Ne nje cep te Ilirise ku jepet qira per sharlatane

Ne nje cep te Ilirise ku jepet qira per sharlatane
Ekziston një traditë me institucionet tona të kulturës: nuk janë mirëfilli ajo që duhet të përfaqësojnë. Skenat ku këndohet “Madama Butterfly” e kërcehet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku recitohet Shekspiri e Kolë Jakova, salla ku shfaqet “Beteja e Algjerit” e “Skënderbeu”, katedra ku predikohet si gurë themeli shkenca e Aleks Budës, erdhën nga historia e ndërtimit të një shteti të ri si institucione të republikës e monarkisë, të kolonizimit italian apo të rindërtimit socialist të vendit. Në periudha të ndërmjetme, ngrehina si këto ishin vende gjyqësie për luftën e klasave dhe për kongreset e partisë. Përmbajtja dhe funksionet e tyre u shënuan nga ideologjia.

“Koha e re” i futi në “ekonominë e tregut” siç u shpreh para pak kohësh historiani Luan Malltezi për Muzeun Historik Kombëtar që ai drejton. Sallat u jepen me qira partive, shoqatave e individëve të cilët prezantojnë aktivitetin e tyre që s’është e thënë të ketë lidhje, madje mund të bjerë ndjesh, deri edhe të jetë spekulues përballë natyrës së institucionit. Kështu pra, në kuadrin e festimeve të gëzueshme drejt një jubileu të gëzuar, Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane në ShBA përcolli kumtin e saj shkencor në Sallën e Bibliotekës Shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më 7 shtator, prof. Bajram Doka ia kushtoi kumtin e tij akademik epigrafisë Iliro-Pellazge. Ai erdhi pikërisht këtë javë meqenëse në fund të gushtit u mbajt në Berlin Kongresi i 14-të Ndërkombëtar i Epigrafisë Greke e Latine.

Doka aty pjesë s’mori por u kishte dërguar organizatorëve një falënderim për kontributin në përparimin e shkencës së Allemanjës së bekuar dhe u ka postuar atyre një kartë me ngjyra që “pasqyron pjesëza të kulturës ilire” që ta varin në ato sallonet që i mbajnë kolonadat e dijes në të cilën një shpatull e mbështet edhe qytetërimi iliro-pellazg. Në pamundësi për ta ftuar njeri, akademiku Doka shtron në atë kartë të uruar shkurt e shqip transkriptimin e tri teksteve monumentale për kulturën botërore falë dialektit pellazg. Këtë afishe ai ia shërbeu gratis edhe audiencës pleqërishte në Tiranë.

Është një formë promocioni për zbulimet e akademikut që më gjerësisht janë trajtuar në booklet-in “Ilirët, thrakët dhe frigjiasit, kërkime epigrafike”. Në kërkimin e tij shkencor akademikun Doka është frymëzuar nga studiuesit dhe albanologët e mëdhenj si Johan Von Hahn, Charlez Berlitz, Çabej po ashtu edhe nga kërkimet e Nermin Falaskit (Vlora).

Pra një akademik bujar që ul në një sofër shkencëtarë e profanë si rasti i zonjës Falaski që i ka shtyrë urët në çështjen e origjinës së shqipes e shqiptarëve në kufijtë e një mistike nacionaliste, siç kanë bërë një aradhë emigrantësh të rinj e të vjetër. Llambadhja e zonjës ndriçon pellazgët dhe bijtë e tyre ilirët në origjinë të etruskëve e të fenikasve. Në këtë rresht e identifikon veten anëtari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Nju Jorkut Bajram Doka. Ai ia dedikon vazhdimin e mëtejshëm filologjik të epigrafisë “kryesisht kulturës ilire që ndriti në lashtësi në Kontinentin Europian, gjurmët e së cilës i gjejmë kudo në ndërtimet gjigante, shkrimet dhe monumentet përgjatë gjithë rajonit të Mesdheut, përpara se ky rajon të gjendesh nën fluksin e ardhjeve të fiseve të reja”. Duke e ilustruar fjalën e tij me projeksionin e imazheve nga shkrimet e lashta në metale, monedha, pllaka guri, ai paraqiti atë çka e quan analiza kërkimore nga fushat e epigrafisë në rajonin e Ilirikumit dhe të Frigjias në Azinë e Vogël.

Ilirët vërtet husarojshin nëpër Adriatik, por territorin e tyre, akademik Doka e shikon ku e ku më të gjerë se treva shkencërisht e pranuar edhe nga katedra ku ai po flet. Ai thotë se gjuha shqipe është lënë mënjanë dhe nuk është marrë në konsideratë për t’u përdorur në analizat e transkriptimit të tre mbishkrimeve të mëposhtme. “Nisur nga vlerësimi se gjuha shqipe është trashëgimtare e vetme e mbijetuar e gjuhës së lashtë ilire apo një variant ose një dialekt i saj, ky është fakt i rëndësishëm për të mundësuar vendosjen e saj në analizat transkriptuese për zgjidhjen e enigmës që mban mesazhi i shkruar në këto inskripte.”

Sipas kësaj logjike për çështjen e vijimësisë, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për origjinën e gjuhës dhe popullit shqiptar, albanologu e përdor përfundimin si tezë dhe argument njëherësh. Kështu mund të riprodhojmë sa të duam analogji edhe nga bota e florës dhe faunës duke zgjidhur njëherë e mirë enigmat e trevës ku jetojmë. Mbishkrimi i parë që përbën edhe deshifrimin e parë të epigrafistit Doka i përket një unaze të shek. 5 para erës sonë e gjetur në katundin Ezerovo në Bullgari më 1912. I shkruar në alfabetin e lashtë grek por i transkriptuar me gërmat e alfabetit latin, hulumtuesit tonë i rezulton ky tekst: Rolisteneasn/ereneatil/teaneskoa/razeadom/ eantilezu/ptamiee/raz/elta.

Ja metoda që ka përdorur ai: “Fillimisht e transkriptova atë në alfabetin Latin, duke ruajtur saktësisht vlerat e secilit simbol dhe të paprekur fillim mbarimet e rrjeshtave, ekzaktësisht ashtu siç janë paraqitur në fushën eliptike të kësaj unaze. Nga shkrimi i përftuar vërejmë se; fjalët vijnë të pandara njëra nga tjetra, fakt ky që na dikton të lexojmë në veçanti. Ç’do tingull të përftuar ja nënshtrojmë një analizë fonetike racionale fjalë formuese që bazohet në kombinimin e secilës rrokje me tingujt fonetike të përftuar, fjalë formues që vijnë në ekuivalencë në dialektin veri-lindor të gjuhës së folur shqipe.” Dhe teksti që përftohet është ky: Rrallë ishte në është (nëse ndodh), gruan e tij (të tjetrit), të duash s’ka, Të fillosh asht dam (të biesh në dashuri është mëkatë), dhe është e tij e zënë (dhe nëse është gruaja e zënë prej tij), për të mirë (ja uron) dhe rashë ika (dhe u largova).

Për të qenë bindës Doka bashkëngjit përkthimet përkatëse në gjermanisht e anglisht (bërë apostafat për atë kartën që e ka dërguar në Allemanjë). Teksti i unazës në fjalë vlerësohet si një nga inskripsionet trake për të cilat flet edhe Çabej kur prek një nga tri teoritë (që e lënë të pazgjidhur problemin) sipas së cilës shqipja rrjedh prej trakishtes. Botërisht njihet si një nga inskripsionet trake që janë shkruar me shkronja greke e që shfaqin mjaft vështirësi në interpretim. Ndërsa objekti dhe teksti identifikon personin, një grua fisnike që është prehur në atë varr të lashtë. Për të qenë origjinal, në vend të kësaj historie, akademiku Doka stis tjetër histori: “Kalorësi, mbajtësi i kësaj unaze, mund të ketë qenë një mesazhier dhe shkrimi (inskripti) në të mund të jetë një shenjë njohje, një parrulë ose vulë besimi që ky mesazhier përdorte në takimet me banorët ose mikpritësit gjatë udhëtimeve që ai bënte, ndërsa përcillte mesazhet nga njëri padron tek tjetri.” Shkencëtari ynë bëhet sensitiv, pra vepron me shqisën e gjashtë, sepse nga fotot në internet të objekteve ai kap mesazhe ekskluzive. Unaza i sjell atij “një mesazh të plotë të shkruar gjuhësor i cili vjen prej thellësive të lashtësisë si një rreze drite për të ndriçuar atë ç’far ka mbijetuar nga gjuha e shkruar Iliro-Trakase”. Këtë mesazh kapur në rrugë paranomale shkencëtari e përdor si prestidigjitator dhe ia arrin tri qëllimeve: të zgjidhë misterin gjuhësor prej dialektit verilindor të shqipes së sotme; të provojë idenë e hulumtuesve trakas se trakishtja është një gjuhë e afërt me shqipen e sotme; ta cilësojë këtë zbulim si një nga monumentet e para të shkruara të gjuhës ilir-thrakase. Dhe as ia ka nevojën as filologjisë, gjuhësisë, historisë apo arkeologjisë. Pas një vështrimi të pozicionit gjeo-politik të Thrakës, kalon te mbishkrimi i dytë. Një pllakë guri nga fshati Kjolmen, në katundin Preslav, ndoshta i shek. 6 para Krishtit. Duhet thënë se transkriptimet nga greqishtja e vjetër e latinishtja albanologut tonë i dalin tëpkë si të homologëve bullgarë, maqedonë a grekë. Ndërsa kur vjen radha te transkriptimi në shqip aty bëhet ai me gjashtë shqisa. Për mbishkrimin e pllakës së gurit, përdor tekstin që japin studiuesit bullgarë: Ebar Zes(a) asn HN etes igek. A N blabahe gn! N ua(s?) sn letedn ued(n), ne in dakatr s! Dhe prej këtej nxjerr në shqip: Dhe Bardhi (Bardhyli) në zi është, e në ti shan, mbrapa e gjen (mbrapa të ndjek), i vdekur është, nëse është (ndodh) le të dënohet, në i nda katrash (katër pjesë)

Akademik Doka mendon që ka finalizuar përmbajtjen e këtyre teksteve gjë që “s’kanë mundur ta bëjnë dot studiuesit bullgarë Duridianov, Deçev, Mirneva”. Mbishkrimi i tretë është realizuar në alfabetin e lashtë frigan që ndodhet në varrin monumental të mbretit Mida në Anadoll. I transkriptuar nga alfabeti latin merr formën e mëposhtme: Baba Memevais proitavos Kt1iyanaveyos si keneman edaes Prof. Doka (që ka shumë të ngjarë të mos njohë asnjë nga gjuhët bazë për analiza shkencore greqishte e vjetër e latinisht) nxjerr në shqip: Baba mos më fajëso, ndalova pashë ke psi (përsëri) na besosh zi ken (mort jemi) e man(ie) e lashë (lashe, humba).

Shpjegohet Doka për “metodën”: “Si gjithë shkrimet e shkuara në kohët e lashta edhe në këtë shkrim shikohen bashkime fjalësh në formë togëfjalëshash që krahasohen me gjuhën e sotme të folur shqipe. Sipas rregullave të kësaj gjuhe, fillimisht realizojmë ndarjen e tyre sipas efektit fonetik, duke ruajtur rreptësisht kuptimin e tyre fjalëformues.” Edhe kur vjen puna për të thirrur në ndihmë një disiplinë shkencore që është më tolerante në interpretimin e fakteve si historia, albanologu ynë tregon legjenda për mbretin e Midës që vrau veten duke pirë gjak bualli.

Duke përfunduar atë që e ka pështyrë që në krye, prof. Bajram Doka deklaron se kjo seri inskriptesh i sjell mesazhet në gjuhën iliro-pellazge... “Qëllimi është për të hequr dilemat apo keqkuptimet në vlerësimet e deritanishme në kulturën e popujve të Evropës Juglindore dhe Azisë së Vogël. Nxjerrja në dritë e kësaj trashëgimie ka vlera morale në edukimin historikokulturor e gjuhësor kaq të larmishëm që të parët tonë i dhuruan botës në atë fond të madhërishëm trashëgimie. Gjuha e të parëve tonë iliro-pellazgë flitej e shkruhej 7000 vjet më parë në këtë gadishull.”

Ndërkaq sytë pleqërishte të audiencës i ngacmon blici i një aparati që po kap në ekran dëshmitë pellazgo- ilire. Është një zonjë e moshuar me krehje të fryrë të verdhë. Pranë saj një burrë elegant, personi më i rëndësishëm në këtë sallë: Mark Dodani (nëpunës karriere në Sigurimin e Shtetit), Kim Philby shqiptar. E këtu, mu si ata pedagogët e rinj ardhur me karta prej Evrope që e drejtojnë auditorin ta konsultojë literaturën në internet, ndërhyn akademiku Doka duke marrë shkas nga zelli i krifës së verdhë: “Të njëjtat ilustrime i gjeni në internet. Historia e vërtetë sot është në internet.”

Qiramarrës të këtij modeli pseudoshkencor bëhen natyrshëm spekulantë të dyfishtë me institucionet tona impotente. Që thirrjet dhe zhurma e tyre të marrë vërtet kuptim kanë nevojë megjithatë për hijen e katedrave dhe poltronëve të lartë, përndryshe kamerat nuk do t’iu vijnë lehtë; koktejli në vend të verës do të ketë thjesht Fanta e çibukë; nuk do të ketë tingëllimën e duhur përshëndetja me vargjet e Nënë Terezës që bën një përfaqësuese e klubit të shkrimtarëve dhe poetëve të diasporës në Amerikë, si falënderimin për sponsorizimin e dy biletave avioni USA-Atdhe nga lobi i biznesmenëve shqiptaroamerikanë që ku i dihet, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, mund ta mbështesin një shtatore të Skënderbeut për një qendër tregtare të Nju Jorkut, po edhe një edhe banket krenar me nobelistë me origjinë shqiptare dhe kandidatët e mundshëm për Nobel pse të mos e mbajnë.   

Skena I

 Me akademikun Bajram Doka  “Nuk rrëzohen menjëherë këto mure” 

Akademik Doka një burrë te të pesëdhjetat, shtatshkurtër, me kostum gri oversize, me një distinktiv flamujsh shqiptaroamerikan në gjoks. Mediat i kërkojnë që për hir të audiencës televizive (ku përfshihen edhe gjuhëtarët me aftësi të kufizuara në shprehjen e mendimit të lirë), të flasë me një gjuhë të thjeshtë, jo dhe aq shkencore.

 Ç’është ky libër që prezantoni sot?

 Ky është materiali që kam dërguar në Gjermani për mbajtje të konferencës së 14-të të epigrafisë botërore dhe këtu janë të gjithë shembujt dhe zbulimet që kam bërë unë për sa i përket epigrafisë. Janë kërkime shumëvjeçare nga ana ime të cilat janë të lidhura me kërkimet mbi 50-vjeçare të akademive botërore të këtyre shkrimeve. Këto mund të quhen me të drejtë monumente të kulturës botërore të epigrafisë për arsye të densitetit të madh pjesëmarrës për të tentuar për të bërë dekodimin e këtyre inskripteve.

Përse e morët përsipër këtë kërkim shumëvjeçar?

 Tani, çdo njeri fillon të krijojë në kohën e lirë e të lidhet pas një hobby.

Unë e pashë veten që ishte një kënaqësi që të merreshe me gjëra që ishin të vështira. Por duke ditur edhe disa gjuhë ndërmjet tyre greqisht, gjermanisht, anglisht, dhe pak edhe këto gjuhët e tjera nga Ballkani, atëherë shikohet që tendencat për të bërë zbërthimin e këtyre inskripteve ishin të shumta dhe kishin ngelur të gjitha tentativa pa rezultat.

Cilat janë zbulimet tuaja?

Janë këto te posteri, i kam dhe në libër. Nuk isha i përgatitur për tematikën e pellazgëve për këtë moment, por kam edhe disa shkrime të tilla të cilat i kam çuar në Departamentin e Historisë pa i emërtuar të kujt kulture janë. Arsyeja? Unë mendoj që nuk mund të rrëzohen menjëherë gjithë këto mure kaq të larta vetëm me një të rënë (me një lëvizje të kokës tregon muret e Akademisë). Fillimisht mendova të bëj zbërthimin e inskripteve. Pastaj hapi i dytë duke kaluar në emërtimin e këtyre kulturave, kujt i përkasin: janë kultura etruske, pellazge, lelege apo ilire.

Çfarë dëshmojnë tekstet që keni studiuar deri tani?

 Neve dimë që jemi pasardhës të ilirëve por për sa i përket Ilirisë ne dimë shumë pak, dimë aq sa kanë thënë të tjerët. Studimet tona në këtë fushë kanë qenë jo të mjaftueshme sidomos për shkrimet ilire ne kemi disa të dhëna më tepër për periudhën së mbas Krishtit. Ndërsa këto janë disa shkrime të periudhës së para Krishtit përpara se perandoria romake të kalonte brigjet e Adriatikut në trojet e Ilirisë e cila në atë kohë tashmë ishte plakur dhe kishte filluar ndarjen e saj në fise siç janë dalmatët, dardanët, ilirët, trakët, dakët, frigjasit etj.. Këto shkrime nuk gjenden në letër, këto shkrime janë të shkruara në monumente.

