Ne Eurosong me etno rrokun patriotik

Ne Eurosong me etno rrokun patriotik
Këngëtari ulqinak Ardian Lulgjuraj dhe kitaristi Bledar Sejko triumfuan në natën finale të Festivalit 51 në RTSh. Ata fituan të drejtën ta prezantojnë Shqipërinë në Festivalin e ardhshëm Europian që zhvillohet në Malmo të Suedisë pranverën e ardhshme. “Duam t’i shprehim mbarë botës një identitet të përbashkët kombëtar, pa dallim feje e krahine, një identitet unik pa përçarje”, tha dje Lulgjuraj pas marrjes së trofeut.

“Duam të prezantohemi dhe në Eurovizion si një komb i përbashkët, jo si dy apo tre të tillë në një vend të vetëm”, shton më tej Adrian Lulgjuraj i cili e ndan tanimë aktivitetin e tij koncertor midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, disa herë konkurrent në festivalet Top Fest. “Identieti” ishte i pari bashkëpunim i Bledar Sejkos dhe Ardian Lulgjuraj me një këngë etno rrok me nota patriotizmi brenda, siç duket edhe nga deklaratat e fryra e tw eksituara tw Lulgjurajt. “Identieti” i Sejko&Lulgjurajt përmban nuanca muzikore nga trevat e ndryshme shqiptare që përcillen nëpërmjet instrumenteve si daullja apo çiftelia. Teksti i këngës është shkruar nga Eda Sejko, bashkëshortja e këngëtarit dhe kitaristit Bledar Sejko.

Gjatë performancës së mbrëmshme Sejko guxoi t’i binte kitarës dhe me dhëmbë për disa minuta, një gjë e pazakontë për skenën tonë. Kjo ishte ajo që Sejko ka pretenduar nga ky festival: një performancë sa më e mirë. “Fillimisht nuk e kisha menduar se do të arrinim deri këtu, por gjatë provave situatat vinin duke u pjekur. I gjithë mesazhi i kësaj kënge është bashkimi i të gjitha trevave shqiptare”, thotë Sejko.

Shtatë anëtarët e jurisë duhej të votonin hapur nga 1 deri në 12 pikë. “Identitet” mori nga juria 74 pikë, e ndjekur nga vendi i dytë, ku u klasifikua Anjeza Shahini, një konkurrente e fortë e këtij festivali me këngën “Love” të Edmond Zhulalit, dhe në vendin e tretë, Hersi Matmuja me këngën “Kush ta dha këtë emër”. Flaka Krelani dha gjithashtu një performancë shumë tw mirë.

Në tërësi, nata finale e Festivalit me 17 këngë konkurrente (pas përjashtimit të këngës së Ani Çuedarit) shfaqi një nivel të mirë. Edhe në drejtim të elementeve të spektaklit ku vendin kryesor e zuri homazhi për Festivalin 11. Në skenë u ngjitën Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, ish-prezantues të atij festivali të vitit 1972 që u bë burim fatkeqësish për shumë artistë dhe njerëz të kulturës. I ftuar special erdhi tenori Saimir Pirgu i shoqëruar në violinë nga Shkelzen Doli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama