Ne Tirane duhet te prezantohen 20 shfaqje njekohesisht

Ne Tirane duhet te prezantohen 20 shfaqje njekohesisht
Regjisori amerikan John Blondell, prej 25 vitesh vë në skenë vetëm veprat e William Shekpirit. “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë më të njohura të Shekspirit, na çon herët në kohë, kur dy çifte pritet të celebrohen në Athinën antike. Dy lidhje të padëshiruara dhe dashuri të pamundura. Një realitet si në ëndërr dhe një ëndërr më reale se realiteti. Në një intervistë për “Shekullin” regjisori tregon për kushtet e teatrit në Shqipëri, për mundësitë që kanë aktorët dhe për ndryshimet e nevojshme që duhet të bëhen. Sipas tij, duhet që në qytetin e Tiranës të prezantohen njëkohësisht 20 shfaqje. Për përzgjedhjen e aktorëve, regjisori amerikan zhvilloi një sërë audicionesh, nga të cilët zgjodhi aktorët, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Olta Daku, Valbona Imami etj. Skenografia dhe kostumografia e Blagoj Micevski. “Ëndrra e një nate vere” do të shfaqet më 31 maj në Teatrin Kombëtar.

Zoti Blondell, si lindi bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar?

Kjo është një histori e gjatë, por do t’i bie shkurt. Në vitin 2008-’09 së bashku me regjisorë në nivel botëror ngritëm një rrjetë të përbashkët që kishte si qëllim kryesor bashkëpunimet kulturore teatrale. Në atë takim kam takuar dhe regjisorin, Adonis Filipin. Më pas në trilogjinë ballkanike të Henrit të VI, mora një ftesë nga drejtori i TK, Kristaq Skrami për të bërë regjinë e një shfaqjeje në Tiranë. Këtë bashkëpunim e ka mundësuar Ambasada Amerikane.

Gjatë audicioneve jeni shprehur se gjuha e veprave të Shekspirit tingëllon shumë mirë në shqip. Si ka vazhduar puna më tej?

 Ende mendoj se gjuha Shekspiriane tingëllon shumë bukur në shqip. Mendoj se këta aktorë me të cilët po punojmë janë aktorë të aftë. Ata mund të të përcjellin ndjesi dhe emocione me shpirtin poetik të gjuhës. Përkthimi i ndihmon shumë sepse është jo vetëm i pasur, por i ndihmon dhe ata në lojën e tyre aktoriale. E ndiej se gjuha është e pasur në këtë lloj forme, aq sa ata të zhyten thellë tek fjala dhe veprimi i këtyre aktorëve.

Në sa linja do të trajtohet komedia?

Kur kam qenë i ri kam qenë një regjisor që ka pasur një koncept fiks. Kisha vetëm një ide të caktuar sesi mund të luhet pjesa që kishte vëtëm një qëllim të caktuar dhe një përfundim të përcaktuar. Kohët e fundit kam dalë jashtë kësaj ideje dhe këtij koncepti. E konceptoj pjesën si një takim midis spektatorit dhe veprës. Kostumografia dhe skenografia lejon që këtë ëndërr ta shpalos në variante të ndryshme që aktorët i kapin. Duke marrë një përqasje moderne të teatrit vënia në skenë dhe loja ka për të qenë më moderne sesa jemi mësuar ne më pare.

Sa besnik i keni qëndruar tekstit origjinal të “Ëndrra e një nate vere”?

Kam bërë disa shkurtime. Nuk kam prerë shumë. Për shembull zanat flasin, por ato batuta i kam prerë. Nuk është se kam bërë diçka tjetër. Nuk kam ndryshuar gjuhën dhe nuk kam shtuar tekst. Unë them se “Ëndrra e një nate vere” është një vepër e jashtëzakonshme, tek e fundit kush jam unë që të bëj përshtatje të tilla.

Dimë se për shfaqjen nuk keni një koreograf. Çfarë roli do të luajë koreografia?

Nuk kemi një koreograf për veprën, por mënyra sesi unë i vë veprat në skenë është shumë koreografike. Ka të bëj me mënyrën sesi vihen imazhet në skenë, shpeshherë ngadalë, shpeshherë shpejtë. Në të njëjtën mënyrë se si personazhet shekspiriane futen dhe dalin nga skena.

Çfarë ju mban të “lidhur” prej 25 vitesh me veprat e Shekspirit?

Në radhë të parë është gjuha. Po kuptoj se duke pasur kontakt me gjuhën shekspiriane sa vjen dhe futem më shumë në mendjen dhe gjuhën e tij. Është një gjuhë e tillë që ka histori, të cilat aktorët duhet t’i tregojnë. Një mendje, e cila është e shpejtë në ndryshimet e opinioneve dhe e mbushur plotë me kontraste. Tashmë ndiej vështirësi për të punuar me shkrimtarë apo dramaturgë të tjerë.

U bë kohë që jeni në Tiranë. Çfarë ju ka impresionuar?

Është një qytet jashtëzakonisht i madh, i zhurmshëm që të përpin. Kam pasur mundësinë të shkoj në disa aktivitete kulturore që të ofron qyteti. Kam parë Muzeun Historik Kombëtar që mendoj se është një gur i çmuar i këtij qyteti me artefakte, të cilat zor se dikush mund t'i shijojë në një vend tjetër. Kam parë dhe shfaqje në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në këtë mënyrë jam duke zbuluar Tiranën.

Cilat shfaqje keni parë?

 Në mars kam parë “Edipin Mbret”, e shijoja mënyrën sesi aktorët ishin të përfshirë dhe të zhytur në atë pjesë të veçantë, në atë koncept regjisorial që regjisori u kërkonte. Kam parë “Kasollja e vjetër” në Teatrin e Komedisë dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë.

Nga çfarë keni vënë re në TK. Çfarë mendoni se duhet të ndryshohet?

Një qytete me përmasa të tilla sa Tirana duhet të ketë të paktën 20 shfaqje njëkohësisht në vende të ndryshme. Duhet të ketë më shumë mbështetje. Mendoj se duhet të ketë më shumë vepra për të vënë në skenë. Duhet të ketë më shumë mbështetje për aktorët, për teatrin që të zhvillohen. Duke i mbajtur aktorët me punë ngrihet niveli i aktorëve, por ngrihet dhe niveli i teatrit. Ajo që dua të them është se kam shijuar ato gjëra që i kam parë këtu, por do të doja që të shikoja më shumë.

Ka qenë e vështirë për ju të punoni në kushtet teknike që të ofron TK?

Përsa i përket kushteve teknike mendoj se nuk është e vështirë. Mënyra sesi e kemi bërë ne skenografinë, duke krijuar rrethana teknike që funksionojnë dhe këtu e lehtësojnë këtë pjesë. Por besoj se tek e fundit kjo është e gjitha çështje parash. Duhet të ketë më shumë para për të rregulluar problemet teknike. Teatrit i duhet një infrastrukturë më e mirë, më shumë drita dhe instrumente ndriçuese. Mendoj se teatri duhet të jetë gjithmonë i freskët që njerëzit të vijnë. Janë shumë njerëz që përpiqen, por shumë prej hapësirave janë të papërdorura. Duhet më shumë vëmendje ndaj hapësirave, duhen më shumë para. E thënë kjo nga një person që i vëzhgon nga jashtë, sepse duhet parë gjithnjë se nga vjen paraja. Dhe nuk e di sesa mund t’i përgjigjem kësaj pyetje, por në një farë mënyre për të rritur kulturën teatrale duhet një farë modernizimi i hapësirave për çështjet teknike. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama