Këngëtarët vështirë të mësohen me disiplinë dhe nuk mblidhen në orën 10:30 në prova në Pallatin e Kongreseve.
Vasoja përgjigjet për ngjyrën e mikrofonave, e deri për apelin e këngëtarëve në mëngjes. Më e rëndësishmja është që të bëjë ndërmjetësin e këngëtarëve me foninë. Kur ata nuk dëgjojnë bazën orkestrale, nuk dëgjojnë zërin e tyre që bashkë me harqet janë "live". Ndaj, ka lutje: sa më pak surpriza nga ana e teknikës!
"Problemet teknike nuk të japin liri të përqendrohesh njëqind për qind te interpretimi dhe emocioni. Këngëtari duhet të marrë parasysh shumë gjëra të tjera dhe të përshtatet", pohon me çiltërsi Miriam Cani që sapo ka mbaruar provën e këngës "Ende ka shpresë". E interpreton sonte me Alban Skënderajn. Ajo vjen nga të tjera përvoja festivalesh jashtë vendit dhe është i kuptueshëm krahasimi. Kurse, për ata që kanë kënduar një jetë të tërë vetëm në RTSH, "këto nuk mund të quhen probleme".
"Është një proces pune fare normal: pasi punojnë të gjithë sektorët dhe duhet të dëgjohen regjistrat e këngëtarëve dhe regjistrat e orkestrës", shprehet Barbullushi, dirigjent karriere në Festivalin e Këngës. Ndodhet para regjistruesit dhe vë në dukje se salla e Kongreseve ka probleme me amplifikimin.
Duke marrë parasysh probleme të tilla teknike, a është i besueshëm pretendimi që dëgjohet këto kohë në rrethin e muzikantëve: festivali i 50-të do të jetë i gjithi "live". "Ka ardhur momenti që interpretimi i orkestrës duhet të shkojë i gjithi drejt "live"-it, thotë Jetmir Barbullushi. Opinionin ia mbështetet kolegu i tij që ka në dorë drejtimin e festivalit, Edmond Zhulali. "Mundësitë teknike nuk lejojnë të merret përsipër kjo nismë, pasi duhet një servis audio profesional, që për momentin, Radio-Televizioni nuk e ka". Sfidë për një kohë tjetër.
Love, love, love
Në Festivalin e Këngës në Radio-Televizion marrin pjesë 32 këngëtarë. Çdo natë, sonte, nesër, prezantohen 16 krijime nga këngëtarë "big" dhe 3 "të rinj". Në finale shkojnë 18 këngë, 16 nga "bigët" dhe 2 nga "të rinjtë".
Ethet e garës i provojnë të parët sonte, ora 20: 30, Dorian Nini, Selami Kolonja, Edmond Mancaku, Miriam Cani&Alban Skënderaj, Orges Toçe, Klajdi Musabelliu, Dorina Garuci, Marsida Saraçi. Kantautorë ose thjesht ekzekutues të këngëve që kanë shkruar Jetmir Barbullushi, Sokol Marsi, Valentin Veizi, Dritan Caushi, Lambert Jorganxhi, Gent Myftaraj etj..
Nga katër këngëtarë që pranuan të flasin për këngën para festivalit, tre kishin një krijim për dashurinë, si konflikt, vuajtje, mall edhe gëzim. Klajdi Musabelliu, me "Vetëm ti", shkruar nga Zhuljana Jorganxhi, me muzikë të Lambert Jorganxhiut, rri te balada, e ndërthurur me ritme pop-rrok. Ai i këndon humbjes së dashurisë. Klajdi është në këtë festival sepse e ndjen si shtëpinë e tij.
"Kanë qenë këngëtarët e Radio-Televizionit që më kanë mësuar të këndoj, Alfred Kaçinari, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi. Këtu jam si në Lice. Ndihem mjaft mirë sepse kam të bëj vetëm me miq." Ai nuk i mohon Festivalit të Këngës vlerat që ia njohin shumica: serioziteti dhe interpretimi "live", që s'e gjen në festivalet private të këngës. Gjergj Jorgaqi që kthehet në festival pas disa vitesh, mendon që ky "është i vetmi konkurs, ku të paktën këngëtarët janë të saktë. Këngëtarët dijnë ta bëjnë mirë atë punë, janë zgjedhur në bazë të aftësive".
Pastaj është edhe Eurosong, konkurrimi evropian i këngës, çka e josh edhe Gjergjin si jo pak. Përfolja e fiton ky apo ai, e përfaqëson më mirë ky apo ajo Shqipërinë në një skenë ndërkombëtare, ka parasysh pikërisht Eurosong-un. Edhe Jorgaqi ka shkruar një tekst për dashurinë, "Dikur besoja", një këngë rrok alternativ që e këndon Ardita Tusha.
Dorina Garuci, me baladën "Mirëmbrëma engjëlli im", i shtohet kësaj liste. Për hir të së vërtetës është një motiv më i keqtrajtuari.
Po s'ka të bëjë me të vetëndjerin e motivit, ka të bëjë me nivelin foshnjor të përgjithshëm që paraqet teksti shqip i këngës. Garuci na shprehu një rezervë për çmimet. "Jo gjithmonë i kanë marrë ata që e meritojnë vërtet", thotë këngëtarja duke e ditur se s'është ndonjë gjë e re kjo që thotë ajo, dhe s'ka për të qenë ndonjëherë e re. Kjo e bën Garucin të punojë më tepër, derisa nesër të jetë njëra nga fitueset.
Çka thotë Garuci, dëgjohet për vit, herë nën zë e herë hapur.
Drejtori artistik, Zhulali - dy vite përpara shpalli luftë me jurinë si konkurrent që ishte - premton sikur të ketë gjithë vetëdijen e jurisë në dorë "organizimin e një festivali të ndershëm, profesional dhe të barabartë për të gjithë artistët".
Spektakli
Provat e ditës së fundit të festivalit nuk e shuanin kureshtjen për anën e spektaklit të festivalit. Vëmendja ishte përqendruar te muzika dhe këngët. Prezantuesit dhe autoret e skenarit, Zefina Hasani dhe Iva Tiço, nuk ishin në këto prova. Dihet që prezantimi mbahet nga këngëtarja Jonida Maliqi, aktorja Mirela Naska dhe tenori Josif Gjipali.
Dihet që do të jetë i ftuar grupi i rrokut që vjen nga Turqia, "maNnga", fitues i vendit të dytë në Eurosong me "We could be the same". Gjithçka tjetër mbahet me "forcat e brendshme", performancat e secilit këngëtar dhe shoqëruesit e tyre.
Regjisori Bojken Lako përsëriti dje atë që ka thënë qysh nga dita e parë, "ky nuk është festival i ekzibicioneve". Ai njeh kontributin e njerëzve që po merren me skenën dhe ndriçimin. "Për skenën është patur parasysh qëndrimi komod i këngëtarit në një hapësirë të madhe, me dëgjimi i mirë sepse këndohet "live". Orkestra është në pozicionin klasik, e vendosur në nivelin 0 në dy anët e skenës". Skenografia është e Bashkim Zahajt. Ndriçimi: Lulëzim Tufa. Në dy anët e skenës dhe në qendër janë vendosur dy ekrane projeksioni (Lad ëall), anash projektohet portreti i interpretuesit në skenë, në qendër jepen imazhe të kompozuara me kompjuter.
Gjipali: I besoj regjisorit dhe intuitës sime
Hera e fundit në Festivalin e Këngës në Radio-Televizion ka qenë interpretimi i këngës "Quo Vadis", më 1992. I angazhuar me grupe rroku, me look po aq rrok atëhere, sot tenor, pothuajse elegant. Ka humbur jo pak kile Giuseppe Gipali, siç njihet ë skenat e huaja operistike, te të cilat Josif Gjipali kapërcen prej Italisë, vendi ku jeton. E ka herën e parë që prezanton një festival. Është shprehur se i beson regjisorit, Bojken Lako, dhe intuitës së Josif Gjipalit.
Votimi
Emrat e jurisë sekret deri në momentin e fundit. Dihet që ka dy juri, secila vlerëson në mënyrë të pavarur. Juria qendrore me 7 anëtarë, çon në finale 16 këngëtarë me përvojë. Juria me 5 anëtarë, zgjedh 2 nga 6 këngëtarë të rinj që marrin pjesë për herë të parë në festival. Në finale shkojnë 18 këngë.
Biletat
Ditën para festivalit, në biletarinë e Pallatit të Kongreseve, numri i biletave të shitura për natën e parë deklarohej 300, për platenë A dhe D. Po kaq ishin shitje deklarohen edhe në sportelin e Radio-Televizionit Shqiptar, për të dyja platetë, që përbëjnë pjesën kryesore të sallës 2000 vendëshe të Pallatit të Kongreseve.
Platetë C dhe D, nuk preferohen nga shikuesit, prandaj rezulton të mos jenë shitur bileta për ato vende.
Bileta kushton 500 lekë. Ka një ndryshim për natën finale: një vend në platenë A dhe D vlen 1000 lekë.