Ne laboratoret e jetegjatesise

Në laboratorët e jetëgjatësisë

 Është e vërtetë që nuk kemi arritur ende ta gjejmë plotësisht formulën e jetëgjatësisë, por kemi shumë informacione dhe përdorim strategji të cilat mund t‘i vëmë në funksion të këtij qëllimi. Gjatë javëve të kaluara, një kategori substancash të afta për të vepruar mbi disa mekanizma të veçantë qelizorë, që ngadalësojnë plakjen, janë pasuruar me një bar tjetër, i cili njihet për vetitë e tij kundër alergjive, rapamicina. Edhe pse duhet shumë punë për ta modifikuar, kryesorja është të shmangen efektet anësore mbi sistemin imunitar dhe rezultatet tregojnë se jemi shumë pranë qëllimit për të përftuar një ilaç të vetëm, i cili mund të pihet në doza të vogla për të favorizuar jetëgjatësinë te qeniet njerëzore.

Hapi i parë i rëndësishëm lidhur me jetëgjatësinë u bë në vitin 1988, kur shkencëtarët amerikanë bënë të ditur se futja e gjenit age-1 në venat e "Caenorhabditis elegans" zgjaste jetën deri në 65 për qind. Një vit më vonë, një onkolog italian arriti një rezultat të ngjashëm te minjtë e laboratorit: nëse gjeni "p66" çaktivizohej, jeta zgjatej mesatarisht 35 për qind. Që prej asaj kohe janë zbuluar shumë gjene të tjera të këtij lloji.
"Ekzistojnë tre lloj gjenesh që lidhen me plakjen. Disa kodifikojnë proteinat, të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm në prodhimin e insulinës, hormoni që rregullon sasinë e glukozës në gjak", shpjegon onkologu. "Të tjerë rregullojnë stresin, oksiduesin e qelizave dhe në fund është lloji i gjeneve që rregullojnë pjesët fundore të kromozomeve, të cilat shkurtohen vazhdimisht kur ne plakemi". 

Të gjithë e dimë se jetëgjatësia ka baza të forta gjenetike. Provat bindëse, edhe te njeriu, vijnë nga shumë studime gjenetike dhe demografike. Por si ka mundësi që ekzistojnë gjenet e plakjes dhe është e vështirë për t‘i gjetur e kuptuar ato? Pse janë përzgjedhur gjene të cilat e dobësojnë njeriun, në vend që ta forcojnë? "Në fakt, ka disa gjene të jetëgjatësisë që kanë një funksion të kundërt, për shembull kur aktivizohen zgjasin jetën, siç vërehet te majaja dhe miza. Në periudhat kur ushqimi mungon, këto të fundit, hyjnë në lojë për të përdorur energjinë e disponueshme dhe për të mbajtur trupin në jetë. Ndërsa kur ushqimi është i pranishëm, gjenet e plakjes, favorizojnë përdorimin e energjisë për të lindur", bën të ditur onkologu.

Këto rezultate janë mbledhur nga të dhënat që kanë dalë prej eksperimenteve mbi dietën dhe ushqimin. Te disa specie, të cilat u janë nënshtruar dietave të forta duke ulur në 40 për qind kaloritë, është vënë re se jetonin më gjatë, gëzonin shëndet të plotë dhe kishin më pak probabilitet të prekeshin nga kanceri, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Para disa javësh, studiuesit e universitetit "Wisconsin-Madison" (SHBA) vërtetuan se një sasi më e vogël kalorish ka të njëjtin efekt te majmunët. Në një studim, i cili zgjati 20 vjet, vetëm gjysma e kafshëve që u ushqyen sipas dëshirës mbijetuan. Gjithashtu, 80 për qind e majmunëve që u ushqyen me 30 për qind më pak kalori, vazhdojnë të jetojnë. Testi i parë te njeriu u publikua te revista "Pnas" në vitin 2005. Ndërkohë, vazhdojnë të realizohen teste të tjera me këto rezultate. Veç të tjerash, të ushqyerit me ushqime pa yndyrë, është një faktor vendimtar për të shpjeguar jetëgjatësinë në disa vende të planetit, si për shembull në ishullin japonez të Okinawa-s.

Duke qenë se kufizimi i kalorive është një strategji për të zgjatur jetën, studiuesit janë përpjekur ta sqarojnë këtë lëmsh. Fillimisht mendohej se një dietë hiperkalorike, rregullonte metabolizmin dhe zvogëlonte prodhimin e radikaleve të lira, të cilat janë substanca toksike për organizmin. Prandaj studiuesit nuk arrinin të shpjegonin faktin se organizma me një metabolizëm të lartë, si ai i lakuriqëve të natës, janë jetëgjatë. Gjatë studimeve në vazhdim u zbulua se stresi biologjik i shkaktuar nga ushqimi i pakët, aktivizon gjenet që rrisin mbrojtjen qelizore. Për shembull, te majaja, ky stres aktivizon një gjen, "Sir2", që rrit prodhimin e enzimave të saj. Por cilat janë këto substanca që po t‘i pish, të zgjasin jetën?
Studimet më premtuese në këtë fushë, janë ato të një studiueseje italiane të gjenetikës: "Kemi zbuluar se acidi palmitoleik, një acid yndyror që gjendet tek arra". Gjithçka filloi kur studiuesja italiane së bashku me disa kolegë të saj vunë re se kjo substancë ishte e pranishme në nivele të larta në membranën e rruazave të kuqe të njëqindvjeçarëve. 

Gjithsesi, pavarësisht vështirësive, këto studime shërbejnë për diçka shumë të rëndësishme. Duke i marrë në konsideratë, na ndihmojnë të jetojmë më mirë dhe më gjatë. "Nëse doni të jetoni një jetë sa më të shëndetshme, duhet të bëni aktivitet fizik, kundër mbipeshës dhe hipertensionit, të mos pini duhan, sepse nikotina rrit presionin e gjakut dhe mbani nën kontroll peshën, sepse obeziteti stimulon diabetin. Obeziteti ul me pesë vjet jetëgjatësinë, ndërsa duhani 6. 11 vjet janë mjaftueshëm për të thënë që eliksiri i jetëgjatësisë arrihet duke ndryshuar zakonet tona dhe mënyrën e jetesës", përfundon studiuesja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama