Ne Tirane eshte rregull te mos i respektosh rregullat

Ne Tirane eshte rregull te mos i respektosh rregullat
Nëse je duke drejtuar një makinë, të duket se këmbësorët janë të gjithë të çmendur. Ata nuk kanë frika të të futen para makinës, kalojnë ku të munden, nuk respektojnë as vijat e baradha e as semaforët. Nëse je duke ecur në këmbë, të duket se drejtuesit e makinave të janë të gjithë të çmendur. Ata nuk i respektojnë vijat e bardha, ku kanë prioritet kalimi këmbësorët, e shpesh as semaforët kur ata punojnë. Ata mendojnë se qyteti është vetëm i tyre dhe të tjerët nuk duhet të ecin. Me pak fjalë, të gjithë duken të çmendur. Një kaotizëm total, ku askush nuk respekton rregullat dhe ku fjala edukatë i përket një gjuhe të cilën askush nuk e flet.

Rruga “Sami Frashëri”! Një të riu, për pak desh i kushtoi jetën kalimi në kryqëzim, kur semafori ishte i kuq ndërsa ai ecte duke shkruar mesazhe ne telefon. Boria e fortë e makinës e bëri të kalojë shpejt në trotuar ndërsa shoferi i makinës filloi  të shante me zë të lartë. Të tilla skena shikon kudo në Tiranë. Semaforë që punojnë ose nuk punojnë, që respektohen dhe nuk respektohen, vija të bardha që janë dhe nuk janë.

“Vijat e bardha janë të domosdoshme, por ato nuk ndodhen në cdo kryqëzim. Por unë mendoj se problemi qëndron pjesërisht tek mungesa e vijave të bardha. Them pjesërisht për të mos thënë aspak, pasi  fajin më të madh e kanë qytetarët të cilët nuk i respektojnë ato edhe kur janë. Ato nuk respektojnë asgjë, si me të kuqe si me të verdhë, rëndësi ka që të kalojnë në anën tjetër”-  shprehet qytetarja Leonora Gjoka. Një zonjë afrohet. Duket të ketë dëgjuar bisedën që po bënim dhe me një nënqeshje thotë: “Si me të kuq si me jeshil nuk pyesin shqipëtarët”, ishte Mimoza Ismaili.

“Njerëzit janë bërë si të hutuar, si të hallakatur, nuk respektojnë më asgjë, dhe kjo vlen edhe për shoferët të cilët ndalojnë në mes të vijave të bardha dhe normalisht aty s`ke ku të kalosh dhe o do presësh sa të kalojnë të gjitha makinat me radhë ose do kalosh nga ana ku nuk ka vija të bardha” – thotë Leonora, duke carë rrugën mes makinave.

Vazhdoj të bisedoj me zonjën Ismaili, e cila më tregon se si një vajzë arriti ti shpëtonte një aksidenti. “ Këtu nuk pyet njeri në ka apo jo semafor. Ja pak më parë makina desh e shtypi një vajzë e cila kaloi me të kuq. I mbeti taka e hollë në dorë për shkak të një hapi të gabuar. Problemi fillon duke nisur nga vetë ne. Qytetarëve u mungon kultura dhe durimi. Gjëra këto që sjellin atë që shohim për ditë. Kaos kudo nëpër rrugët e kryeqytetit” – thotë ajo.

Rruga “Pjetër Bogdani”! Një burrë futet mes lumit të makinave ndërsa boritë oshëtijnë. I afrohem dhe e pyes se përse kalonte aty ku nuk kishte semafor apo vija të bardha ndërkohë që pak metra më tutje ishin të dyja. “Po këtu kam dyqanin, pse t ëiki deri tek semafori unë”.

Vazhdoj rrugën. Në një kryqëzim num ka semafor dhe shenjat e zbehta tregojnë se aty duhet te ketëe patur viza të bardha. Rregullorja thotë se kur nuk ka semafor, kanë prioritet kalimtarët. Pra, duhet të jetë drejtursi i makinës që duhet të ndalojë.  Një grup njerëzish duket të kenë ndaluar për të kaluar rrugën. Janë të huaj, duken nervozë por nuk flasin me zë të lartë si vendasit. I pyes nëse mund ti ndihmoj dhe më thonë se kanë nevoje për një polic që të kalojnë rrugën. Kishin minuta të tëra që qëndronin në këmbë e nuk po futeshin dot në lumin e makinave. I ndihmoj të kalojnë sipas metodës “alla shqiptarçe” dhe ndësra largohen dëgjoj: “ I haven`t seen anything else like this before”.

Eci rrugës “Sami Frashëri”. Semafori është i hapur për këmbësorët dhe ata vazhdojnë të ecin. Makinat ndalojnë. Duket sikur situata të ketë ndryshuar në një moment. Semafori mbyllet dhe një grup të rinjsh vazhdojnë të kalojnë ndërkohë që makinat vazhdojnë ti bien borisë duke rikthyer kaosin.

Tirana duket një qytet jo vetëm kaotik por edhe i rrezikshëm. Një qytet ku boritë e makinave janë bërë si muzikë dhe ku semaforët më shumë se për të rregulluar trafikun duken të jenë aty si dritat e pemës së vitet të ri për të zbukuruar kryeqytetin. Një realitet absurd, ku shkelja e rregullave është bërë rregull dhe ku policia nuk ndërhyn.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama