Në vazhdë të kësaj ideje, nuk bie kjo shkronjë tek fjalët vetëvendosje, vetëvrasje, vetëvarje, ndërsa është kërkuar që të shtohet tek fjalët si vet(ë)vetiu, etj. Përveç ë-së, Këshilli Ndëraka-demik (i cili merr vendime jo të detyrueshme për zbatim) është marrë edhe me: drejtshkrimin e disa fjalëve me l ose me ll; drejtshkrimin e disa fjalëve që kanë dyshkro-njësha dhe disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo, si zooteknik; si dhe me drejtshkrimin e shkronjës së madhe në disa raste.
Në mbledhje kanë qenë të pranishëm 15 gjuhëtarë, ndërsa kanë munguar për arsye personale, Shezai Rrokaj, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, Emil Lafe (i dorëhequr), Idriz Ajeti etj. Disa vendime kanë qenë të njëzëshme e disa të tjera pas shumë debatesh. Janë diskutuar sigurisht, dy rastet e ë-së së patheksuar.
E para, tek disa fjalë që mbarojnë me -një, si për shembull: foshnjë, ose tek disa emra paratheksorë të tipit opera-operë, kamera-kamerë; në të dy modelet ë-ja ruhet…
E dyta, tek disa mbiemra që ë-ja sipas modelit nuk është në vendin e duhur, si tek fjalët: i prapmë, i sivjetmë. Ato bëhen: i prapëm, i sivjetëm…
Vendimet
Në takimin e mbajtur dje, janë diskutuar këto çështje dhe janë marrë këto vendime:
-shkrimi i ë-së fundore tek fjalët Lushnjë, Zaloshnjë, foshnjë, nëse duhet të mbetet ë, apo duhet të bëhet –e. Pas diskutimeve është vendosur të mbetet me–ë; (Kjo është shoqëruar me debate);
- nëse disa fjalë duhen shkruar me r apo me rr, si fjalët kitarë, e mërkurë etj., dhe në fund është vendosur të ruhet r-ja, jo siç qe propozuar rr-ja;
- është ruajtur l-ja në fjalë që propozohej që të shkruheshin me ll, si, balonë e jo ballonë;
- fjala ngadhënjej bëhet nga-dhënjej (mbetet e paqartë nëse ka raste të tjera si ky);
- një pjesë të mirë të kohës për diskutim e ka zënë drejtshkrimi i emrave të përveçëm;
- kanë mbetur pa u diskutuar toponimet dhe nuk janë diskutuar fjalët përrallë, kërrabë, gërryej, kërrus – nëse do ta ruajnë ë-në e rrokjes së parë, apo do ta humbin;
- është diskutuar nëse duhet thënë bulmet apo bylmet (s’u mor vendim);
- u diskutua nëse duhet shkruar mobilie apo mobilje etj.;
- u diskutuan fjalë me shkronjat: l-ll, r-rr, z-zh, x-xh, rastet kur duhet përdorur njëra e tjetra, shkruhet në “GSH”.
Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe drejtohet nga një Kryesi prej pesë akademikësh, (tre akademikë nga AShSh dhe dy nga AShAK). Këshilli përbëhet nga 22 anëtarë, profesorë, akademikë e studiues të njohur të gjuhës shqipe.
Nga AShSh janë anëtarë: Shaban Demiraj, Jani Thomai, Ethem Lika, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Enver Hysa, Emil Lafe (i dorëhequr); Shezai Rrokaj, Gjovalin Shkurtaj; Tomorr Osmani dhe Mehmet Çeliku. Nga AShAK janë anëtarë: Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Idriz Ajeti, Shefkije Islamaj, Bardh Rugova, Isa Bajçinca, Fadil Raka, Abdullah Zumberi, Imri Badallaj. Shqiptarët e Maqedonisë përfaqësohen nga Remzi Nesimi dhe arbëreshët e Italisë nga Francesco Altimari.