Ne kerkim te lexuesit te humbur

Ne kerkim te lexuesit te humbur
Në një tryezë të rrumbullakët, shkrimtarë dhe studiues të letërsisë kanë kërkuar mënyrat dhe format për të sjellë lexuesin pranë librit. Një mision, që për nga problematika rezultoi si mision i pamundur

“Një shoqëri pa kulturë leximi është një shoqëri me probleme serioze”, - u thoshte studiuesi Pirro Misha gazetarëve të kulturës në një seminar organizuar nga Instituti i Medias një orë para se në Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, shkrimtarë e studiues të letërsisë të uleshin përreth një tryeze të rrumbullakët për të hapur një diskutim të gjerë rreth problemeve që ka sot leximi. Me gjithë shifrat optimiste të Panairit të Librit në Tiranë, duket se në letërsinë shqipe po ndodh një fenomen që mund të jetë akoma më dramatik; të rinjtë po i largohen gjithnjë e më shumë librit. “Kërkojmë lexues, ndërkohë që një plagë tjetër është se kemi blerës të librit, por që s’janë lexues”,- tha shkrimtari Zija Çela.

“Po si mund të nxitet leximi kur nuk ka statistika se sa lexojnë dhe çfarë lexojnë shqiptarët, cilat janë grupmoshat që lexojnë dhe çfarë autorësh preferohen?” - shtron me të drejtë pyetjen Dhurata Shehri. Propozimi i saj për ministrinë që merr iniciativën për të ngritur në këtë nivel, është inicimi i një anketimi për të kuptuar se cila letërsi preferohet, cilët autorë më pas kthehen në një guidë për lexuesit. Mungesa e bashkëpunimit e MTKRS-së me Ministrinë e Arsimit është një tjetër problem që Shehri e sheh si një ngërç për nxitjen e leximit, i cili duhet të nisë pasi nxënësve iu është reduktuar numri i librave jashtëshkollore, nga 30 në vetëm 6 të tillë.

Por si mund t’i detyrojmë të rinjtë që të lexojnë? Biblioteka mbetet ende një nga oazet e librit, por që me mjediset e amortizuara që ajo ofron sidomos nëpër rrethe, sërish nuk e kryen misionin e saj. “Duhet të kthehet vëmendja te bibliotekat, që t’i shndërrojmë ato në një mjedis tërheqës dhe të kulturuar për lexuesit, e sidomos për fëmijët që të njihen nga afër me autorët dhe veprat e tyre”, - tërhoqi vëmendjen drejtori i Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi.

Kësaj i shtohet edhe mungesa e librarive nëpër rrethe apo dhe bibliotekave, që në mungesë të fondeve nuk arrijnë të sjellin tek lexuesit e tyre librat e rinj. Krijimi i revistave apo gazetave letrare që të bëjnë kritikë të mirëfilltë të librit ndoshta do të ishte një nga zgjidhjet për të orientuar të rinjtë drejt leximit. “Ngritja e një rrjeti të specializuar të revistave apo gazetave kulturore do të sillte një peizazh të tendencave letrare.

Dinamizmi i leximit nuk mund të mendohet pa një rrjet të tillë”, - tha shkrimtari dhe përkthyesi Agron Tufa. Mbi këtë linjë e ngritën diskutimin e tyre dhe përkthyesi Amik Kasoruho, për të cilin një nga problemet kryesore mbetet mungesa e kritikës letrare së letërsisë shqipe. I pyetur për këtë, studiuesi Pirro Misha shprehu në fakt një këndvështrim ndryshe. “Është një keqkuptim kur kërkohet një kritikë letrare, e cila lexuesit të zakonshëm nuk i intereson. Një shtyp letrar mund të bëjë ndërmjetësin, apo më saktë të jetë guida për lexuesit, që mendoj se është gjëja më urgjente që nevojitet në Shqipëri. Botohen shumë libra dhe lexuesi ka nevojë që të dijë cili libër është me vlerë e cili jo.

Nëse ti si botues por dhe media me orientimet e saj i ofron lexuesit një libër të përkthyer keq e me gabime, ai mund ta blejë herën e parë, ta shfletojë dhe do mbetet i zhgënjyer, por pas kësaj nuk do të të besojë më dhe kështu largohet nga libri. Prandaj duhet krijuar një marrëdhënie besueshmërie mes librit dhe lexuesit”. Përkrahja e shkrimtarëve të rinj dhe prirjeve të reja që vihen re aktualisht në letërsinë bashkëkohore nëpërmjet nismave dhe projekteve specifike, mbetet një nga problemet e letërsisë bashkëkohore. Sipas studiuesve në letërsinë shqipe, të rinjtë nuk kanë asnjë mundësi të evidentohen nëse nuk janë pjesë e një klani. Një i ri së pari gjen vështirësi për të botuar librin e tij, por dhe nëse e boton, ai përballet me indiferencën, gjen vështirësi për t’u promovuar dhe për t’u përkrahur.

“Në Shqipëri ndodh fenomeni pasqyrë; që të bëhesh i njohur në Shqipëri duhet më parë të bëhesh i njohur jashtë vendit. Fatos Kongoli p.sh., fillimisht botoi jashtë Shqipërisë, ku mori edhe një çmim ballkanik, pastaj u bë i njohur këtu”. Në kërkim të lexuesit të humbur, në fakt ishte një përqasje e MTKRS-së për të orientuar politikat e saj në drejtim të interesave dhe misionit të shkrimtarëve e studiuesve në dobi të promovimit të kulturës së shkruar dhe kulturës së leximit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama