Drejtuesi i kësaj galerie, Artan Shabani, i cili pati idenë të bashkojë artistë shqiptarë pjesëmarrës në skenën ndërkombëtare të arteve pamore, pohon se fotot dhe videot e këtij takimi i bashkon vetëm "profesionaliteti dhe niveli serioz i të prezantuarit". Shabani ka varur në muret e "shtëpisë së tij" fotografitë me titull "The singing Lions". Aty trajtohet arkitektura dhe marrëdhënia që krijon njeriu me të.
Në videon (2008) e Salës, ca merimanga endin folenë e tyre në dritat e një semafori për rreth 3 minuta, pa pasur frikë nga tensioni që krijojnë. Ky vend absurd dhe i rrezikshëm ku ajo ndërton ngrehinën e saj, e që pengon lëvizjen e njerëzve, i ngjan pengesave absurde që artisti ndesh rrugës së vet. Ky mund të mos ketë qenë mesazhi që Sala ka dashur të japë me videon "Who's afraid of red yellow and green" e cila është marrë për titull të ekspozitës. Tre artistë, Adrian Paci, Alban Muja dhe Driant Zeneli, në forma dhe me mjete të ndryshme, merren me figurën e artistit në punët e tyre, natyrën, mendësitë dhe pozicionin i tij në shoqëri. Në fotografinë e Mujës, e realizuar në rezidencës e "Santa Fe Institucion" më 2007, artisti shihet duke vrapuar në shkretëtirë, kurse në videon "The dream of Icarus ëas to make a cloud" e Zenelit, artisti është duke fluturuar në ajër. Paci ka zgjedhur një personazh të vërtetë, piktorin Ilir Zefi, që shpreh një ide heroike mbi qëndrimin e artistit dhe konceptin e tij mbi mënyrën e të bërit art. Zguro mbetet tek e kaluara. Në fotografinë "To divide it" shihet një cigare e ndarë me një saktësi milimetrike. Kështu e ndanin pa hile një cigare adoleshentët dikur.
Kjo ekspozitë dhe emrat e njohur që ekspozojnë në të, nuk ka shënuar ndonjë ndryshim të dukshëm në numrin e atyre që kanë kapërcyer pragun e galerisë "Promenade". Por, në vëmendjen që kanë treguar për artin e tyre, po. Shabani tregon se qarqet ku lëvrohet dhe pëlqehet arti figurativ, vazhdojnë t'i qëndrojnë indiferent artit bashkëkohor dhe të mos kuptojnë gjuhën që zgjedh për të komunikuar.
"Në kulturën kitsch triumfon shija e vulgares dhe antiestetika. Kjo është tepër evidente edhe në arkitekturën që kemi krijuar pa identitet dhe pa harmoni. Vizitori shqiptar ende nuk ka krijuar një konfidencë me estetikën kontemporane", shpjegon Artan Shabani. "Miqtë" e ekspozitës, sipas Shabanit, janë studentët perëndimorë, më të ndjeshëm ndaj bashkëkohores, më të hapur për ta pranuar dhe kuptuar atë. Duket sikur koncepti "artist i botës" është i afërt për të gjithë këta artistë, që nuk i drejtohen vetëm një realiteti dhe artin e tyre nuk e preferojnë vetëm një grusht njerëzish.
Sa ka ndikuar në frekuentimin e vizitorit fakti që në këtë ekspozitë marrin pjesë emra të njohur të artit pamor?
Është një ekspozitë që prezanton artistë shqiptarë të njohur në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Sala, Paci, Muja etj., bashkëpunojnë me galeri prestigjioze si: "Marian Goodman Gallery" në Nju Jork, "Hauser & Wirth" në Zyrih, "Center for Contemporary Art-CCA" në Tel Aviv, "Francesca Kaufmann Gallery" në Milano apo muzeume si "PS 1" dhe "Solomon Guggenheim Foundation" gjithashtu në Nju Jork, "Museum of Contemporary Art North" në Majami etj.. Do duhej të përbënin një interes më specifik për publikun dhe veçanërisht për koleksionistët e artit bashkëkohor. Por numri i vizitorëve është si çdo aktivitet i mëparshëm i kësaj galerie. Ndryshon vetëm interesi intuitiv i tyre. Gjatë muajit gusht disa kuratorë nga vende të ndryshme do vizitojnë galerinë, por edhe vetë artistët do të jenë prezent në galeri.
A i ka të njohur vizitori vlonjat emra e Salës, Pacit, Mujës?
Sigurisht që artistët janë të njohur nga një pjesë e publikut. Në veçanti nga pjesa që është e pranishme në aktivitetet e reja të galerisë. Disa prej artistëve janë të rinj. Driant Zeneli është në momentin e krijimit të personalitetit artistik. Po ashtu, Muja po fillon të jetë i njohur në arenën artistike shqiptare. Ndërsa Paci dhe Sala janë emra të konsoliduar prej 10-15 vitesh.
Ekspozita vjen në një sezon vere dhe njerëzit në këtë kohë i braktisin qendrat e qyteteve. Është kjo periudhë në disfavorin tuaj?
Mendoj që i takon njerëzve të spostohen aty ku prezantohet arti. Spostimet sot nuk janë të sforcuara dhe për më tepër në një territor si Shqipëria, distancat janë të reduktuara. Në vende të tjera për një inaugurim ekspozite apo një panair arti spostimet bëhen nga një shtet në tjetrin apo një kontinent në tjetrin, kjo varet nga rëndësia e projektit dhe sigurisht nga niveli i artistëve pjesëmarrës. Në qytete të cilat janë qendra të kulturës si; Praga, Parisi, Torino, Vjena, Berlini, galeritë nuk mbyllen.
Ekziston edhe një sistem i të prezantuarit në vende "turistike", shumë galeri të Milanos dhe Torinos kanë qendrën e dytë në vende turistike si: Pietrasanta (Toskanë) apo "Cortina d'ampezzo", zona malore e Dolomiteve, ose dhe zona Spanjolle si Puerto Banus, ose Puerto Pollensa. Në Francë kemi pjesën e jugut, Antibe, Nisë, dhe deri në Marsejë. Galeria "Promenade" këtë vit ka prezantuar artistë nga vende të ndryshme, Kolumbia, Meksika, Italia, Franca, Gjermania. Në harkun e kohës së një viti, dhe pikërisht periudhën e verës, kur qyteti merr trajta të tjera për nga dinamika e jetës dhe qarkullimit të turistëve, stafi i galerisë e vlerëson si ngjarjen e vitit, e kështu gjithë verën do të jetë kjo ekspozitë.
Cilat janë përshtypjet e vizitorëve për punët, duke marrë parasysh se ky lloj arti ka një publik të kufizuar.
Në Shqipëri mediumet e të shprehurit në art shpesh janë të reduktuara, kjo edhe për mungesën e një koleksionimit të rafinuar ose elitar. Klientela në vendin tonë kushtëzon krijimtarinë e artistëve dhe nuk i krijon lirinë e të eksperimentuarit. Shpesh publiku masiv e shikon videon apo fotografinë me paragjykim. Pjesa e studentëve që vijnë nga vendet perëndimore kanë më konfidencë me artin bashkëkohorë dhe janë më të interesuar për të kuptuar anën konceptuale të veprës dhe jo atë komerciale.
Sipas jush, përse vizitori rri larg?
Mosnjohja e gjuhës bashkëkohore nga pjesa që është mësuar me artin tradicional-figurativ, krijon një lloj defiçence. Paragjykimi nuk është vetëm në art, por në shumë aspekte që njerëzit i ndeshin në jetën e përditshme. Shpesh në kulturën"kitsch" triumfon shija e vulgares dhe antiestetika. Kjo është tepër evidente edhe në arkitekturën që kemi krijuar pa identitet dhe pa harmoni. Vizitori shqiptar ende nuk ka krijuar një konfidencë me estetikën kontemporane dhe atë që unë e quaj minimalizëm.
Çfarë e bashkon këtë grup artistësh?
Të përbashkët kanë profesionalizmin dhe nivelin serioz të të prezantuarit. E veçanta do të thosha është në secilën prej punëve, çdo artist shprehet nëpërmjet personalitetit të vet. Mediumet janë të ndryshme dhe kjo e bën edhe më interesant prezantimin e ekspozitës në hapësirën minimale të "Promenade Gallery".
Përse ekspozita mban emrin e një videoje të Salës?
Ekspozita e merr titullin prej njërës nga punët e prezantuara, videos së Anri Salës, "Who Is Afraid of Red Yellow and Green", e realizuar në vitin 2008. Në këtë video artisti trajton nëpërmjet planesh fikse një situatë jo të zakontë, ku merimangat endin folenë e tyre pikërisht mbi dritat e një semafori, pa iu friguar aspak tensionit që ato krijojnë.
Kjo video është (2:35 Min) Loop; ED. Courtesy e Johnen Galerie, Berlin. Titulli i punës në ambiguitetin e vet, të bën të imagjinosh edhe mesazhin që artisti me elegancë transmeton. Kjo mund të ndodhë rastësisht teksa një natë ndalesh në rrugë apo bulevard dhe pret që të ndizet drita jeshile. Por ajo nuk mund të ndizet. Të paktën për atë moment, jo! Sepse mbi të një merimange ka ndërtuar shtëpinë e saj, pikërisht aty mbi dritat e semaforit, në vendin më absurd të mundshëm, ku e kuqja bëhet e verdhë dhe jeshile, dhe pastaj prapë e kuqe e kështu në infinit, pa u ndalur kurrë, natë dhe ditë. Pikërisht aty.
Ti nuk duhet të bësh tjetër veçse të dokumentosh situatën dhe gjithçka është flagrante. Rikthehesh me një telekamerë të vetme dhe filmon ngjarjen, e cila shndërrohet me plane stative dhe tingulli përsëritës i semaforit, shoqërohet nga kënde te ndryshme xhirimi: afër, larg, majtas, djathtas, poshtë, pastaj prapë afër, ballore dhe kështu rrëfehet historia e merimangës në folenë e saj të endur midis të kuqes, të verdhës dhe jeshiles, midis zhurmës së ndërrimit të ngjyrave të cilat nuk krijojnë kurrfarë konflikti për të. Atëherë: "Who is afraid of red yellow and green?" Padyshim që merimanga jo!