Ne Tirane greqisht tek arbereshet shqip

Ne Tirane greqisht, tek arbereshet shqip
Nëse në kishat e vjetra bizantine të katundeve arbëreshe shenjtorët i lexon të gjithë në një shqipe të pastër, në kishën e të njëjtit besim në Tiranë, jo. Për disa arsye, siç shpjegojnë klerikë aty, por pasoja është se besimtarët ortodoksë shqiptarë në këtë aspekt nuk shërbehen në gjuhën e tyre mëmë.


Nëse ke bërë këmbë e je lutur në kishat e arbëreshëve në Kalabri e ke të pamundur të ndjesh të njëjtin përjetim kur kthehesh dhe përsërit të njëjtin 'rit' në Tiranë. Saktësisht, kur futesh tek Katedralja Ortodokse kryeqytetase, aty ku mblidhen tok turma besimtarësh praktikantë ortodoksë në raste festash, sa kohë nuk ka përfunduar katedralja e re dhe e madhe në qendër.

Mbishkrimet në shqip që ruajnë ende arbëreshët përsipër çdo ikone bizantine, edhe pas 500 vjetësh, të mprehin edhe më shumë sensin e të dalluarit, se sa në miniaturë apo munguese janë ato në shqip në kishën e kryeqytetit shqiptar sot.

Greqishtja tek Katedralja Ortodokse

Të dymbëdhjetë shenjtorët në ikonostasin qendror prej druri ku shkojnë, luten dhe puthin gjithë besimtarët shqiptarë, për vite të tëra, kanë vetëm mbishkrime në gjuhën greke bizantine dhe jo në dy gjuhë, siç duhet të ishte ligjërisht dhe normale për çdo shqiptar. E nëse je shqiptar, qoftë edhe ortodoks, nuk kupton gjë prej gjëje. Pikërisht tek ikonostaset më ballore, më të mëdhatë dhe më të dukshmet.

As shenjtorit që je duke puthur, lavdëruar apo lutur, nuk di se kush është, se me ç'emër t'i drejtohesh. Di që është një shenjt, që duhet dhe ndjen se së fundi do ta puthësh dhe kaq. Përsipër tyre, shumë lart, edhe pse mezi, i shquan ama disa ikona të
ngjashme, në përmasa të vogla krahasuar me ato poshtë tyre, ku duke shqyer sytë i dallon disa mbishkrime shqip si; 'lindja e Krishtit', 'ngjallja e Llazarit', 'ngritja e Krishtit në qiell' etj.


Në rreth dyzet piktura me mbishkrime sipër tyre, që gjenden në të gjithë kishën, 1/3 janë
edhe në shqip, edhe greqisht. Ato më të voglat, ndërsa vetëm dy të mëdha varur në muret anësore dhe jo ballore; Shën Kozmai dhe Shën Spiridhoni. Një shkrim i dukshëm
në shqip është edhe ai tek një fron ballor: "Mësoni prej meje se jam i butë, edhe i unjtë ndë zëmërët".

Por dymbëdhjetë shenjtorët ballorë jo. Dhe të tjerë anësorë jo. E si mund të ndihesh? E jo vetëm për një ditë, një javë, një muaj apo një vit, por për disa vjet.

Edhe pse, siç përmend Dhimitër Beduli në librin "Gjuha shqipe në kishë", botimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në 1997, "apostujt e shpërndanë ungjillin e Zotit për çdo popull në gjuhën e tij" apo teksa citon apostull Pavlin se: "Në Kishë dëshiroj më mirë të them pesë fjalë të kuptueshme, që të mësoj dhe të tjerët, se sa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të pafrymtë."

Siç përmend edhe Efsevi, ati i historisë kishtare që ka jetuar në shek.IV: 'pas ardhjes së Krishtit, gjithë kombeve iu dha e drejta të përdorin gjuhët e ndryshme
që ka çdo komb". Me gërma shqipe, të cilat i shpiku vetë, e shkroi 'Dhjatën e Re' Grigor Konstandinidhi, ish-nxënës në Akademinë e Voskopojës, sikurse na citon bashkëkohësi i tij, J.Zavira. Dhe këtë përpjekje e pasuan emra të mëdhenj të ortodoksisë, por dhe atdhetarisë shqiptare.

E sipas nenit 3 të Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që nga viti 1929 gjuha e saj zyrtare është ajo shqipe. "Gërmat shqip, të shqitura nga puthjet"

"Shërbesat bëhen në shqip, botimet tona janë në shqip. Që në 2 gusht të 1992, Fortlumturia e Tij, imzot Anastasi, në ditën e fronëzimit të tij shtroi si urgjente nevojën e botimeve kishtare në gjuhën shqipe dhe kjo sot është arritur", shpjegon at Anastas Bendo, prift i Katedrales Ortodokse në Tiranë.

Dhe vërtet botimet u shumëfishuan këto vite në shqip, shërbesat bëhen po në shqip, por pikturat e shenjtorëve nuk lexohen dhe adhurohen në shqip. Dhe kjo nuk është pak, pasi është kontakti i parë pamor me besimtarët. "Këto ikonostase në greqishten bizantine kanë qenë dhuratë nga një grup murgeshash në Greqi në vitet e
para pas '90-ës.

Kur kisha ende nuk ishte formësuar mirë dhe në një kohë kur në Shqipëri nuk kishte piktorë shqiptarë në këtë fushë", shton at Anastas Bendo. Ndërsa ato më të
voglat me mbishkrime në shqip janë shtuar më pas, kur në Shqipëri u specializuan restaurues të ikonografisë, si studentë të vetë një shkolle që çeli Kisha Ortodokse për këtë profil.

'Tek ikonostaset e sjella kohë më parë s'mund të ndërhyhej, por ama poshtë tyre u ngjitën shirita me emrat përkatës në shqip, të cilat besimtarët duke i puthur, i shqitën", shpjegon at Anastasi. Por që pavarësisht kësaj, prej vitesh ato nuk u ngjitën më apo nuk u gjet një zgjidhje e mundshme.

Për rrjedhojë çdo ditë besimtarët, pavarësisht shkaqeve, në këtë detaj të rëndësishëm nuk janë shërbyer dhe nuk shërbehen në shqip sipas statutit dhe siç e lyp të qenit shqiptar. Ndërkohë që rëndom çdo kishë, e kujtdo riti qoftë, në çdo vend qoftë, normalisht lipset t'i përmbajë të dy gjuhët. Thua harresë e paqëllimshme apo e qëllimshme? "Jo. Jemi ne ortodoksët shqiptarë që kemi vënë themelet e gjuhës shqipe që me Vangjel Meksin, i cili përktheu në shqip Biblën në shek. XVIII-të, me Naum Veqilharxhin, Fan Nolin, Thimi Mitkon, Mihal Gramenon etj.

Dhe vetë Skënderbeu ishte një princ i bizantizmit", përmbledh shpejt e shpejt disa kontribute kulmore të historisë at Anastasi. Të historisë që nuk duhet të mbetet vetëm tek historia. Dhe, a mos përsëritet e njëjta gjë tek mbishkrimet në katedralen më të re ortodokse, që po duket afër përfundimit të ndërtimit të saj në qendër të Tiranës?

Në përgjithësi ata që hyjnë e dalin përditë në oborrin e kishës aktuale shprehen se nuk dinë ende gjë, pasi është ende herët e ndoshta nuk është ky për ta shqetësimi kryesor. Dikush thotë se 'punë e madhe nëse janë edhe me gërma greke, në fund të fundit ajo ka qenë gjuha zyrtare në çdo vend që u përhap Bizanti". "Patjetër që do të jetë në edhe shqip, domethënë në dy gjuhë. Është normë që do të respektohet medoemos", përgjigjet at Anastasi. Por megjithatë, na mbetet të presim dhe shohim...

Gjuha shqipe tek kishat e arbëreshëve

Në gjuhën arbëreshe quhet: 'Qisha e Shën Thanasit", ndryshe 'Kisha e Santa Sofia D'Epiro". Është kisha më e vjetër e katundit arbëresh me të njëjtin emër; Santa Sofia d'Epiro. Të befason me të gjitha emërtimet në shqip brenda saj. Dhe sidomos aty në gjithë ikonostaset ballore, ku falen gjithë besimtarët. Shën Pali, Shën Asti, Shënjtja Makrina, Fjala e t'in Zoti, Shën Pjetri, Shën Andreu, Shën Lucia, Shën Nili, Shën Thanasi i Madh.

Të gjithë këto i lexon vetëm në shqip dhe asnjë në gjuhën bizantine. Apo në
disa raste me shkurtimin e fjalës 'Shën' me 'Sh'. Si për shembull: Sh. Joani Pagëzori. Në disa raste përveç mbishkrimit në shqip gjendet përsipër edhe ai në gjuhën greke bizantine, por ka raste që kjo edhe përsipër mungon fare dhe mbetet vetëm shqipja e vjetër, por ende lehtësisht e kuptueshme.


Edhe dedikimet që kanë bërë besimtarët nëpër pikturat e mureve anësore të kishës janë po në shqip si: "Prinditët Elmo Jani e Madeo Xhuseppina kujtoin të dashurin bir Exhidin Gjergjin", "famila Kakkuri-Baffa", "famila Baffa-Trashi-Frangjisku" etj. Duke konfiguruar edhe çastin e ardhjes së arbëreshëve në Kalabri me kryqin e bizantit në duar. Por më e çuditshmja, në një paraderë hyrëse prej xhami, edhe një flamur shqiptar në formën e një steme rrumbullake sipër.

"Është meritë e at Giovanni Capparellit, i cili ka këmbëngulur për të shkruar gjuhën shqipe në këtë kishë", shpjegon Franco Antonio Miracco, specialist në muzeun etnografik, njohës edhe i historisë së kishës.

Ritet liturgjike të arbëreshëve

Pas mbërritjes së tyre, arbëreshët u vendosën në metropolitanën e Agrigentos, e emëruar nga arkipeshkvi i Okridës, me konsensusin e Papës së Romës. Pas këshillit të Trentos në 1545, komunitetet arbëreshe u vunë nën juridiksionin e peshkopëve latinë duke shënuar një rënie varfëruese të traditës bizantine pas një lufte të fortë mes dy kishave. Shumë vende italo-shqiptare u shtrënguan të lënë ritet bizantine.

Por për të shpëtuar traditën e tyre, në 1919 Papa Benedetto XV krijoi një dioqezë për italo-shqiptarët e Italisë, duke hequr ritin latin nga kishat që ende ruanin ritin grek.

Po ku ngjajnë apo ndryshojnë arbëreshët ortodoksë të Italisë nga ata ortodoksë në Shqipëri?

'Ata janë ortodoksë në rite, në besim, në shpirt, në kishat që kanë ruajtur. Ata shkuan në ato vise sipas një marrëveshjeje të Skënderbeut me mbretin Alfons të Napolit, që të ruanin fenë e tyre. Dhe Ritet liturgjike të arbëreshëve morën me vete edhe gjithë ikonat bizantine që i vunë nëpër kisha. I vetmi ndryshim është se ata për shkak të kushteve historike, të detyruar, pranuan të jenë nën Vatikan", thotë At Anastas Bendo.

Dhe ritet kanë mbetur po ato që kanë qenë; të verës, bukës që jepet në altar në festimin eukaristik, të njëjtat festa fetare gjatë gjithë vitit me Krishtlindjet, Pashkët. Priftërinjtë e ritit grek, që ndryshe quhen papas, kanë mbulesën tipike cilindrike të zezë (kalimafion) dhe mjekrën e gjatë. Një kristian çfarëdo i denjë mund të bëhet prift edhe nëse është i martuar, duke përshkruar etapat normale drejt këtij urdhri.

Por kur ai tashmë është i emëruar nuk mund të martohet më. Pikërisht ky është një nga ndryshimet që arbëreshët kanë bërë në kishën e tyre sipas riteve latine dhe jo bizantine. Që e pohojnë edhe priftërinj të kishës ortodokse sot, të cilët përkundrazi, munden të martohen.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama