Artistja gjermane, Verena Kyselka, i shkoi më tej kësaj ideje. Pa të gjithë filmat shqiptarë të realizuar deri para ‘90-ës, në kërkim të një skene erotike. Për të ishte e çuditshme që shihte vetëm ndonjë prekje apo përqafim e asgjë më shumë. E nisur për të studiuar shoqërinë shqiptare të postdiktaturës, ajo realizoi një performancë artistike të titulluar "Territori i Intimitetit". Sekuenca nga filmat shqiptarë ndër vite janë pjesë e një ekspozite të hapur në galerinë "Ibrahim Kodra" në MTKRS. Kyselka është e prirur ndaj vendeve të ndaluara. Ajo ka performuar deri në ish-burgjet e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, aty ku i ati i saj ka kaluar katër vite. Ajo vetë kishte një dosje të STAS-it. Për të Shqipëria është e mbushur plot tema interesante, por ia lë kohës të vendosë nëse do të kthehet.
Si lindi ideja e një ekspozite mbi puthjet e ndaluara në filmat shqiptarë? Kishit dëgjuar më parë për këtë fenomen?
Unë erdha në Shqipëri për të plotësuar një studim timin rreth ndikimit të izolimit dhe diktaturave në marrëdhëniet ndërpersonale të njerëzve që i kanë përjetuar. Duke punuar për këtë qëllim, takova dikë që më tregoi se censura arrinte deri në sjelljet intime, e reflektuar kjo edhe në filmat shqiptarë. Në to nuk lejohej që të kishte puthje. Më bëri shumë përshtypje dhe më nxiti që t‘i shkoja më tej kësaj pune.
Më tej ju keni punuar në arkivin e filmit. Ju dukej e çuditshme që nuk gjenit skena erotike?
Pasi kisha qëndruar një javë në Tiranë, mendova më shumë rreth kësaj ideje. Doja të mësoja më tej për pjesën erotike dhe iu drejtova arkivit të filmit. Fillimisht nuk dija si veprohej, por më pas mora një leje të posaçme për përdorimin e skenave të këtyre filmave. Pashë se puthja e parë ishte në filmin "Tana" në vitin 1958, me regji të Gëzim Erebarës. Koha ndalej në këtë moment. Për vite me radhë nuk kishte më skena të tilla. Vetëm në vitin 1992 do të hasnim sërish një puthje, në filmin "Vdekja e kalit", me regji të Saimir Kumbaros. Filmat më shumë flasin për histori. Edhe atëherë kur kishte një linjë dashurie, shiheshin vetëm prekje, ledhatime, por jo marrëdhënie intime. Kërkova nëpër video që të shihja edhe prodhime të hershme. Mua më interesonin edhe filmat me partizanë. Atje pashë tanke, burra, partizanë dhe partizane. Ndërsa në fund shfaqej një martesë që nuk arrija ta kuptoja se si kishte ndodhur. Gjatë gjithë filmit nuk kishte pasur asnjë lidhje dashurore mes tyre. Edhe në filmat e hershëm gjermanë ka pasur censura që lidheshin me çështje politike, por asnjëherë nuk janë ndaluar skenat e dashurisë. Gjithsesi, ky kërkim ishte shumë interesant për mua dhe do më shërbejë për formimin tim artistik.
Jeni takuar me ndonjë regjisor të filmave që jetojnë edhe sot?
Jo. Kam takuar vetëm Kujtim Çashkun, që më ndihmoi shumë në kërkimet e mia dhe Artan Minarollin. Asnjë tjetër.
Duket se jeni e orientuar të bëni art në vendet e ndaluara. Ju keni bërë edhe një performancë artistike në ish-burgun e Sigurimit të Shtetit (STASI). Përse zgjodhët këtë vend?
Babai im është arrestuar dhe burgosur në atë vend. Për këtë arsye unë zgjodha ta bëja atje performancën artistike. Është një lloj drite që bie mbi dritaret e mbyllura me mur të atij burgu. Ai ishte një vend i tmerrshëm. Ndërsa ndodhesha atje, ndjeja hijen e rëndë, dhunën që ishte ushtruar për vite me radhë dhe ndjehesha shumë e zhgënjyer. Është e vështirë të shpjegosh tërësinë e ndjenjave që provon në ato çaste. Babai im ka qenë i burgosur për katër vjet. Gjatë gjithë kohës unë i shkruaja letra, e njëkohësisht mbaja një tip ditari, ku shënoja gjithçka më ndodhte. Pasi të dilte nga burgu do të shihte se çfarë kishte ndodhur me mua gjatë asaj kohe. Në letrën e fundit që ai nuk e mori kurrë, i thosha të shikonte nga dritarja, kur unë do të ngrija një balonë për të. Por atëherë nuk e dija se ai nuk mund ta shikonte. Dritaret ishin të mbyllura me mur.
Pasi doli, bisedonit me të për burgun?
Jo, ai asnjëherë nuk fliste për atë periudhë. Pasi doli nga burgu, ra në depresion dhe nuk donte të tregonte asgjë që kishte lidhje me ato vite.
STASI është bërë edhe më vonë subjekt i punëve tuaja…
Në Gjermani janë hapur dosjet dhe janë mësuar disa të vërteta. Unë kam fotografuar një pjesë të mirë të fasadave të godinave, ku STASI vendoste spiunët e vet për të përgjuar njerëzit. I kam quajtur si vende konspirative. Madje kam gjetur edhe dosjen time personale. Isha vajza e një të burgosuri dhe detyrimisht vëzhgohesha. Në të mund të lexohen të dhëna të hollësishme për gjithçka që unë bëja. Te ju ende nuk janë hapur këto dosje dhe me sa di është një problem i madh e mjaft i diskutuar. Ndoshta një ditë do të hapen, ose do të jenë shkatërruar.
Para se të vizitonit Tiranën, keni lexuar mbi Shqipërinë e diktaturës?
Kam lexuar shumë. Doja të mësoja se çfarë kishte ndodhur në këtë vend. Sigurisht që ka pasur edhe Hitler, por besoj se Enver Hoxha ishte i pazakontë në arenën komuniste. Ishte intelektual, por edhe shumë i dhunshëm. Vriste gjithë njerëzit intelektualë.
Si e shihni sot Shqipërinë?
Kur erdha herën e parë, më bëri përshtypje që kishte kaq shumë kafe të mbushura plot dhe ndjej një prani të madhe të materializmit në marrëdhëniet mes njerëzve. Shqipëria ndoshta po ndryshon, por unë jam paksa kritike për mënyrën se si po zhvillohet. Këtë e shoh edhe në atë që mund ta quajmë emancipimi i grave. Nuk mendoj se është në rrugën e duhur. Nga jashtë ti shikon gra që janë me pamje shumë seksi. Sigurisht që këtë e bëjnë për të qenë edhe në vëmendje të burrave, por mendoj se kjo është mënyra e gabuar për të ndërtuar marrëdhëniet. Ndërsa njerëzit, parë nga më afër, më duken jo shumë të hapur për komunikim.
Cili është projekti juaj më i afërt?
Kam një projekt në Armeni. Kam si synim të studioj marrëdhëniet e atjeshme pas diktaturës dhe ndikimin e çuditshëm turk që vërehet në atë vend.
Do të ktheheshit sërish me ndonjë ide tjetër?
Kjo kushtëzohet pak edhe nga gjendja financiare. Këtu ka shumë subjekte të tjera interesante me të cilat doja të merresha, por kjo do t‘i takojë të ardhmes.
nga : Gazeta Shqip