I pari botim për qarkullim të gjerë, "Hapësira boshe" e Piter Brukut, erdhi në bibliotekë një vit përpara. Përkthimet e veprave mbi teoritë e teatrit, që ruhen tani në formë dispensash të shaptilografuara, janë futur në këto rafte qysh me krijimin e Institutit të Lartë të Arteve më 1966, e sot me zor shquan në to emrin e përkthyesit, titullin dhe jo në pak raste janë dëmtuar, u mungojnë fletë. Dje paradite, një vajzë e re po merrej me hedhjen në kompjuter të teorisë "Etydet e para" të Vahtangovit. Po e shpëtonte librin e përdorur nga breza të ndryshëm pedagogësh dhe studentësh.
Teoritë e teatrit ruhen në bibliotekë si "ujët e pakët", u jepen për përdorim vetëm pedagogëve, kurse studentët i shfrytëzojnë në sallat e leximit. Ruhen aty kopje të rralla të shaptilografuara të "Organoni i Vogël" i Bertold Brehtit, "Hapësira boshe" e Piter Brukut një variant përkthimi i vitit '90 nga Selman Vaqarri, "Pikëpamjet e mia mbi teatrin" Artur Miller, "Lëvizja skenike" nga Koh, "Shaterfordi" nga Sharl Dylen, "Mjeshtëria e aktorit dhe e regjisorit" nga Boris Zahave, "Puna e regjisorëve me interpretuesit" Gorçakov, "Veçoritë e mizanskenës si formë" Mihallov, e të tjera tekste nga literatura e huaj, e importuar kryesisht nga vendet e Lindjes së Kampit Komunist.
Kështu që pedagogët që i referohen kësaj lloj literature më parë i pastrojnë nga propaganda. Sonila Kapidani, pedagoge e Fjalës artistike në vitin e parë në Fakultetin e Artit Skenik, thotë se "nga këto tekste kopje ka fare pak, madje studentët nuk i preferojnë nga ana vizuale".
Po me çfarë punohet në këtë Fakultet që mendohet si fabrika e teatrit që furnizon gjithë tregun e artit skenik në Shqipëri?
Mehmet Xhelili jep dy lëndë te Arti Skenik: Mjeshtëri Aktori dhe Mjeshtëri Regjisori. Ai thotë se rolin kryesor në formimin e studentëve e luan personaliteti i pedagogut. "Pa dyshim puna e një krijuesi, nuk mund të shkëputet nga ajo që ai ka marrë në shkollën që ka bërë.
Unë jam edukuar në një shkollë ku më kanë dhënë mësim personalitete të tilla të regjisurës dhe të mjeshtërisë së aktorit si Pirro Mani, Esat Oktrova. Ata kanë pasur ndikim shumë të madh nga shkolla ruse. Këta dy pedagogë që përmenda kanë studiuar në Moskë, por shkolla e Moskës është më ndikim mbarëbotëror dhe kjo është një e vërtetë e padiskutueshme."
Për punën e tij pedagogjike, Xhelili veç shkollës ruse, ka pasur si udhërrëfyes "Jeta ime në Art" të Stanisllavksit, "Hapësira boshe" e Piter Brukut, "Organoni i vogël" i Brehtit, "Për një teatër të varfër" të Grotovskit të cilin Xhelili e ka mbajtur gjatë në duar dhe së fundi e ka prurë në shqipe. Ai e çmon si "ndriçues i mendjes, për sa i përket raportit që duhet të ketë artisti i teatrit me teatrin vetë". Tjetër figurë e jashtëzakonshme e teatrit për Xhelilin mbetet Li Strasberg.
"Pa dyshim, rol të rëndësishëm në mendimin tim teorik kanë luajtur shkëmbimet, vajtje-ardhjet, specializimet e ndryshme, shkollimet. Është një lëvizje shumë e madhe që në një mënyrë apo në një tjetër, ndikon në metodën tonë pedagogjike", shton ai.
Kategorinë e dytë të botimeve që ruhen në Bibliotekën e Akademisë së Arteve, e përbëjnë kryesisht tekstet e përgatitura nga pedagogët: "Histori Teatri Shqiptar" maket në tri vëllime, i botuar nën kujdesin e Kudret Velçës dhe Gjergj Zhejit, "Historia e Teatrit Botëror" maket i përgatitur po nga Zheji-Velça, "Mjeshtëria e aktorit" dhe "Probleme të mjeshtërisë së regjisorit" nga Esat Oktrova, "Estetika e Artit Dramatik" 1967 Selman Vaqarri, "Fjala Artistike" tekst i përgatitur nga Viktor Zhusti, Vera Zheji. Këtij teksti i referohet edhe pedagogia e re Sonila Kapidani. Ajo, si kolegu Xhelili, ka përgatitur vetë një sërë leksionesh për studentët, të përmbledhura te "Metodika e Estetikës së të Folurit".
Për krijimin e këtij teksti, Kapidani i është referuar edhe programit që ka bërë në studimet e specializimit në Sofje dhe të tjerë teoricienëve të teatrit, si Euxhenio Barbës, Jerzhi Grotovskit, Viola Spolin, Stela Adler, Vahtangov etj.. Ajo thotë se duhet të kishin ardhur më parë këto teori.
"Në terrenin tonë dëgjon të thuhet "nuk i ikim Stanislavskit". Unë nuk jam dakord me këtë. Mendoj që është një diagramë zhvillimi. Stanislavski është baza e kësaj diagrame, Barba, Grotovski, apo të tjerë teoricienë të Teatrit, janë variacione për të mbushur një sistem të tërë."
Këtë mendim ka edhe pedagogu i regjisë në kursin I dhe III të Artit Skenik, Milto Kutali, që ka 20 vjet përvojë në këtë shkollë. Kutali mendon që shkolla shqiptare e ka tanimë një fizionomi të vetën që mbështetet në sistemin e Stanislavskit, në traditën 50-vjeçare të profesorëve, traditë që është e hapur ndaj eksperimenteve.
"Sot nuk mund të flasësh për një libër sepse sot sistemi i internetit, kompjuteri, kanë evoluar, dhe padyshim i kanë dhënë mundësi jo vetëm pedagogëve, por edhe studentëve që t'iu referohen teorive të ndryshme", thotë Kutali. Ai vetë ka pasur vëmendje të veçantë ndaj Antonin Artosë, Gordon Greikut, Bertold Brehtit etj..
Të tjera botime që po hyjnë në bibliotekën e Akademisë vijnë nga Fakulteti i Artit Skenik të Kosovës, prurje për të cilën pedagogët thonë se kolegët në shtetin tjetër shqiptar kanë një punë shumë të mirë me përkthimet.