Nëna dhe babai janë njohur rastësisht në Vjenë. Babai po kalonte në rrugë, ndërsa nëna po shkonte te mjeku i saj hebre. Babait i ka pëlqyer që në shikim të parë. Të nesërmen e ka pritur sërish para studios së doktorit dhe ka sajuar një pyetje që në fakt duket krejt e kotë: Ju banoni këtu?
Nëna ka vënë buzën në gaz. Me këtë buzëqeshje ka nisur historia jonë”. Annelise Styrazimiri e nis kështu rrëfimin mbi historinë e njohjes së dy prindërve të saj Daniel Rodiqit nga Janjeva e Kosovës dhe Marianne Grimm-it nga Vjena. Pas martesës në Vjenë, çifti vendos të jetojë në Shqipëri. “Pasi ishte e dashuruar me tim atë, nëna ka vendosur t’u thotë prindërve të saj. ‘Was’ Albaner, oder Albiner?’, e ka pyetur i ati duke kujtuar se mos është lidhur me ndonjë nga ata me flokë krejt të bardhë.
Pastaj i ka treguar një njollë të vogël në hartë duke i treguar me gisht: Ja! Këtu do të shkosh. Megjithatë, gjyshi ka pyetur në konsullatën shqiptare në Vjenë ku i kanë folur shumë mirë për tim atë, Danielin. Vetëm atëherë e ka dhënë pëlqimin”, vazhdon rrëfimin e saj Annelise. Marianne nuk e mësoi asnjëherë shqipen, dhe nuk doli kurrë në punë. Në familjen që krijoi në Tiranë, ajo foli gjermanisht, një gjuhë që e bënte të shpreheshin më lirshëm gjatë komunizmit. “Jetës duhet t’i marrësh gjithçka të mirë që ajo jep”.
Kjo ishte fjalia që Marianne ia thoshte së bijës dhe që ajo ia përsërit shpesh vetes. Historia e Marianne Grimmi-t, vajzës elegante nga Vjena që vendosi të vinte në Shqipëri vetëm nga dashuria, është vetëm një nga dhjetëra të tilla që fati i solli të ndërtonin jetët e tyre në këtë vend. Kohë më parë, i joshur nga këto histori, përkthyesi i ndjerë Ardian Klosi kishte nisur të punonte për t’i sjellë të gjitha bashkë në një libër, si dëshmi e bukur e një kohe kur në emër të dashurisë bëheshin edhe sakrifica të mëdha. Fati i tij i trishtë i ndarjes së parakohshme nga jeta, do të bënte që kjo ide të mbetej e papërfunduar. Por, idenë e tij do ta rimerrte vetëm disa kohë më pas një mik i tij, të cilin fëmijëria e largët i sjell gjithnjë aromën e pyjeve vjenezë. Gazetari Fatos Baxhaku do të vazhdonte idenë e lënë në gjysmë nga Klosi, për të sjellë të plotë në një libër historitë austro-shqiptare në shekujt XIX-XXI, nën titullin “Çadra e kuqe”.
“Unë nuk e kisha ditur që miku im i mirë Ardian Klosi, kishte pasur ndër mend të risillte mes nesh një histori të vjetër dashurie, dhimbjeje, mirësie, por edhe fatkeqësisht pa fund. Kohët e fundit, vetëm pak para se të merrte vendimin fatal, ai i kishte kujtuar këta burra dhe gra që e kishin shtyrë jetën me qindra kilometra larg vendit të tyre, shpeshherë në izolim të thellë, shumë e shumë herë të damkosur pa të drejtë e në mënyrë absurde, por gjithsesi njerëz që e kishin dashur deri në palcë vendin e tyre më të fundit, Shqipërinë, njësoj sikur kishin dashur dikur vendin e tyre të lindjes”, thotë Baxhaku. Për të, objekti i këtij libri janë fatet e përbashkëta të shqiptarëve dhe austro-hungarezëve, sa herë që dokumentohet bashkëjetesa e tyre.
“Ky libër deri diku mund të konsiderohet si një libër historie. Por ama, vetëm deri diku, sepse ai është bazuar fort në historitë e pasuesve të familjeve austro-shqiptare që ende jetojnë në Shqipëri. Në disa raste bëhet fjalë për brezin e tretë apo të katërt, kështu që kujtimet janë shumë të vagullta, por mbase pikërisht andaj janë edhe shumë të bukura”, thotë Baxhaku. Ai zgjodhi titullin “Çadra e kuqe” i frymëzuar nga historia e Walther Peinsipp, një ushtarak austriak në shërbim të Wehrmacht-it. Gjatë udhëtimeve të tij në Shqipërinë e Veriut më 1944-n, bën fjalë për çadrën e kuqe të një prifti katolik në Shllakë, të shkolluar në Austri.
Kjo çadër, e blerë në Innsbruck, përdorej për të lajmëruar gjakësit se ai që e mbante ishte në besën e priftit e andaj nuk duhej prekur. Libri është një kërkim disamujor në arkivin e këtyre familjeve, në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Me foto të Jutta Benzenberg ne mund të shohim portretet e protagonistëve që i besojnë Baxhakut kujtimet. Vështrimin e Marlena Belegu Hoxhës, buzëqeshjen e Irma Gecit, rrudhat e lehta në fytyrën e Kristaq Aurbach, flokët e verdha mbi supe të Brigite Xhepës apo dëshirat në fytyrën plot dritë të Polimni Radovanit. Ky libër është një udhëtim në jetë jo të zakonshme njerëzore, që na frymëzojnë me motivin që i ka mbajtur gjithnjë bashkë dhe në ditë vështira, dashuria.