Grupi i studiuesve ka zbuluar shumë kratere në fund të detit, të gjera 10 metra dhe të thella 13 metra. Gjithçka është zbuluar në thellësinë e tridhjetë metrave. Danny Ionescu tregon se krateret janë të mbuluara nga baktere dhe specie të tjera të panjohura. Këto komunitete mikroskopike jetojnë nëpër leshterikët e hollë të ujërave të ëmbla që rrjedhin nga burimet nënujore, prania e të cilave ishte hedhur si hipotezë nga studiuesit, duke parë edhe dallgët e pazakonta që formoheshin në sipërfaqen e Detit të Vdekur. Për t’i zbuluar vërtetë këto burime nënujore, studiuesit vendosën të kontrollojnë fundin e detit. “Kur futesh brenda një krateri nuk sheh asgjë, duhet vetëm të kesh besim dhe dëshirë për të eksploruar. Kur uji qetësohet dhe gjithçka duket qartë, është diçka e jashtëzakonshme të shohësh këto burime uji që rrjedhin nga toka”, -tregon Ionescu.
Det (pothuajse) i Vdekur
Në të kaluarën, lumenjtë dhe përrenjtë, por në veçanti lumi Jordan, derdheshin në Detin e Vdekur. Ky “liqen i kripur” është një pellg i mbyllur, prandaj e vetmja rrugëdalje për ujërat është avullimi. Uji i ëmbël që sjellin lumenjtë përmban kripëra minerale të tretura, dhe me avullimin e ngadaltë të ujit këto kripëra precipitojnë në fund të detit dhe atje grumbullohen. Kjo është arsyeja që Deti i Vdekur është bërë më i kripur se oqeanet. Sasia e lartë e kripës nuk i ka lejuar organizmat e mëdha, si për shembull peshqit dhe bretkosat, të mbijetojnë këtu. Gjithsesi, është përqendrimi i lartë i magnezit që e bën edhe më interesant zbulimin e mikroorganizmave në fund të detit. “Ka shumë mjedise të tjera të kripura që janë të pasura me mikroorganizma, por kjo e bën zbulimin tonë edhe më të mahnitshëm”, - shpjegon Ionescu.
Në vitet ’50, Jordania e devijoi rrjedhjen e lumit Jordan në Detin e Vdekur, me qëllim mbledhjen e ujit të pijshëm. Sipas studiuesve, kjo lëvizje e zvogëloi në mënyrë drastike nivelin e ujit në Detin e Vdekur, që aktualisht vazhdon të ulet me një metër në vit. Gjatë dyzet viteve të fundit, niveli i detit është ulur më shumë se 25 metra. Deri më sot kanë qenë të paktë biologët që janë marrë me studimin e ujërave të tij, po të përjashtohen studimet e bëra mbi dy llojet e ndryshme të algave që i dhanë jetë Detit të Vdekur, në vitet 1980 dhe 1992. Sipas studiuesit, këto lulëzime sipërfaqësore e kanë origjinën nga organizma të ndryshëm, krahasuar me ato të zbuluara së fundmi në thellësinë e detit.
“Në përgjithësi, ky studim ndryshon krejtësisht mënyrën e të parit të Detit të Vdekur, të paktën nga këndvështrimi biologjik”, - thotë Kelly Bidle, një mikrobiologe nga “Ryder University”, eksperte për bakteret që jetojnë në mjedise të kripura. “Është me të vërtetë emocionuese të shohësh gjithë këtë larmi në një ambient ku askush nuk mendonte se do të gjente diçka të tillë”.
Një peizazh unik në fund të Detit të Vdekur
Ekspedita e vitit 2010 ka bërë të mundur gjetjen e 30 kratereve, një pamje që nuk ka të krahasuar me peizazhet mbi Tokë. Analizat paraprake të kampionëve të marrë nga krateret tregojnë se komunitetet bakteriale janë të llojeve të ndryshme dhe ngjasojnë me ato që gjenden zakonisht në zonat shkëmbore detare. Sipërfaqja e këtyre shkëmbinjve, që qëndrojnë pranë burimeve nënujore të Detit të Vdekur, është e mbuluar nga një shtresë e hollë jeshile e quajtur “biofilm”, e cila për të mbijetuar, përdor dritën e diellit dhe squfurin që karakterizon këto lloj burimesh nënujore. Bakteret që ushqehen kryesisht me squfur mbulojnë pjesët më të ulëta të shkëmbinjve me një “biofilm” me ngjyrë të bardhë. Këto baktere janë zhvilluar në një ambient vërtetë të shkretë, madje u janë përshtatur edhe rrymave të papritura që lëvizin ujërat e ëmbla dhe të kripura, të cilat rrjedhin përreth burimeve. Sipas Bidle, ekzistenca e baktereve që janë kaq të afta për t’u përshtatur është vërtetë intriguese, saqë të nxit të bësh studime të tjera. Nuk ka ende shumë literaturë rreth këtyre baktereve, duke qenë se për momentin dihet vetëm se bakteret tipike të mjediseve të kripura ngordhin nëse zhyten në ujëra të ëmbla, dhe anasjelltas. Në fakt, Bidle shpjegon se sistemi i tyre është krijuar për të qëndruar në ujëra shumë të kripura, dhe është shumë e vështirë që të mbijetojnë duke u spostuar nga një mjedis i kripur në një mjedis me ujë të ëmbël. “Gjithsesi, ideja nuk më duket kaq e pamundur: kur bëhet fjalë për të jetuar në mjedise ekstreme, asgjë nuk më habit nëse në mes gjenden edhe bakteret!”.
Eksplorimin e Detit të Vdekur nuk e marrin përsipër të gjithë
Ionescu dhe kolegët e tij janë zhytur sërish në thellësi të Detit të Vdekur për të vijuar studimet mbi ciklin jetësor të baktereve të sapozbuluara. Zhytja në këtë det nuk është aspak e lehtë, duke parë përqendrimin e lartë të kripës që e karakterizon. Zhytësit duhet të veshin maska për të mbrojtur sytë dhe gojën, sepse futja aksidentale e një uji kaq të kripur mund të shkaktojë mbytjen e menjëhershme. Po ashtu, sasia e lartë e kripës mund të dëmtojë rëndë sytë, duke shkaktuar edhe verbëri. Kjo është edhe një nga arsyet që shumë eksplorues heqin dorë nga zhytjet në thellësi të Detit të Vdekur.
“Është një eksperiencë unike, edhe pse nuk do ta këshilloja si aktivitet krijues”, - përfundon studiuesi Danny Ionescu.