“Në Mitrovicë janë edhe dhjetë vende të pagjurmuara, që dyshohen të jenë varreza masive. Ato gjenden në dy pjesët e qytetit. Njëra është ku ka qenë tregu i bagëtive në Mitrovicë, tjerra në fshatin Kushtovë, pastaj në fshatin Suhodoll, në varrezat e qytetit në veri, tjetra te spitali në qytetin e okupuar, te burgu po ashtu në qytetin e okupuar, afër xhamisë pranë lumit Ibër e cila është rrënuar me themele, si dhe një vend përtej Albanikut në veri të Kosovës. Në të gjitha këto vende dyshohet se ka varreza me trupa të shqiptarëve. Në asnjërën nga këto vende nuk është gjurmuar asnjëherë”, ka thënë Barani.
Duke folur për gërmimet në Rashkë, Barani thotë se ai ka informacione edhe për tre lokacione që dyshohen të ketë varreza masive, por që ato nuk janë në Rashkë, por afër saj. “Njëra dyshohet se i ka 250 trupa, një 18 dhe një varrezë ka 25. KMLDNJ në Mitrovicë e ka evidencën e saktë për këtë”, shkruan Tribuna.Halit Barani nuk është aspak i kënaqur me institucionet e Kosovës lidhur me gjetjen dhe kthimin e trupave të shqiptarëve nga varrezat masive në Serbi.
“Nuk jam aspak i kënaqur pasi deri më sot institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Këto institucione as që kanë dëgjuar për këtë punë dhe nuk kanë bërë asnjë trysni tek bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Barani. Qyteti i Mitrovicës ka më 112 persona të zhdukur nga lufta. Fillimisht nga ky qytet kanë qenë 279 persona të zhdukur por që trupat e tyre janë gjetur nëpër varreza të ndryshme masive"