Ne Siberi rezerva me e madhe e diamanteve

Ne Siberi rezerva me e madhe e diamanteve
Një minierë diamanti shumë e madhe, e formuar brenda kraterit të hapur nga një fragment asteroidi, ndodhet në një lokalitet të humbur të Siberisë. Miniera, që ishte mbajtur sekret gjatë gjithë viteve të Luftës së Ftohtë nga Bashkimi Sovietik, që e konsideronte një rezervë strategjike, tani mund të shkaktojë një revolucion të vërtetë në tregjet ndërkombëtare. Ajo ndodhet në Popigai, në Siberinë lindore, 400 kilometra nga qendra e parë e banuar dhe 2 mijë kilometra në veri të kryeqendrës Krasnoiarsk. E zbuluar në vitet ’70, kjo minierë diamantesh u mbulua menjëherë nga misteri nga autoritetet e atëhershme të Bashkimit Sovietik.

Këtë javë, për herë të parë që kur u zbulua sërish në vitin 2009, kërkuesit e institutit të gjeologjisë dhe minierave të Novosibirskut kanë filluar të publikojnë detaje mbi minierën gjigande. Ajo u krijua brenda kraterit të një asteroidi që ra në tokë 35 milionë vjet më parë dhe ka një diametër prej 100 kilometrash. Impakti nga përplasja, sqarojnë ekspertët, e ka kthyer menjëherë nëntokën e terrenit siberian në diamantë të vegjël, që janë përhapur në një rreze prej 10 kilometrash nga pika e rënies.

Gurët kanë një diametër që shkon nga 0.5 në 2 milimetra dhe janë me ngjyra të ndryshme si gri, blu dhe të verdhë. E veçanta e zbulimit, kanë deklaruar kërkuesit, qëndron në faktin se rezervat e diamantëve të Popigait, shumë të përdorur në sektorin e aeronautikës, janë 110 herë më të mëdha se rezervat e të gjithë botës. Për më tepër, gurët janë dy herë më rezistentë se diamantët industrialë. Megjithatë, Bashkimi Sovietik preferoi të ndërtonte fabrika diamantësh sintetikë dhe ta linte megaminierën ashtu siç ishte.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama