Kur dy filozofë të mëdhenj të Evropës, një gjerman dhe një francez, shkruan një manifest lidhur me konceptin e vetes së Evropës në vitin 2003, ata ftuan vetëm kolegët e tyre nga “Evropa e vjetër” për të marrë pjesë në debat: Një italian, një spanjoll dhe një anglosakson, por asnjë çek, asnjë polak, asnjë estonez.
Egocentrizmi që i çoi francezët në vitin 2003 të deklaronin se pozicioni gjermano– francez lidhur me luftën në Irak ishte njëherazi një qëndrim evropian dhe që në vitin 2004 e bëri Francën të refuzojë në një referendum traktatin për Kushtetutën evropiane, e cila, dikush duhet të ketë parasysh, ishte iniciuar prej Francës, me argumentin se tregu francez i punës kërcënohej nga “hidraulikët polakë” nuk ra si bombë, duke qenë se në fund të fundit qe Franca ajo që refuzoi Komunitetin Evropian të Mbrojtjes dhe në sytë francezë nuk ka asgjë më fyese sesa ideja që Franca dhe Anglia eventualisht do t’i dorëzoni vendet e tyre të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në favor të një vote të përbashkët të Bashkimit Evropian... Madje Gjermania tani po pretendon të drejtën për ta pasur një vend të tillë. Por nuk është mosmarrëveshja politike që vë në pikëpyetje ekzistencën e sferës publike evropiane, por më shumë një mungesë e vullnetit politik për t’i zgjidhur problemet aktuale në një mënyrë efikase.
Me fjalë të tjera, interesat kombëtare janë akoma në qendër të diskutimit politik evropian dhe nuk ka akoma mbështetës të mjaftueshëm të një sfere publike evropiane. Pas nëntë vjetësh, maniaku britanik i shtypit Robert Maxwell e ndërpreu botimin e “The European”, një gazetë e konceptuar si një forum i diskutimit intelektual evropian. Demokracia evropiane akoma praktikohet në një shkallë shumë të madhe brenda shteteve–kombe dhe jo në dimension kontinental. Edhe kanali i matur televiziv “Euro-News” nuk ia ka arritur që të krijojë një sferë publike evropiane. Ama pa një vetëdije evropiane nuk do të kishte asnjë federatë evropiane. Në një shkallë të madhe apo të vogël, ne jemi akoma të ngecur në influencën e mediave lokale, edhe pse këto janë në duart e koncerneve ndërkombëtare. Një stacion televiziv evropian që do të transmetonte, jo vetëm për qëllimin e transmetimit të Festivalit Evropian, nga Lisbona në Helsinki dhe nga Kievi në Ankara është ende i paimagjinueshëm.
Por a duhet të transmetojë aktualisht kaq larg? Deri më tani vetëm përpjekje lokale për të transmetuar nëpërmjet kufijve kanë qenë të suksesshme, duke përfshirë dy ose, në rastin më të mirë tri gjuhë. Prej disa kohësh ideja e transmetimit e të paktën një stacioni lokal polako– ukrainas në Przemysl e Lviv dhe një stacioni televiziv gjermano–polako– çek në Breslau, Dresden dhe Hradec Kralove është dukur e dëshirueshme. Stacione të tilla mund të modelohen sipas linjave të kanalit kulturor gjermano–francez Arte, i cili padyshim nuk ka një audiencë të madhe, por që konsiderohet si një prej kanaleve televizive më të kulturuar dhe më ambiciozë në Evropë. Nuk ka asnjë shans për një version panevropian të CNN-it. Megjithëse anglishtja flitet kudo, do të duhet një kohë e gjatë përpara se evropianët të flasin një gjuhë të vetme.