Transkriptimi i mbishkrimeve etruske a mesape me anë të fjalëve shqipe, ka rezultuar një legjendë. Cilat janë tezat tuaja?

Që ilirët nuk janë një nocion kaq i vogël por kanë qenë një nocion më i madh, me një shtrirje më të madhe dhe me sa kuptoj unë duhet të kenë qenë të ndarë në fise dhe secili fis ka patur gjuhën, dialektin e tij, dialekte që i gjen sot të mishëruara në Shqipëri. Një ndërmjet tyre është shkrimi në monumentin e Midës, mbretit të Frigjës, që tregon se ilirët shkuan në Azinë e Vogël, fillimisht hodhën themelet e Trojës pastaj mbretërinë e Frigjës e kështu me radhë. Dihet nga historia që trojanët pasi humbën luftën me Akilin, kaluan diku në brigjet veriore të Afrikës, nuk qëndruan shumë gjatë atje, u kthyen dhe hodhën gurët e parë të qytetit të Romës.

Duke u nisur nga gjuha ju thoni që ilirët janë krijuesit e këtyre qytetërimeve?

 E vetmja gjë që mund të flasë për ilirët janë shkrimet ilire ato që mendoj unë që deshifrohen me gjuhën shqipe. Inskriptet që mora në analizë janë të padekoduara deri më sot.

Dhe ju i transkriptoni me shqipen e sotme?

 Po derisa zbërthimi i tyre nuk bëhet në asnjë gjuhë tjetër se kanë 50 vjet që merren akademitë e botës.

 Ku e keni mbrojtur titullin shkencor dhe me çfarë teze?

Unë e kam mbrojtur në Akademinë Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork me kërkimet mbi epigrafinë.

Skena II

Mos jeni të Fiksit

Muzafer Korkuti, nënkryetar i Akademisë së Shkencave

 Në paradhomën e sallës shkencore nënkryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti po e hap si erashkë librin “Gjuhët ilire, trake dhe frige” të akademik Bajram Dokës kumtesën e të cilit nuk e ndoqi. Prof. Korkuti ka karrierë 50-vjeçare në arkeologji. Ai është shkencëtar që mbron tezat e prejardhjes së gjuhës dhe popullit shqiptar, teza që u zyrtarizuan me krijimin e Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore në vitet ’80. Më njërën anë këto teza mbajnë njëfarë distance ndaj teorisë për origjinën pellazge, më anën tjetër, akademikë si Korkuti dhe kolegë të disiplinave të tjera nuk kanë dalë kurrë në shtyp të shprehen nisur nga standardi shkencor për të pavërtetat historike dhe nivelin qesharak që gjen në tekstet e historisë të shkollave, apo “zbulimet e mëdha” për dëshmi më të hershme të shqipes së shkruar përpara shek.XIV. Edhe organizatave fantazmë apo akademive me emra bombastikë që iu hyjnë me lekë të dorë në shtëpi dhe u thonë se do t’ua rrëzojnë ato mure të larta, akademikët tanë s’kanë seriozitetin për t’iu përgjigjur. Një pasqyrë dore për shkencën tonë.

 Profesor e keni lexuar këtë libër?

Jo, po vërej që nuk ka asnjë referencë.

Në fjalën e zotit Doka ju ishit një nga autorët që ju citoi me veprën “Parailirët, Ilirët, Arbërit”.

Por nuk shoh asnjë literaturë këtu. Nuk di çfarë ka shfrytëzuar. Ju e keni parasysh se si bëhet një punë diplome? Unë këtu nuk shoh asnjë burim të cituar.

Zotëria paraqet si zbulime të vetat leximin nëpërmjet dialektit pellazg të mbishkrimeve trako-frige.

Ju lutem shumë... (vë buzën në gazë)

Kemi të bëjmë me një sharlatan të shkencës?

 (Gati i kënaqur) Gjetët fjalën e duhur, po ama nuk e thashë unë. Mos jeni të Fiksit?

Përse mbahet në Akademi një takim i tillë?

 Nuk është i Akademisë ky organizim. Akademia jep sallën me qira.

Mund të vijë kushdo si sot? Nuk është anormal ky predikim pseudoshkencor?

 Kështu e kanë këto punë



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama