Drejtuesit politikë të sapoardhur në pushtet pas çlirimit të vendit, i konsideruan elitat e këtij vendi armiq të popullit. Dhe i ekzekutuan. Motivi? Spastrimi i rrugës nga ata që do të pengonin një mbretërim me dorë të hekurt nga një diktator dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Periudha 1944-1951 është koha në të cilën u krye numri më i madh i ekzekutimeve. Regjisori Esat Teliti këtë periudhë e ka ndarë në shtatë momente të goditjeve bërë individëve të cilët një gjë kishin të përbashkët: ishin mendjehapur. Politikanë, klerikë, intelektualë.
Vrulli i ekzekutimeve nisi më 1944në qendër të Tiranës, për të vazhduar më pas me të ashtuquajturin “Gjyqi special”, ekzekutimin e opozitës së parë dhe të dytë, me “sabotatorët” e Kënetës së Maliqit, kuadrot e shkollës së mesme teknike “Harry Fultz” dhe më pas të dyshuarit për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike. Dëshmitë që sjell ky dokumentar janë kufizuar kryesisht në një listë emrash dhe fotografi.
Filmi mendohet të shfaqet në Strasburg, një ide e hedhur nga zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj.
Intervista
Përse duhej të dokumentonit pikërisht krimet e dikaturës në periudhën 1944-1951?
Unë dhe bashkëskenaristi Tomorr Aliko vendosëm të përqendrohemi në këto vite sepse është periudha më e ngarkuar me krime dhe dënime. Regjimi dhe udhëheqja komuniste punoi me një orientim të caktuar, të pastronte rrugën nga kundërshtarët politikë në mënyrë që të ecte e sigurt. Brenda shtatë viteve u eliminuan intelektualë, klerikë, kryeministra, ministra, nëpunës dhe oficerë të lartë që ishin të pafajshëm. Njerëz të devotshëm dhe patriotë, që kishin sakrifikuar për komb dhe atdhe.
Ju bëni një lloj klasifikimi të grupeve që u goditën nga diktatura, si të ishte një strategji, një projekt asgjësimi: kleri, politikanë, intelektualë.
Ato janë specifikuar për të dalë më mirë e vërteta. Ngjarja e parë ishte masakra që u bë në qytetin e Tiranës, ku u vranë 100 intelektualë. Njerëzit e deklasuar i vranë pa gjyqe, nga njerëz të caktuar nga ana partizane. U eliminuan fizikisht në mes të rrugës, u kanë hyrë brenda në shtëpi, nëpër hotele e restorante kudo që i kanë gjetur. I vranë sepse i shihnin si kundërshtarë të mundshëm. Pas tyre ishte radha e kuadrove që thanë kënetën e Maliqit, u akuzuan si sabotatorë dhe u dënuan. Faji i tyre i vetëm ishte se ishin të arsimuar dhe kjo gjë i bënte kundërshtarë të sistemit komunist.
Çfarë keni shfrytëzuar nga rrëfimet e Alikos si një ndër njerëzit që ka provuar ndëshkimin dhe burgun?
Tomorr Aliko është autor i disa librave që dëshmojnë atë përvojë. Edhe ato i kemi shfrytëzuar. Më ka bërë përshtypje te ky njeri kujtesa e çuditshme. Mban mend sa njerëz ka takuar nëpër burgje, të dhënat mbi ata, lëvizjet nga një burg në tjetrin, kur ishin dënuar etj. Një kujtesë e freskët për ngjarje që kanë ndodhur gjatë gjysmë shekulli.
Pse në dokumentar mungojnë dëshmitë e të burgosurve politikë?
Nuk ka qenë qëllim i filmit që njerëzit të tregonin dëshmitë e tyre. Shumica e emrave që përmenden në dokumentar nuk jetojnë. Kështu që do të merreshin dëshmitarët e familjes gruaja, djali, vajza. Qëllimi i këtij dokumentari ka qenë renditja e të gjitha këtyre vrasjeve dhe dënimeve në periudhën 1944-1951, në mënyrë që të krijohet një tablo e qartë e eliminimeve fizike të intelektualëve. Në dokumentar emrat numërohen një për një, dalin fotografitë njëra pas tjetrës të krijohet ideja e një pafundësie vrasjesh. Kjo shfaqje e njëpasnjëshme e fotove është e qëllimshme, për të treguar sa shumë kanë qenë.
Si e shpjegoni që në kujtesën për këtë epokë të historisë nuk na vijnë në ndihmë vendet e tmerrit, burgjet, kampet e punës së detyruar. Nuk ka një “muze” të vërtetë që të dëshmojë diktaturën?
Ato vende sot janë në gjendje të mjerueshme. Shumica e burgjeve janë të shkatërruara, janë lënë në mëshirë të fatit, janë prishur edhe me dashje. Të vjen keq që brezat e ardhshëm nuk kanë për të parë çfarë ka ndodhur në vendin e tyre, sepse më mirë se sa flasin vetë këto burgje nuk mund të flasin as librat. Unë i kam xhiruar ashtu siç ishin, të rrënuara. Të vjen keq, mund të ishin shndërruar në vende pelegrinazhi për shqiptarë dhe të huaj. Aty historiaflet vetë.
Në prezantimin që i bëtë dokumentarit e paraqitët si dëshmi të “genocidit të shtetit shqiptar”. Është “genocid” termi i duhur për të përkufizuar dhunën dhe krimet e një shteti ndaj qytetarëve të vet?
Në fakt në film flitet për krimet dhe për tmerret e komunizmit. Unë nuk e kam përdorur fjalën genocid. Janë krimet e kryera nga regjimi komunist mbi shtresën e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë. Mendoj se duke u nisur nga përmasat e mëdha të këtyre dënimeve kaq masive lindi edhe ai termi “genocid”.
Po të shohësh listat aty është më shumë se një shfarosje. Janë mure me emra njerëzish që janë dënuar, ekzekutuar që kanë pësuar tronditje të jashtëzakonshme. Nuk janë pak.
Mësuam dhe një fakt tronditës në atë film që skena ku për vite me radhë është kënduar dhe kërcyer, skena e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, është një varrezëe qindra të ekzekutuarve. Si u zbulua ky fakt?
Ky ishte një detaj drithërues i rrëfyer nga Tomorri. Unë kam pasur rastin të xhiroj në skenën e kalasë së Gjirokastrës, ku kanë kënduar për vite me radhë grupe të shumta folklorike nga e gjithë Shqipëria. Kanë dhënë shfaqje, kanë kërcyer, kanë kënduar. Besoj se askush nuk e ka ditur që po këndonte mbi një varrezë. Prandaj e quaj fat ekzistencën e dëshmitarëve të asaj kohe. Këtë histori mund ta dinë edhe njerëz të tjerë por deri tani askush nuk e ka thënë hapur. Ndërkohë aty vazhdojnë të bëhen festivale, mbi një varrezë.
Dokumentari do të shfaqet në Strasburg?
Qeveria shqiptare është përballë një detyre të pashmangshme nga Këshilli i Evropës: dënimi i krimeve të komunizmit, çështje që është bërë objekt seancash plenare në parlamentin shqiptar. Ka ekzekutorë që janë gjallë dhe të tjerë që i kanë shërbyer regjimit drejtpërdrejt. Falje nuk është kërkuar. Në këtë drejtim, në sensibilizimin e opinionit publik, mendoj se qëndron vlera e këtij dokumentari.
Në shfaqjen e premierës së dokumentarit tonë ishte prezent edhe zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj. Dhe ishte ideja e tij që ky film të shfaqet në Strasburg, në mënyrë që opinioni ndërkombëtar të njihet me krimet e diktaturës në Shqipëri.
Gazeta: Shekulli