Evropianët do të vazhdojnë të jenë të varur tek interpretuesit, përkthyesit e kulturave fqinje dhe ndërmjetësit edhe për disa kohë në të ardhmen dhe, në shumë raste, funksionojnë shumë mirë. Eseisti dhe reporteri holandez Geert Mak pati sukses në realizimin e një shqyrtimi të hollësishëm individual të historisë evropiane të shekullit të tmerrshëm të njëzet. Libri i tij siguroi recensione të shkëlqyera në shumë vende, por ai mund të lexohet vetëm në pak gjuhë. Arne Ruth, një gazetar suedez, ka të drejtë kur nënvizon se megjithëse gazetarët evropianë lexojnë dhe diskutojnë gjërat e Fukuyama, Huntington dhe librave të tjerë trend përcaktues amerikanë, ata harxhojnë pak kohë në bashkëbisedimin me njëri tjetrin rreth gazetarisë evropiane. “In European Name”, libri i Timothy Garton Ash, i cili shqyrton politikën lindore gjermane, mund të jetë diskutuar në Gjermani dhe Poloni, por ka ngjallur pak interes në Francë, për të mos përmendur Spanjën apo Greqinë. Për të njëjtin motiv, libri i tij “Free World” tërhoqi britanikët, gjermanët dhe francezët, por jo polakët apo çekët …
Ndërsa në vitin 2003 lexuam të gjithë “Philippika” e Kagan kundër Evropës, punimi pasionante i Emmanuel Todt lidhur me Shtetet e Bashkuara u lexua vetëm nga francezët, disa qindra gjermanë dhe një ose dy polakë. Evropianët nuk kanë as ekuivalent të “The New York Review of Books”, as burim të kualifikuar informacioni rreth mendimit evropian. Çdo vend ka zhurnalët e tij të përmuajshme të kushtuara mendimit evropian, si puna e “Merkur”-it gjerman, por secili është i shkruar nga perspektiva e vet. Herë pas here të përjavshmet e mëdha, dhe në Gjermani faqet e artit dhe suplementet e së dielës të përditshmeve kombëtare, ngjiten mbi gardh për të parë se çfarë ndodh në kopshtet e fqinjëve të tyre dhe, ndërsa ajo çka gjejnë në anën tjetër mund t’ju thotë shumë rreth fqinjëve të tyre, një gjë e tillë rrallë rritet në një ekosistem të tërë të diskutimit evropian. Nuk ka asnjë revistë kulturore evropiane dhe, për pasojë, asnjë faqe interneti, që të botojë listat e librave të shumëshitur nga vendet e Bashkimit Evropian.
Sikur të vepronin kështu, do të bëhej e natyrshme që ne evropianët që ne evropianët nuk jemi në sintoni me njëri tjetrin. Ne të gjithë lexojmë të shumëshitur ndërkombëtarë amerikanë, megjithëse me një interval kohor, dhe më pas të shumëshiturit tanë kombëtarë, por, në qoftë se arrijmë të lexojmë libra të botuar në vendet fqinje, kjo zakonisht bëhet shumë “pas pilafit” sa asnjë diskutim letrar i përbashkët nuk është i mundur. Sigurisht, që ka përjashtime. Kur kohë më parë Günter Grass habiti publikun evropian kur tregoi se kish kaluar një kohë të shkurtër si ushtar me trupat Waffen SS, qenë polakët nga Gdansku që e mbështetën shkrimtarin e tyre Grass dhe së fundmi e mbytën fushatën gjermane kundër tij. Në këtë rast enët komunikuese funksionuan, por që të ndodhte kjo u deshën ndërmjetësit, jo vetëm për të përkthyer tekstet, por për të shpjeguar motivet e njëra-tjetrës dhe për të diskuar klishetë.
Megjithatë, këta ndërmjetës po mungojnë nga diskutimi evropian ose më shumë ekzistojnë, por rrallë thirren. Kush mund ta thotë ndershmërisht se dinë se çfarë debatesh aktuale janë ato që po zhvillohen në Portugali, Greqi apo Finlandë? Kush është i frikësuar rreth faktit se një sondazh përfaqësues i kryer në Portugali zbuloi se Salazari konsiderohet akoma politikani më i rëndësishëm në historinë portugeze? Cili gazetar apo karikaturist gjerman që bën shaka rreth vëllezërve Kaczynski, ndërsa Mareshall Pilsudski bënte nxehje për herë të tretë hyn në bela, kur krahason themeluesin e shtetit polak të vitit 1918 jo me një kaudilio republike banash, por sërish me një diferencë kohore prej gjysmë shekulli me Otto von Bismarck? Dhe kur Gerhard Schröder erdhi me një portret të Bismarck në një takim me intelektualë evropianë jashtë zyrës së kancelarit apo në traditën e vjetër të mirë Bismarckian-e përqafoi Putin, demokratin e përsosur, në Kaliningrad, ose më mirë Königsberg, duke kaluar mbi polakët dhe lituanët, a u indinjuan gazetarët gjermanë? Përse duhet të shqetësohemi që presidenti polak dhe ai lituanas – me fjalë të tjera krerët e shteteve që kufizohen drejtpërsëdrejti me enklavën ruse, nuk qenë të ftuar në festimet e Putinit kur nafta vazhdon të shpërthejë aq pëlqyeshëm nga toka siberiane? Një sferë publike evropiane duhet të fillojë në kokat tona. Filozofët drejtues të Evropës, pleqtë e mëdhenj të mendimit evropian mendojnë akoma në terma “evropiane të vjetra”. Ata lexojnë anglisht, frëngjisht e gjermanisht, nganjëherë edhe italisht, por imazhi i tyre i Evropës është i atrofizuar.
Kur dy filozofë të mëdhenj të Evropës, një gjerman dhe një francez, shkruan një manifest lidhur me konceptin e vetes së Evropës në vitin 2003, ata ftuan vetëm kolegët e tyre nga “Evropa e vjetër” për të marrë pjesë në debat: Një italian, një spanjoll dhe një anglosakson, por asnjë çek, asnjë polak, asnjë estonez. Midis atyre të ftuar qe një historian i shkëlqyer që foli rreth vlerave perëndimore, d.m.th. atlantike. Por megjithëse e përmendi me gjysmë zemre për faktin që evropiano-lindorët i ndajnë këto vlera, ai tregoi asnjë njohuri rreth historive të ideve në Poloni apo Hungari, të cilat mund të qenë shpjeguar po aq shumë në detaje sa idetë franceze, gjermane apo amerikane. Kështu, debati humbi të gjitha delikatesat e mungesës së sinkronizimit midis Evropës së “vjetër” dhe të “re”, e cila aq shpesh çon në keqkuptime në politikat e përditshme.
Dikush duhet të përmendë disa shembuj: Kur në vitin 2005 një ministre letoneze i vuri krimet e Stalinit në një nivel me ato të Hitlerit, ajo u vu përpara përgjegjësisë nga njerëz në Perëndim për sfidimin e opinionit të përgjithshëm se vetëm Holokausti dhe jo Gulagu duhet të përkasë si kujtesë negative ndaj mitit themelues të një Evrope të bashkuar. Një shembull tjetër është dështimi i “evropianëve të vjetër” për të treguar solidaritet me Poloninë në përpjekjet e saj për të kundërshtuar pikëpamjen staliniste, akoma mbizotëruese në Rusi, se pakti Hitler–Stalin i vitit 1939 dhe aneksimi i më pasmë i Polonisë lindore dhe i shteteve Baltike nga Bashkimi Sovjetik qenë akte të ligjshme dhe moralisht të pranueshme. Për të njëjtin motiv, refuzimi i Putinit për të klasifikuar vrasjen masive staliniste të elitave polake si genocid është pritur me indiferencë në “Evropën e vjetër”. Dëshira për të kryer “ndryshim nëpërmjet integrimit” nuk ka avancuar akoma mjaftueshëm sa të sjellë një rishikim të modelit stalinist që qëndron në themel të filozofisë ruse të historisë.
Pavarësisht, dikush mund të argumentojë se defektet në mësimet e historisë nuk janë ato që përbëjnë thelbin e sferës publike evropiane. Kështu që le të flasim në fakt, siç na nxit kohët e fundit Jürgen Habermas që të bëjmë, rreth tipit të ri të ndryshimit strukturor në sferën publike, me fjalë të tjera, shitjen e gazetave cilësore me preokupime ndërkombëtare që fokusohen tërësisht në fitimet dhe kopjet e shitura dhe jo në demokraci vendimmarrëse. Le të flasim rreth medias së re elektronike rreth blogersave, të cilët sidomos në kohëra krizash, si Revolucioni Portokalli ukrainas, janë në gjendje ta bëjnë kërkimin e tyre më shpejt dhe më mirë se gazetarët profesionistë. Dhe le të pushojmë së ankuari rreth injorancës evropiane për vetë historinë e kontinentit të tyre dhe mënyrës sesi në kullën tonë të Babelit njerëzit shumë rrallë e hedhin një shikim në faqet kulturore të gazetave të fqinjëve të tyre.
Në Gjermani ekziston një organizatë e quajtur Perlentaucher peshkatarët e perlave, që boton një përmbledhje njëjavore të përjavshmeve më të rëndësishme evropiane, amerikane e bile arabe dhe mbështet një nivel debati ndërkombëtar që nuk i lejon vetes që të rrethohet nga pikëpamjet e “vjetra” apo “parrokiale” të Evropës. Sërish struktura e sferës publike transformimi i mediave është një gjë, ndërsa ndryshimet që duhet të bëhen në mesazhet aktuale që komunikohen janë diçka tjetër, edhe pse ekziston një lidhje midis të dyjave. Kur polakët janë të ngritur sepse një Ministër Arsimit, i cili është gjithashtu dhe kryetar i “Lidhjes së Familjeve polake”, një parti e sëmurë nacionalisto–katolike, por i një partie që akoma luan një rol jetik në sigurimin e mazhorancës të koalicionit qeverisës, spastron kurrikulumin e letërsisë shkollore jo vetëm prej autorëve kritikë polakë, por edhe prej Dostojevskit dhe Goethe, atëherë kjo nuk është më ekskluzivisht një çështje polake, por fiton vëmendje edhe në Gjermani.
Do të ishte goxha me vlerë nganjëherë të krahasosh listat e leximit të detyrueshëm në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian më qëllim që të gjesh se deri në çfarë mase ato janë njëherazi kombëtare dhe evropiane. Sa shumë nga trashëgimia letrare e Evropës penetron mendjet jo vetëm të nxënësve spanjollë, lituanë dhe bullgarë, por edhe të atyre gjermanë e francezë? Ku në vetëdijen evropiane vazhdon të ketë pika të pashënuara, ku është “lugina e të pafajshmit” tonë evropian?
Një situatë në të cilën nxënësit e shkollave të “Evropës së vjetër” nuk asociojnë absolutisht asgjë, praktikisht asgjë me kulturat e Evropës Qendrore Lindore është e pambrojtshme. Kështu që vijmë në një prej debateve më tërheqës evropianë të muajve të ardhshëm, të cilin mediat ndoshta nuk do kenë asnjë preokupim ta ngrenë. Domethënë, problemi është nëse është e mundur ose jo që të shkruhet një libër i historisë evropiane që do të miratohej për botim në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian do të pëlqente që ta krijonte një libër të tillë. Historianë dhe shumë gazetarë janë më skeptikë, duke treguar se historia evropiane është thjesht shumatorja e historive kombëtare, kështu që kombinimi i tyre në çdo mënyrë kuptimplotë është pak e imagjinueshme.
Ajo çka për një vend do të përbënte një fitore, për tjetrin do të përbënte humbje (si të turpshme, ashtu dhe të nderuara). Nuk mund t’i shpëtosh në asnjë mënyrë këtij fakti dhe sërish ka pasur përpjekje, disa më shumë të suksesshme e disa më pak, për të shtrënguar lidhjet midis të gjithë neve evropianëve. Si në Mesjetë, ato të suksesshmet janë përpjekjet individuale të bëra nga historianë individualë për ta konsideruar Evropën si një të tërë. Midis këtyre dikush mund të rendisë vëllimin e trashë të historianit Norman Davies “Europe. A History”, pavarësisht se me 1200 faqet e tij vështirë se mund të jetë një libër i përshtatshëm për shkolla. Një përpjekje më pak e suksesshme do të duket të ishte një tekst shkollor gjermano–francez i shkruar kolektivisht mbi historinë evropiane të pas 1945-ës. Ndërsa është strukturua në një mënyrë të ngrënshme dhe nuk përpiqet të mbulojë shumë terren, përfundimisht fokusi i tij është tepër i ngushtë, po ta shikosh historinë e kësaj periudhe nga një perspektivë gjermano–franceze.
Për shembull, 17 qershori 1953-it zë pesë herë më shumë hapësirë sesa Solidarnoshi, i cili është degdisur të përmendet në një shënim në fund të faqes. Një përjashtim i mëtejshëm është debati i gjatë i mundimshëm gjerman rreth njohjes së linjës Oder–Neisse (dhe, për pasojë, i domethënies së pajtimit gjermano–polak). Megjithatë, pika më e lartë e historisë moderne evropiane në këtë tekst shkollor të çuditshëm është ikona e të ashtuquajturit “trekëndësh i Shën Petërburgut”, një fotografi e madhe e Shirakut, Shrëderit dhe e Putinit. Ndoshta i nënkuptuar nga autorët si një atribut ndaj imperativëve politikë të ditës, ai qe një imazh që tashmë është harruar një vit më vonë.
Nga ana tjetër, “Trekëndëshi i Vejmarit” franko–gjermano–polak, i cili hyri në fuqi në vitin 1991, nuk përmendet sepse autorët nuk e konsideruan oportune në kontekstin e politikave aktuale. Sërish kjo përpjekje gjermano–franceze meriton lavdërim, thjesht për faktin se qe nxitëse dhe, për pasojë, siguroi një shtytës për imitim. Tani po pasohet nga një tekst shkollor gjermano–polak, i cili me shpresë do të lexohet në mënyrë kritike edhe nga fqinjët e tyre. Kështu që mund të konkludojmë se ndërsa një sferë publike evropiane mund të jetë një mundësi teorike, siç pohon Ulrich K. Preuß asserts, ka disa shenja fillestare, megjithëse të paqarta dhe fragmentare, që po fillojnë të marrin formë dhe, ndërsa mund të jenë reminishenca të lojës “telefoni i prishur”, ku personi i fundit në radhë merr një mesazh krejtësisht të ndryshëm nga ai i dërguar prej personit të parë, ne komunikojmë njëlloj me njëri-tjetrin. Në një mënyrë ose në një tjetër.
Adam Krzeminski, i lindur në Galicinë Perëndimore në vitin 1945, ka qenë kryeredaktor i revistës Polityka qysh nga viti 1973. Ai është një prej gazetarëve kryesorë të Polonisë dhe president i shoqatës polako–gjermane në Varshavë.
Armin Tirana : Gazeta Metropol