Me vdekjen e nënës së tij Aurelia dhe dajës Xhakomo Poselli, ai kishte mbetur hallka e fundit e zinxhirit që bënte të mundur bashkimin e asaj që kishte ndodhur në të kaluarën me të tashmen e familjes së tij. Për këtë arsye e ndjeva të nevojshme të shkruaja historinë e familjes në librin “Kthim në vendin e shqiponjave”. Pikërisht në këtë libër Terrusi tregon edhe për një libër që Enver Hoxha, asokohe student në Francë, i pat dhuruar mamasë së tij Aurelia.
Libri titullohej “100 pamje nga Parisi dhe i ishte dhuruar znj. Aurelia Poselli, nënës së Aldo Terrusit, saktësisht më 21gusht të vitit 1930 nga Enver Hoxha, në shenjë simpatie dhe miqësie gjatë viteve që jetonin në Gjirokastër. Aurelia ishte fqinja e bukur e të riut Enver Hoxha, i cili atë kohë ishte student në Francë. Refuzimi i Aurelias për të vazhduar miqësinë me të si edhe martesa e saj me Xhuzepe Terrusin, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, sipas Aldos, shkaktoi tragjedinë e familjes së tij.
Enver Hoxha u hakmor ndaj familjes Terrusi duke burgosur të atin pa asnjë akuzë në vitin 1952. Mandati i arrestit mbante firmën e Enver Hoxhës. Dy partizanë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare hyjnë në bankë dhe i vënë prangat drejtorit të Bankës Italiano-Shqiptare në Vlorë, Xhuzepe Terrusi, duke e akuzuar si fashist. E dërguan fillimisht në burgun e Vlorës e më pas në Burrel.
Dy ditë përpara se të vdiste e kishin çuar në qelinë numër 9-të, që ishte qelia e vdekjes. Në momentet e fundit të jetës filloi të ndjente një therje dhe më pas nga goja i doli gjak. E varrosën pranë një qershie diku në skaj të burgut, por varri i tij nuk u gjend kurrë. Aldo Terrusi është rikthyer në Shqipëri pas 44 vitesh me shpresë se do të mund të gjente eshtrat e të atit, por nuk i gjeti kurrë. Në shtëpi ruante disa kujtime të së ëmës, që deri para se të vinte në Shqipëri nuk e dinte rëndësinë e tyre. Mes kujtimeve të Aurelias ishte dhe libri “100 pamje nga Parisi”, me dedikimin e nënshkruar ‘Enver Hoxha’. Kjo është e vetmja dëshmi që Aurelia e ruante ende në shtëpinë e saj. Sipas të birit, Aldo Terrusi, kanë ekzistuar edhe mesazhe në copa letrash, por që nëna e tij i ka djegur për arsyet e saj. “Janë disa mesazhe që Enver Hoxha ia dërgonte nënës sime përmes motrës së tij, ku kjo e fundit ia delegonte motrës së vogël të nënë sime.
Kjo ishte rruga e komunikimit mes tyre. Ishin mesazhe të shkruara në copa letre. Ishin mesazhe ku Enver Hoxha i kërkonte takim nënës sime. Me sa më kanë treguar gjyshërit, tezja dhe daja, Enver Hoxha kishte kërkuar të fejohej me nënën time dhe këtë ua kishte shprehur edhe familjarëve të tij.
Por kur ai u kthye nga Parisi dhe i rrëfente mamasë sime idetë e tij që ishin vite drite larg nga ato që kishte nëna ime, miqësia e tyre me sa duket u prish. Kjo u bë shkak edhe i vuajtjeve që pasuan për familjen time. Kaq di unë sepse në fakt, asnjë nga ato copa letrash nuk janë ruajtur. Nga të afërmit e mi kam mësuar se ajo i ka grisur që të gjitha për arsyet e saj.
E vetmja gjë që ajo ka ruajtur është pikërisht ky libër, që gjithsesi është një kujtim”, – kështu e kujton këtë moment në intervistën e dhënë një vit më parë në promovimin e librit biografik Aldo Terrusi. Libri “100 pamje nga Parisi”, me dedikim nënshkruar ‘Enver Hoxha’, në fakt përfaqëson për familjen Terrusi fillin e padukshëm që e ka lidhur gjatë gjithë kësaj periudhe me Shqipërinë. Dhurimi i tij sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për më tepër në këtë vit festimesh për 100-vjetorin e Pavarësisë, simbolizon vlerësimin e rëndësishëm të kujtesës, ku disa dokumente mbeten në kujtesën kolektive dhe shërbejnë si paralajmërim për të rinjtë në mënyrë që diktaturat të mos përsëriten asnjëherë.
Vetë Aldo Renato Terrusi u lind në Vlorë në vitin 1945. Në 1949-ën, pas shumë përpjekjesh munden të riatdhesohen në Itali së bashku me nënën. Rikthehet në Shqipëri për herë të parë mbas 44 vjetësh, në vitin 1993, i shoqëruar nga daja i tij, Giacomo Poselli, ish- portier i Kombëtares shqiptare fituese e Ballkaniadës së 1946, për të kërkuar të shkuarën e familjes së tij dhe për të gjetur eshtrat e të atit, të cilat deri më sot nuk i ka riatdhesuar. Aldo rrëfen odisenë e familjes në librin e tij ‘’Rikthim në vendin e shqiponjave”, libër i botuar nga Besa dhe që së shpejti pritet të përkthehet në shqip nga Instituti i Krimeve të Komunizmit.