Në historinë e zgjedhjeve lokale, nga viti 2000-2011 janë 41 kandidatë që kanë fituar katër mandate si kryetarë të komunave në shkallë vendi. Një studim i kryer nga “Open Data Albania” (ODA) ka hulumtuar përzgjedhjen e kryetarëve të komunave në katër proceset e fundit elektorale. Të dhënat janë marrë në buletinet elektronike apo manuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Artikulli hulumtues përmban informacion statistikor dhe nominal për fituesit si kryetar komune në zgjedhjet për pushtet lokal të vitit 2000, 2003, 2007 dhe 2011. Duke krahasuar rezultatet zgjedhore të katër proceseve të fundit elektorale për qeverisjen lokale rezulton se në drejtimin e komunave në vend ka kryetarë që kanë fituar dhe qeverisin për një mandat të tretë apo të katërt.
Sipas hulumtimit dhe analizës së ODA, në zgjedhjet për pushtetin vendor, në katër proceset e fundit elektorale janë rikonfirmuar në një mandat të dytë qeverisës 210 kandidatë ose 51% e listës së kryetarëve të komunave. ODA analizon se në mandatin e tretë qeverisës kanë drejtuar komunat 78 kandidatë ose 25,32% e listës së kryetarëve të komunave në vend. E veçantë sipas analizës hulumtuese të ODA është se 41 kandidatë ose 13,31% e listës së kryetarëve të komunave kanë fituar 4 mandate si kryetarë komune në katër proceset e fundit elektorale. Sipas analizës hulumtuese të “Open Data Albania”, kandidatë të partive politike të kahut të majtë apo koalicione të drejtuara nga PS kanë fituar përkatësisht: në zgjedhjet për pushtet lokal të vitit 2000, 212 mandate ose 68,83% të komunave në Republikën e Shqipërisë; në zgjedhjet e vitit 2003 kanë fituar 168 mandate ose 54,55%; në zgjedhjet e vitit 2007- 94 mandate ose 30,52%; në zgjedhjet e vitit 2011 kanë fituar 106 mandate ose 34,42%.
Sipas hulumtimit të ODA, kandidatë të partive politike të kahut të djathtë apo koalicione të drejtuara nga PD kanë fituar përkatësisht: në zgjedhjet për pushtet lokal 2000- 86 mandate ose 27,92%; në zgjedhjet e vitit 2003 kanë fituar 125 mandate ose 40,58%; në zgjedhjet e 2007-s kanë fituar 189 komuna ose 61,36%: dhe në zgjedhjet e vitit 2011 kanë fituar 183 komuna ose 59,42%. Sipas hulumtimit të ODA, kandidatë të pavarur dhe kandidatë të PBDNJ kur kjo parti ka kandiduar e vetme pa koalicion me forca të tjera politike kanë fituar përkatësisht: në zgjedhjet e 2000 - 10 mandate ose 3,25%; në zgjedhjet e vitit 2003 kanë fituar 15 mandate ose 4,87%; në zgjedhjet e 2007-s kanë fituar 25 komuna ose 8,12%: dhe në vitin 2011 kanë fituar 19 komuna ose 6,17%.
Në total komuna që mund të konsiderohen të prekura nga fenomeni “bastion” apo rikonfirmim katër herë radhazi i një kahu politik janë 94 komuna në rang vendi. Konkretisht 50 kryetarë komunash të kandiduar nga subjekte zgjedhore të djathta, 39 kryetarë komunash të kandiduar nga subjekte zgjedhore majtas dhe 5 kryetarë komunash si kandidatë të pavarur dhe kandidatët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ). Sipas analizës hulumtuese të “Open Data Albania”, kandidatë të subjekteve zgjedhore të kahut të majtë politik kanë fituar katër herë radhazi 39 komuna ose 12,66% të mandateve në rang vendi. Sipas hulumtimit të ODA, kandidatë të subjekteve zgjedhore të kahut të djathtë politik kanë fituar katër herë radhazi 50 komuna ose 16,23% të mandateve në rang vendi. Interesant është edhe fenomeni i thyerjes së “bastioneve” politike në procesin zgjedhor për pushtetin lokal 2011. Në këtë proces zgjedhor shënohen 41 rotacione të kahut politik pas tre mandateve radhazi, përkatësisht 30 rotacione janë nga e majta tek e djathta dhe 11 rotacione janë nga e djathta tek e majta.
31 komuna ose 10.06% e totalit të komunave paraqesin fenomenin e rotacionit të kahut politik brenda katër mandateve 2000 – 2015. Ndër vite konstatohet se numri i grave të përzgjedhura për të drejtuar një komunë është në nivel tepër të ulët. Në zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2000 kemi 3 komuna që drejtohen nga gratë. Konkretisht në zgjedhjet për pushtetin lokal 2000 u zgjodhën; Elida Deliu kandidate e PS-së për Komunën e Deshnicës; Fatime Goga kandidate e PS-së për komunën e Ndroqit; Fatbardha Kapaj, kandidate e PS-së për Komunën Hore Vranisht. Në procesin zgjedhor të vitit 2011 nuk patëm asnjë grua të përzgjedhur si fituese në garat për kryetare komune. Të 308 komunat në vend në mandatin 20011 – 2015 drejtohen nga kryetarë meshkuj. Prej zgjedhjeve për pushtetin lokal 2000 deri në zgjedhjet e vitit 2011 komunat janë përfaqësuar nga vetëm 8 femra dhe 731 kandidatë meshkuj ose 1,08% femra dhe 98.92% meshkuj.