Ndryshimi i drejtimit te fluturimit te Malaysia Airlines mund te jete programuar me kompjuter

Ndryshimi i drejtimit te fluturimit te 'Malaysia Airlines' mund te jete programuar me kompjuter

Zyrtarët amerikanë raportojnë se kthesa e parë drejt perëndimit që e devijoi fluturimin e “Malysia Airlines” nga drejtimi i planifikuar nga Kuala Lampur në Pekin u përcaktua me anë të një sistemi kompjuterik, që ishte programuar nga dikush në bordin e avionit, i njohur për sistemet e avionëve.

Në vend të operimit manual të kontrollit të avionit, kushdo që mund ta ketë ndryshuar drejtimin e fluturimit 370, ka shtypur shtatë ose tetë komanda në një kompjuter. Sistemi i Menaxhimit të Fluturimit, siç njihet emri i kompjuterit, e drejton avionin nga njëra pikë në tjetrën, të specifikuara në planin e fluturimit, që para udhëtimit.

Nuk është e qartë nëse drejtimi i fluturimit të avionit u riprogramua para apo pas zhdukjes së tij.

Fakti që devijimi nga drejtimi për në Pekin u programua në kompjuter ka përforcuar besimin e hetuesve se avionit iu ndryshua drejtimi qëllimisht. Kjo ka shtuar fokusin e tyre tek kapiteni i avionit.

Kryeministri i Malajzisë, Najib Razak u tha reporterëve ditën e shtunë se qeveria e tij besonte se avionit iu ndryshua drejtimi pasi transponderi i tij dhe pajisjet e tjera të komunikimit u fikën njëra pas tjetrës, me disa minuta diferencë. Por ditën e hënë ata e ndryshuan sekuencën e ngjarjeve që besohet se ndodhën në avion në minutat vendimtare para se kontrolluesit në tokë të humbisnin kontaktin me avionin në mëngjesin e 8 marsit. Ata thanë se ishte komandanti i parë – ose bashkëpiloti – personi i parë në kabinë që foli me kontrollin. Ata hoqën dorë nga hipoteza se një tjetër sistem i automatizuar në avion ishte aktivizuar tashmë kur bashkëpiloti kishte komunikuar. 

Kushdo që e ka ndryshuar kursin e fluturimit ka qenë i familjarizuar me pajisjen Boeing 777. Zyrtarët amerikanë dhe ekspertët e aviacionit thanë se ishte e pabazë të besohej se një pasagjer mund ta ketë riprogramuar Sistemin e Menaxhimit të Fluturimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama