Lajmi që vjen nga "National Geographic" ka rihapur sërish alarmin për shkrirjen e akujve në Polin e Veriut, duke sjellë kështu një tjetër sinjal shqetësues. "Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që gjithë kësula arktike të shkrihet tërësisht me stinën e nxehtë të verës", thekson një studiues, i cili ndodhet me mision në Antarktidë. Të dhënat e publikuara javën e shkuar nga "National Snow and Ice Data Center" në Kolorado, tregojnë se situata është nën kontroll. Pas rritjes fillestare të sipërfaqes së akullit në krahasim me vitin 2007, këtë vit zvogëlimi i sipërfaqes po ndjek zhvillimin e vitit të kaluar, duke shënuar një ndryshim të mundshëm në shkrirjen e disa zonave të akullit. Në 2007-ën, në fund të stinës së verës, kësula ishte zvogëluar nga 16 milionë kilometra katrorë në muajin mars, në 4.5 kilometra katrorë në fund të korrikut. Një shkrirje rekord si ajo e vitit 2005. Ja një krahasim i thjeshtë: në 1980-ën shkrirja e akujve në Polin e Veriut arriti në 7.8 milionë kilometra katrorë.
Pra, nga viti në vit shkencëtarët vërenin një progres të vazhdueshëm në shkatërrimin e akujve gjatë stinës së verës.
Veç të tjerash, zvogëlimi i vazhdueshëm i sipërfaqes së akujve i shtynte studiuesit ta imagjinonin Polin e Veriut në vitin 2004 tërësisht të lirë nga akujt brenda 2009-ës. Tendenca më e shpejtë e regjistruar që nga ajo kohë, ka bërë që të ndryshojnë shumë mendime dhe parashikime, duke përshpejtuar datën fatale, ku brenda 2015-2030 nuk do të ketë më akuj.
"Duhet pasur parasysh se kësula arktike u nënshtrohet edhe rrymave, e si pasojë edhe spostimeve. Për shembull, vitin e kaluar brigjet siberiane nuk ishin prekur nga akujt. Ndërsa këtë vit, sipas parashikimeve të anijes kanadeze, mund të ndodhë që një masë e konsiderueshme akulli të spostohet, duke e lënë të lirë Polin e Veriut", thekson studiuesi kanadez.
Pavarësisht parashikimeve të studiuesve, kjo mund të favorizohet edhe nga fakti që duke qenë se copat e akullit janë më të buta në krahasim me të kaluarën, mund të shkrihen më shpejt e më lehtë, duke rritur kështu sipërfaqen e ujit. Në disa pika është matur trashësia e një cope akulli të saposhkëputur nga masa e madhe, e cila ishte rreth një metër, ndërkohë që në të kaluarën sipërfaqja e një cope të tillë mund të ishte edhe 10 herë më e madhe.
Si për ta përforcuar edhe më shumë zhvillimin negativ të kësaj ngjarjeje, janë edhe akujt e Groenlandës, që çdo vit kanë erozione. "Zonat polare janë ato më delikate të planetit. Në fakt, në këto zona ndryshimet klimatike, si dhe mbingrohja, parashikojnë një rritje të temperaturave rreth dy gradë e gjysmë për 50 vitet e ardhshme, ndërkohë që në çdo pjesë tjetër të globit, temperatura do të rritet një gradë më shumë gjatë shekullit të ardhshëm. Jo rastësisht në Alaskë, Kanada, Siberi është vënë re përhapja e terrenet të akullt dhe kjo ka provokuar rritjen e dendësisë së ujërave dhe lumenjve që derdhen në dete", përfundon studiuesi.
Parashikimet
Mes viteve 2015-2030 hapësira nga lindja në perëndim do të jetë tërësisht e lirë nga akujt
Temperaturat
Në zonat polare temperaturat do të rriten 2.5 gradë për 50 vitet e ardhshme
Akujt sot
Me të bardhë është sipërfaqja e akujve në oqeanin Arktik në 2007-ën, një e dhënë e vlefshme edhe për këtë vit
Kufiri me vijë të zezë tregon se cila ishte sipërfaqja e tyre nga 1979, deri në vitin 2000
Shkrirja e madhe
Trashësia në metra
1950
100%
Në 1950-ën akulli mbulonte gjithë sipërfaqen Arktike
2000
-20%
Në vitin 2000 akulli filloi të pakësohej, duke humbur një masë voluminoze prej 25%
2050
-54%
Në vitin 2050 është hedhur hipoteza se sipërfaqja e akujve mund të zvogëlohet deri në 54%
Nxehtësi deri në 15%
Më pak akuj, më pak ushqim për arinjtë polarë, numri i të cilëve është ulur deri në 15%, krahasuar me 20 më parë
Pyjet avancojnë
Ngrohja globale po shkrin akujt, duke favorizuar kështu avancimin e pyjeve
Efekti serrë, balenat në rrezik
E ardhmja e balenave po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga mbingrohja globale dhe gjuetia. Alarmi është prezantuar në një konferencë për balenat në Kili. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë 71 vende. Sipas një studimi të kohëve të fundit, brenda 40 viteve sipërfaqja e akujve të Arktikut do të zvogëlohet deri në 30%. "Duke qenë se karkalecat varen nga akujt detarë, pakësimi i tyre do të pasqyrohet kudo". Australia dhe Japonia kanë marrë masa të rrepta për të ndaluar gjuetinë e balenave dhe karkalecave.
Nga Gazeta Shqip