Lulzim Basha thotë se në politikë ka hyrë i pasur, në mënyrë që të mos e shantazhonte njeri.
Duke folur për emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, ai tha se që pas hyrjes në politikë, gjendja e tij ekonomike është përkeqësuar.
“Ky ishte një parakusht që i kisha vënë vetes para se të angazhohesha në jetën politike aktive…
Me qëllim që të mos jem i varur apo i shantazhueshëm në kuptimin e nevojave ekonomike para se të merrja përsipër përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë.
Po të shikoni deklaratat e mia të pasurisë janë shumë herë më të mira para hyrjes sime në politikë sesa pas hyrjes sime në politikë”, ka thënë Basha.
Basha thotë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë njëlloj qëndrueshmërie ekonomike nisur nga kushtet e Shqipërisë.
“Është fakt që unë dhe bashkëshortja ime kemi siguruar një ekzistencë le të themi jo problematike për kushtet e Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi familjarë, miq, të afërm, të njohur që nuk prekin ditë për ditë probleme të mbijetesës…”, – tha ai.
Ai ka folur edhe për kunatin e vetë të famshëm:
“Akuzat për kunatin janë pjesë e një propagande…
Unë kam përcaktuar diçka në familjen time që asnjë familjar nuk mund dhe nuk do të jetë në konflikt intreesi.
Asnjë familjar i imi nuk ka përfituar asnjë tender publik, as ndihmë sociale madje edhe ata që kanë pasur nevojë sepse kanë qënë disa familjarë të ngushtë të mitë që kanë pasur nevojë për strehim të cilët jo se i ndalonte ligji, por për shkak të detyrës sime i kam detyruar që të mos jenë pjesë e skemës së përfitimit sepse në fund të fundit në ato 200 apartamente që do të shpërndaheshin nuk doja që të përflitej që duhet të ishte patjetër një familjar i imi. Ky është standard që unë kam vendosur…”, tha ai.
Basha foli dhe për marrëdhëniet me Ilir Metën.
“Unë Metën e kam njohur përmes politikës. Nuk është se kam pasur njohje para…”, tha ai.
Por a mund të bashkëpunojë më ai me Ilir Metën?
“PD-ja në drejtimin tim nuk kërkon dhe nuk pranon koalicion as me Edi Ramën dhe as me Ilir Metën.
Ne kërkojmë t’i japim shqiptarëve një alternativë tek e cila të besojmë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, alternativë me elementë të fortë ekonomik dhe politike.
Për këto qëndron PD-ja. Nuk është puna këtu për pazar…”, tha Basha, i cili shtoi se “ta harrojnë se do përqafojmë Edi Ramën apo Ilir Metën”.
Lulzim Basha raportohet se ka një pasur me mbi 1 milionë euro, një shumë jo fort të zakonshme për një vend si Shqipëria.