë se Teherani është më në fund i gatshëm që të marrë pjesë në bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shmangur një konflikt ushtarak, që do të ishte me pasoja të mëdha për të gjithë. Por, përpara se t‘ia prezantonte Presidentit Bush planin për shmangien e luftës, Rajsit i duhej që të përballonte njerëzit e zëvendëspresidentit Çeni. Momenti që ajo zgjodhi ishte një mbledhje në të cilën merrnin pjesë vetë Çeni, këshilltari i sigurisë kombëtare, Joshua Bolton, shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, i cili drejtoi edhe bisedimet e Gjenevës. Për sa i përket lëvizjes amerikane, Irani e mirëpriti ndryshimin dhe bashkë me të, mbështetje erdhën edhe nga Kina dhe Franca, pavarësisht se të gjithë e dinë se para arritjes në një përfundim duhet të kalojë shumë kohë. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ai Khamenei, deklaroi se ka ende shumë çështje, të cilat duhet të sqarohen, çka do të thotë që Irani vazhdon të këmbëngulë në të drejtën e tij për të pasur një zhvillim të industrisë së energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Por kjo lëvizje e re për konservatorët amerikanë dhe Izraelin është i papranueshëm. 30 vjet pas marrjes peng të amerikanëve në ambasadën në Iran, bojkotimi që i bëri Amerika Iranit i ka vështirësuar shumë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke e bërë të pamundur ndërtimin e marrëdhënieve të besueshmërisë dhe konstruktive mes tyre, të cilat do ta kishin shmangur absolutisht një konflikt.

Kondi nga skiftere, në pëllumbeshë

Kondoleca Rajs mund të ketë një të ardhme të ndritur politike përpara, pavarësisht shumë roleve që iu desh të luante gjatë administratës së Presidentit Bush. Rënien më të madhe të reputacionit e pati kur mbështeti Bushin dhe neokonservatorët e tjerë në sulmin ndaj Irakut në vitin 2003. Kur vetë Bushi e pyeti para se të merrte vendimin nëse ishte e bindur që duhej ndërmarrë një sulm i tillë, ajo iu përgjigj bindshëm: "Po". Por pikërisht në muajt e fundit të mandatit të Bushit, Rajs ndryshon menjëherë linjë dhe nga skiftere shndërrohet në pëllumbeshë, duke dashur që të shpëtojë vendin nga futja në luftë me Iranin. Kjo, sipas specialistëve, mund ta katapultojë sekretaren e Shtetit në numrin dy të presidencës, nëse Xhon Mekejn do të fitojë betejën presidenciale në zgjedhjeve të nëntorit.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama