Ne Tirane 15 ton metal? Ne Vlore 150 ton zemra shqiptaresh!

Ne Tirane 15 ton metal? Ne Vlore 150 ton zemra shqiptaresh!
Ilir Metaj, një prej organizatorëve kryesorë të festimeve në Vlorë tregon arsyet e refuzimit të çmimit “Qytetar Nderi” të shkrimtarit Ismail Kadare, çmim ky i akorduar nga Këshilli Bashkiak i qytetit të pavarësisë. Edhe pse mediat e ndryshme në vend e komentuan mungesën e Kadaresë si një vendim të shkrimtarit për shkak të pjesëmarrjes në festime të polemikut Rexhep Qosja, drejtori i Kulturës së Vlorës hedh një tezë tjetër dhe shprehet se Kadare pritet ta vizitojë Vlorën këtë muaj.

Metaj, tashmë që festimet e 100-vjetorit përfunduan, a mendoni se Vlora e mbajti pozicionin e saj dhe doli “fitimtare” në debatin politik se Tirana duhej të ishte kryeqendra e festimeve?

Kjo është diçka e lehtë për t’u thënë, jo vetëm nga mua, por nga të gjithë shqiptarët. Ajo që ndodhi në Vlorë, ishte përgjigja më e mirë ndaj të gjithë atyre, që u munduan të përçajnë shqiptarët edhe në ditën simbol të bashkimit të tyre. Ajo atmosferë magjike që u përjetua në  Vlorë, është njëkohësisht edhe prova më e mirë, se të mundohesh të anashkalosh Vlorën, do të thotë të mundohesh të anashkalosh Shqipërinë. Sepse në 28 Nëntor gjithë shqiptarët e vërtetë ndihen vlonjatë.  Unë jam i bindur, se pas 28 Nëntorit dhe asaj që ndodhi në Vlorë, asnjë shqiptar  nuk është më si më parë. Të gjithë ndihemi më optimistë për të ardhmen e këtij kombi, me mirënjohje akoma më të thellë për etërit e kombit dhe të gjithë atyre që luftuan për një Shqipëri të lirë, të gjithë ne ndihemi  njerëz më të mirë.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se jemi shumë të vegjël e të pafuqishëm, për të vendosur për faktet  që kanë bërë historinë e këtij kombi. Ajo që ne mund të bëjmë dhe që është në nderin tonë, është pikërisht të respektojmë me të gjitha menyrat e mundshme sakrificat e atyre që na kanë lënë trashëgimi Shqipërinë e pavarur.

Në Vlorë pamë mungesën e Ismail Kadaresë. A e refuzoi Kadare vlerësimin “Qytetar Nderi”?

Ismail Kadare nuk mundi të ishte në Vlorë për shkak të impenjimeve që kishte ato ditë, të vendosura kohë më parë. Patjetër që ai do të jetë në Vlorë, në një moment të dytë, besoj brenda muajit dhjetor, për të marrë titullin “Qytetar Nderi”, që Keshilli Bashkiak i Vlorës i dha me propozim të Kryetarit të Bashkisë, z. Shpëtim Gjika. Të refuzojë një titull nderi të dhënë nga Vlora nuk e bën as Zoti!

Në Tiranë u ngrit një skenë gjigande prej 15 ton metal, për të treguar madhështinë e festimeve nga ana e qeverisë. A ndiheni “të vegjël” përpara këtij fakti?

Aq sa u ndje “i vogël” Selam Musai kur  vuri zemrën për të mundur 1 ton metal... Nuk dua ta ekstremizoj situatën, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për festime dhe të gjithë jemi shqiptarë. Dua vetëm të them se festa  e vërtetë bëhet me zemër dhe nëse në Tiranë u ngrit një skenë koncerti me 15 ton metal, në Vlorë u ngrit “orteku” me 150 ton zemra shqiptarësh që vërshuan drejt qytetit nga të gjitha anët e globit.

Çfarë do të mbani mend nga këto festime?

Gjithë atmosfera që u krijua në Vlorë ato ditë, më lejoni të them që kishte meritë kryesore organizimin e Bashkisë Vlorë, patjetër nën kujdesin e veçantë të kryetarit Shpëtim Gjika. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme dhe e mirëkoordinuar, që vërtet u finalizua në 28 dhe 29 Nëntor, por që filloi që në muajin shkurt. Nga ana e Bashkisë u bë kujdes, që ndërsa punohej në drejtimin e përmirësimit të infrastrukturës në qytet, njëkohësisht “të nxehej” atmosfera festive gjatë gjithë vitit, për të arritur kulmin pikërisht në muajin nëntor. Ky vit ishte një eksperiencë pozitive jo vetëm për Bashkinë Vlorë, por për të gjithë qytetarët vlonjatë, të cilët e kuptuan rëndësinë dhe mesazhin historik dhe u bënë pjesa më e rëndësishme e suksesit në atë që u arrit.

Ajo që unë nuk do të harroj kurrë ishte atmosfera elektrizuese, gati-gati magjike, kur qyteti u tejmbush me mbi  500 mijë të ardhur që festuan nëpër rrugë, shtëpi e lokale dhe ku nuk pati asnjë incident, qoftë edhe nga më të rëndomtët. Vlonjatë e jo vlonjatë këndonin e hidhnin valle nëpër rrugë sikur ishin vëllezër e motra. Shtrëngonin fort njëri-tjetrin, si për të treguar se ishin një. Nuk kishte rëndësi lab apo malësor, shqiptar nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, apo gjetkë . Ata ishin këtu për të festuar, por edhe për të mbrojtur me prezencën dhe krenarinë e tyre historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë.

Edhe një  koment të fundit për atë që ndodhi gjatë ndarjes së tortës gjigande në Tiranë...

Torta fillon me “t” sepse edhe turpi fillon me “ t”.  E gjitha nën kujdesin e veçantë të kryepastiçier Sali Berishës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama