Komandantit Eugene F. McDonald Jr. nuk i pëlqente publiciteti në televizor. Përkundrazi, e urrente, dhe ishte i bindur se e urrenin edhe ata qindra mijëra amerikanë që blinin televizorët e tij. Pas Luftës së Parë Botërore kishte themeluar “Zenith”, një nga industritë më të mëdha të radios dhe televizorëve amerikanë.
Aparate cilësore me dru dhe valvula, të garantuara për të gjithë jetën, por që rrezikonin të mos shiteshin, sepse njerëzit nuk mundeshin më të ndiqnin një program televiziv nga fillimi në fund, por ishin të detyruar të duronin ndërprerjet e reklamave. Kështu, pak para Krishtlindjeve të vitit 1950, prezantoi telekomandën e parë për televizorin.
Quhej “Lazy Bones” dhe në revistat e asaj kohe ishte prezantuar si ëndrra e fundit e amerikanëve: burrë e grua në divan, që shijojë spektaklin, ndërsa fëmija që qesh në krahët e së ëmës. Telekomanda ishte një objekt prej bakelitit, që mbahej në dorë me një pulsant të pozicionuar lart për të ndryshuar kanalet. Në fillim, reklama i bëhej nga duart e brishta femërore që të jepnin idenë se sa i vogël dhe sa i thjeshtë ishte për t’u përdorur.
Pastaj vetëm bukuria femërore mund t’i bënte për vete blerësit. Lidhje me televizorin, me një kabull të gjatë rreth gjashtë metra, që shpesh ishte objekt rëniesh dhe pengesash të pashmangshme: për këtë arsye Zenith nxori një version të ri pa “fije”, në vitin 1955 (Flashmatic) dhe një tjetër edhe më të përmirësuar vitin tjetër: “Space Command”, i shpikur nga Robert Adler, është “babai” i të gjitha telekomandave moderne. I krijuar për të “fshirë” reklamat e mërzitshme, telekomanda hapi një tjetër mundësi, ndoshta më interesante: të lejonte të kaloje nga një kanal te tjetri, duke e bërë televizorin t’u përgjigjej dëshirave të tua. Pra ti mund të shihje gjërat më të bukura që një kanal i caktuar kishte. Sigurisht që ky revolucion i paparë po ndodhte në Amerikë, sepse në Europë, deri nga mesi i viteve ‘60, kanalet televizive nuk ishin më shumë se dy ose tre. Situata ndryshoi dukshëm në vitet ‘80.
Teknologjik, me rreze infra të kuqe, në vend të ultratingujve dhe shumë social, sepse me ardhjen e prodhuesve japonezë çmimi u ul ndjeshëm. Kështu televizori, pas sallonit u vendos në kuzhinë dhe në dhomën e gjumit. Pastaj u krijua TV që transmetonte vetëm videoklipe dhe u bë gjithmonë e më e lehtë të ngatërroje programacionin me publicitetin: dhjetë vjet më vonë, seriali “Beavis & Butthead” u mendua pikërisht për të bërë bashkë muzikalët, kartonët dhe spotet publicitare në një program që arrin të mbajë të gozhduar pas ekranit edhe fëmijët. Telekomanda ishte tashmë në duart e tyre. Sot, një e treta e europianëve ka tre apo më shumë televizorë në shtëpi, kështu që edhe telekomandat janë shumëfishuar dukshëm: në fillim video-regjistruesi pastaj impianti stereo, DVD, kompjuteri, dekoderi.
Më vonë kondicioneri dhe pastaj frigoriferi dhe mikrovalët. Në fillim të vështira për t’u përdorur dhe të papërputhshme mes tyre, deri sa telekomanda universale bëri një tjetër revolucion. Gjithsesi edhe sot, sipas sondazheve, askush nuk i përdor me detaje të gjitha opsionet, por vetëm ato më kryesorët. Ndërkaq “Sony” dhe “Logitech” i kanë pajisur telekomandat e reja edhe me një lloj mausi për të komanduar televizionet që lidhen me internet pa kompjuter. Por nëse “Apple” shkon përtej tendencës me një telekomandë minimaliste vetëm me tre butona, risitë mbërrijnë nga videolojërat: “Nintendo Wii” dhe “Playstation” mund të komandohen vetëm me veprime.
Mes televizorëve, “LG” ofron te modelet më të mira një telekomandë të hollë, sa shkopi i ndonjë dirigjenti orkestre ndërsa “Samsung” ka nxjerrë në treg një që lejon të komandohen të gjitha aparatet e shtëpisë por edhe të ndjekë në ekran të inkorporuar një program ndryshe nga ai i televizioneve, duke i dhënë fund grindjeve familjare. I ngjan shumë një smartphone: mos ndoshta është kjo telekomanda jonë e së ardhmes?
Molla e sherrit në familje
Përdorimi i telekomandës bëhet shpesh "molla e sherrit" i shumë debateve dhe zënkave brenda mureve të shtëpisë. Të paktën kështu tregojnë sondazhet e fundit. Sipas tyre, 20 për qind e europianëve thonë se mund të grinden të paktën dhjetë herë në javë me familjarët, për shkak të përdorimit jo siç duhet të telekomandës. Nga sondazhet e viteve të fundit është arritur në përfundimin se 78 për qind e spanjolleve dhe 65 për qind e francezeve tregojnë se janë ato që e komandojnë këtë mjet në shtëpi dhe se burrat zakonisht pranojnë zgjedhjen e tyre. Më i ekuilibruar duket raporti në vendet e tjera, ku 45 për qind e burrave belgë dhe 40 për qind e atyre gjermanë e shohin këtë si një ves, ndërkohë që danezët dhe suedezët e quajnë të rëndësishme për mbarëvajtjen e shtëpisë. Anglezët përdorin telekomandën me shumë frekuenca, ndërsa francezët janë ata që i përdorin me më pak frekuenca në të gjithë Europën. Ajo që i bashkon të gjithë është dëshira që telekomanda të bëhet një objekt i lehtë për t’u përdorur dhe të thjeshtohet mënyra e kontrollit elektronik.