Sa vjet ka kjo shkollë?
Ne jemi në vitin e shtatë të shkollës. Jemi në një institucion të cilin të zotët e shkollës e kanë ngritur sepse kanë pasion arsimin, nuk e kanë për biznes. Ruajmë një numër në kufijtë e 250 nxënësve kjo do të thotë që ne nuk marrim në shkollë nxënës për të mbushur radhët, por marrim ata që duan të mësojmë dhe ne u krijojmë hapësirë që ata të jenë më të mirët. Sivjet ne nxorëm maturën e tretë dhe nga viti në vit nxënësit tan japin rezultatet më të mira. Në këtë maturë që sapo kemi nxjerrë kemi pasur në fizikë 4 dhjeta, në matematikë 6, në letërsi 2 dhjeta dhe ta mendoni që gjithsej kanë qenë 22 maturantë. Nëse dikush hedh ndonjë hije dyshimi, ne u sigurojmë që maturantët tanë merren nga shteti dhe i bëjnë provimet jashtë këtyre ambienteve. Atje janë komplet të monitoruar nga Ministria e Arsimit, ne vetëm sa i shoqërojmë deri te pragu i derës. Kemi nxënës nga matura e sivjetshme që e kanë kaluar 6 mijë pikëshin.
Çfarë kriteresh duhet të ketë një nxënës që të pranohet në shkollën tuaj?
Një nxënës për të studiuar në shkollën tonë duhet të plotësojë këto kushte. Duhet të pranojë që të studiojë sipas metodologjisë së trupës sonë mësimore. Të mos kërkojë të kontaktojë me mësues të tjerë jashtë shkollës për kurse private, sepse ato i bëjnë më dëm, dhe këtë e themi nga eksperienca. Ne i marrim përsipër të gjitha… vetëm një gjë duam nga nxënësit, të kenë dëshirën për të mësuar. Të jenë të bindur ndaj kërkesave tona dhe të kemi mbështetjen e familjarëve të tyre.
Po nxënësit, si ndjehen?
Nxënësit tan kanë ngelur shumë të kënaqur, po presin të marrin degën e tyre të preferuar. Bashkë me stafin lodhemi shumë, por kënaqemi nga rezultatet e tyre në fund. Ka plot nga ata që shpesh edhe janë përplasur për shkak të moshës dhe hapësirave që kërkojnë, por kur mbarojnë në fund vijnë dhe na përqafojnë dhe na janë mirënjohës.
Kushton?
Brenda kuotës që paguhet si në çdo shkollë tjetër. Për sa i përket pjesës shtesë, mësuesit tanë edhe unë bëjmë edhe orë shtesë e të gjitha këto janë falas. Madje nëse nxënësit kanë nevojë për mësuesin jashtë orarit mësimor ata janë gjithmonë të gatshëm. Ne fusim anglishten që në klasën e parë fillore. Tek ne bëhen 5 orë në javë Anglisht dhe nxënësit tanë e kanë mbrojtur anglishten vetëm me mësimet që kanë marrë në këtë shkollë pa pasur nevojë për kurse private.
Eni: Matura shtetërore, një eksperiencë që më ka tronditur
Si u mbyll për ju gjimnazi? Keni dalë me dhjetë absolute. Ka qenë e vështirë?
Po, kam dale me dhjetë absolute, dhe gjatë provimeve të maturës shtetërore. Ka qenë e vështirë, sepse ishte hera e parë që përballesha në provimet shtetërore, e doja të provoja se vleja, jo vetëm për prindërit dhe mësuesit e mi. Më shumë se kujtdo doja t’ia provoja vetes sime.
Cila ka qenë lënda që ju ka pëlqyer më shumë?
Padyshim, matematika. E adhuroj matematiken, jo thjesht anën mekanike të saj, por mënyrën sesi ajo funksionon. Matematika për mua është shumë më tepër sesa një lëndë apo një drejtim shkencor. Ajo është një sistem, një formë (për të mos thënë forma ideale) arsyetimi që ndërtohet mbi bazën e se vërtetës, apo asaj që ne pranojmë të vërtetë, duke vërtetuar çdo hap, që në fund të fundit mund të përbëjë dhe një absurditet në vetvete. Ndaj me magjeps, ajo është e pakundërshtueshme, por jo domosdoshmërish reale.
Si ju është dukur matura shtetërore?
E frikshme. Ka qenë një eksperiencë që më ka tronditur shumë, sepse e kisha marrë më shumë emocion, sens të larte përgjegjësie dhe nuk doja të zhgënjehesha. Fakti që isha në një shkollë jopublike, bënte që shpeshherë njerëz të ndryshëm të tregoheshin mosbesues për notat e mia. Megjithatë e përballova me shumë sukses, besoj se puna ime u shpërblye maksimalisht.
Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhëm, çfarë dege preferoni të vazhdoni?
Në këtë moment të jetës sime, duket sikur e ardhmja do jetë madhështore, do kem mundësinë të realizoj çdo ëndërr dhe plan. Por që, besoj se me pjekurinë e mjaftueshme do vij më me këmbë në tokë. Do të vazhdoj për mjekësi në Suedi apo Norvegji (të paktën këto janë planet tani).
Pse keni zgjedhur këtë degë?
Më shumë sesa unë, kjo është preferenca e prindërve të mi. Deri në momentin e fundit isha e bindur të vazhdoja për ekonomik (aq sa ne provimet me zgjedhje dhashë fizikën dhe ekonomi-filozofinë). E vetmja gjë që me stepi ishte fjala e profesorit tim të matematikes, Z. Fatbardh Hushi. Me tha tekstualisht : “Mjekësia është e vetmja degë që ka sfidën dhe të panjohurën element të përjetshëm të saj. Ajo kurrë s’mund të shterojë në përditësimin e saj, sepse evoluon ashtu si njeriu.” Më mjaftoi kaq, për te besuar se ishte kjo rruga ime.
Renaldi: Te publikja, zyshat të jepnin kurse private
Jeni një ndër nxënësit e shkollës që keni dal me rezultate shumë të mira. Cilat ishin vështirësitë që keni hasur?
Unë tre vitet e para të gjimnazit i kam kryer në gjimnazin shtetëror “Qemal Stafa” dhe ka qenë eksperienca më e vështirë e jetës time.
Vështirësia më e madhe që has një nxënës që me të vërtetë lodhet duke mësuar është të shikoje kur nuk japin atë çka meriton. Në “Qemal Stafa” kishte me shumicë raste të tilla. Disa mësues, (duke mos përgjithësuar gjithë stafin pedagogjik të shkollës, për disa prej të cilëve kam një respekt shumë të madh) zhvillonin kurse private me nxënësit, e në këtë mënyrë i mbanin me hatër duke na ulur notat ne të tjerëve që nuk ishim në kurs. Kjo është goditja më e madhe që mund ti japësh një nxënësi sepse e demoralizon dhe i heq dëshirën për të studiuar.
Jeni më shumë për shkencat ekzakte apo ato shoqërore?
Lëndët ekzakte janë të preferuat e mia, por më tërheqin shumë edhe lëndët shoqërore si: Letërsia, Sociologjia dhe Psikologjia.
Si ju është dukur matura shtetërore?
Provimet që dhashë unë (Matematike e përgjithshme, Letërsi e Përgjithshme, Fizike, Anglisht) në përgjithësi më janë dukur të thjeshta. Nga syri i një nxënësi, edhe tezat ishin hartuar me shumë kujdes dhe efektshmëri. Kishin një nivel mbi mesatar, ku për nxënësin që kishte studiuar sistematikisht me forcat e tij gjatë 4 viteve, nota 10 ishte shumë e thjeshte për t’u arrirë.
Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen, çfarë dege preferoni të vazhdoni?
Do të vazhdoj për Mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë këtu në Tiranë.
Pse keni zgjedhur këtë degë?
Që i vogël e kam pasur pasion mjekësinë. Është profesion i respektuar dhe nuk duhet harruar që paguhet mjaft mirë në Shqipëri. Kam edhe disa ide-projekte në kokën time që mund ti arrij vetëm duke studiuar Mjekësinë.
Çfarë mendimi keni për shkollën ku keni studiuar, cilat kanë qenë avantazhet dhe disavantazhet e tij?
(Do ta nis nga Qemal Stafa sepse aty studiova 3 vitet e para) Qemali është një nga gjimnazet më me tradite në Shqipëri. Ka mësues shumë të përgatitur dhe të përkushtuar, por ekzistojnë dhe nuk janë të paktë ata tek të cilët ecën “leku” dhe “miku”, dhe për mendimin tim kjo po e zymton emrin e shkollës. Për sa i përket “Tirana Jonë”, edhe pse nuk studiova shumë gjatë, mund të them me plot gojën se është një nga shkollat me nivelet më të larta që njoh, me mësuesit dhe drejtuesit më të aftë ku çdo nxënës mund te zhvilloje lehtësisht njohuritë apo prirjet e tij në fusha të ndryshme.
Niku: Gjeta mësues të kualifikuar dhe njerëzorë
Keni punuar shumë për “10-n absolute”?
Në fakt po, por duhet theksuar që të jesh absolut, duhet të punosh shumë. Unë kam pasur dhe fatin që siç më thonë të tjerët: ‘jam djalë i zgjuar’ (qesh) dhe ndoshta nuk më është dashur të punoj aq fortë sa disa shokët e mi. Por që siç thashë, duhet të punosh fortë, që të arrish rezultatet që dëshiron!
Për çfarë do i vazhdoni studimet e larta?
Unë po pres të drejtën e studimit në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, dega ekonomi-informatike. Ambicia ime është të mbaroj me nota të larta universitetin, dhe të gjej një punë të mirë për veten, pse jo nëpër kompani të mëdha!
Çfarë mendimi keni për shkollën ku keni studiuar, cilat kanë qenë të mirat dhe avantazhet e saj?
Këtë përgjigje më mirë se unë s’do dije ta thotë njëri. Unë dy vitet e para te gjimnazit i kam kaluar në shkollë shtetërore, dhe u transferova për tek shkolla ‘Tirana Jonë’ për të vazhduar dy vitet e fundit të gjimnazit. Gjeta mësues shumë të kualifikuar dhe shumë njerëzorë, dhe shumë miq të mirë. Kushtet e mësimit ishin perfekte, më pëlqente shumë mënyra e organizimit të orëve mësimore. Ka laboratorë fizike dhe kimie shumë komodë, palestër dhe fusha basketbolli, futbolli, volejbolli. Avantazhi kryesor që gjeta, ishte se çdo mësues kujdesej për ty dhe të ndihmonte të merrje maksimumin nga mësimi. Më pëlqente fakti që ndaheshim në grupe për të studiuar ato lëndë në të cilat ne po i jepnim përparësi me shumë!