Ne aeroport


Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëmijnije
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit
një zë më thirri:
Mirë se vjen vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m'u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s'kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama