Aleati më i mirë i sportit është koha e mirë. Nuk keni nevojë të mbylleni në shtëpi ose të hipni në makinë. Shfrytëzojeni kohën dhe ato pak minuta që keni në dispozicion për të bërë pak aktivitet fizik
Duket si e pamundur dhe marrëzi, megjithatë duhet pirë shumë ujë për të eliminuar ato helme që qëndrojnë në pika kritike të trupit
Kur jeni në dush, kalojeni dorezën e masazhit në të gjithë trupin: fërkimi nxit qarkullimin dhe zbut lëkurën
Dielli dhe drita janë të parezistueshme. Kur i sheh, të hipën dëshira të zhvishesh e t’i shijosh deri në fund të ditës. Por a jeni gati për ta bërë këtë? Nëse po, atëherë ndiqni disa këshilla për të ardhur në formën më të mirë fizike, duke mposhtur celulitin dhe duke e përgatitur lëkurën për t’u nxirë më shumë. Kostoja e gjithçkaje është zero. Ja disa udhëzime që vënë në lëvizje trupin, edhe nëse keni pak kohë të lirë dhe nuk dëshironi të mbylleni në palestër.
SPORTI
Aleati më i mirë i sportit është koha e mirë. Nuk keni nevojë të mbylleni në shtëpi ose të hipni në makinë. Shfrytëzojeni kohën dhe ato pak minuta që keni në dispozicion për të bërë pak aktivitet fizik. Ja një shembull: nëse keni 30 minuta në dispozicion dhe punën nuk e keni shumë larg, shkoni me biçikletë. Ky është sporti më i mirë e më i lehtë edhe për ata që nuk e honepsin dot aktivitetin fizik. Ulur mbi shalë, trupi peshon më pak dhe brenda 30 minutave duke lëvizur këmbët, digjni aq kalori sa ka një sanduiç. Nëse keni vetëm dhjetë minuta në dispozicion, atëherë ecni me hap të shpejtë dhe do të digjni aq kalori sa kanë katër çokollata të vogla. Në fundjavë merruni me kopshtari: mbillni, prashisni, vadisni… dhe hiqni aq kalori sa ka një kupë akullore me fruta. Natyrisht mund të gjeni njëmijë mënyra të tjera për rrëzuar kilet e tepërta: pas paketimeve të ushqimeve keni të shënuara të gjitha kaloritë që përmbajnë. Mund t’i llogarisni dhe të mos i kaloni.
USHQIMI
Në këtë periudhë, ushqimet më të preferuara janë ato hipokalorike, detoksifikuese, jo të rënda. I tillë është shpargu, që ka pak kalori dhe shumë kalium, substancë e nevojshme sidomos në stinën e verës. Lakërishtat janë të pasura me klorofil dhe forcojnë sistemin imunitar. Spinaqi përmban sekretinë, një substancë që siguron një tretje më të mirë. Karota dhe kajsia përmbajnë shumë karotenoide, substanca që mbrojnë qelizat nga rrezatimi diellor. Mango dhe ananasi nxisin pastrimin dhe ndihmon në shfryrjen e organizmit.
UJI
Duket si e pamundur dhe marrëzi, megjithatë duhet pirë shumë ujë për të eliminuar ato helme që qëndrojnë në pika kritike të trupit. Për të kryer funksionet primare (tretja, qarkullimi, lëvizja), organizmi ynë prodhon lëngje, që në gjuhën mjekësore janë quajtur toksina. Një hidratim i mjaftueshëm i lehtëson punën veshkave dhe mëlçisë, “laboratorit të trupit”, dhe thjeshtëson eliminimin e skorieve. Natyrisht, duhen eliminuar edhe ushqimet e përpunuara, të rënda dhe me shumë kalori. Kështu edhe raporti ynë me peshoren do të ishte më i mirë!
AROMATERAPIA
Vajrat esencialë të limonit dhe borzilokut ju ndihmojnë që ta përballoni vapën më me energji. Hollojini në ujë dhe hidhini në shishe të vogla me sprucues dhe spërkasni trupin kur keni shumë vapë ose ndiheni të fryrë: janë aleatët më të mirë të lëkurës.
MASAZHET
Kur jeni në dush, kalojeni dorezën e masazhit ose furçën me fije të gjata në të gjithë trupin: fërkimi nxit qarkullimin dhe zbut lëkurën. Masazhet ose lëvizjet rrethore duhet të nisin nga thembra e këmbëve e të arrijnë deri te krahët, barku dhe me shumë kujdes te gjoksi. Në fund, bëni një shpëlarje me ujë të ftohtë, duke e kaluar kokën e dushit te zonat më kritike të trupit dhe te gjoksi. Uji i ftohtë nxit qarkullimin, ndihmon në dobësim dhe tonifikim.