Nëse nuk e keni harruar ende dashurinë e parë, mund ta kërkoni në "Facebook". Elise Garber betohet se nuk e bëri me qëllim: duke qenë se punon gjatë gjithë kohës me kompjuter, po i tregonte një kolegut të saj vetitë e rrjetit social. Emri i parë që i erdhi ndërmend ishte ai i të dashurit të parë, të cilit i kishte dhënë edhe një puthje. Fatkeqi iu përgjigj. Kështu Elisa Garber dhe Robin Harlan, nga një "çat" virtual, në një takim real, e gjetën veten burrë e grua, njëzetedy vjet më vonë.
Çmenduria e fundit e internetit quhet "retrosexual". Sapo revista e përjavshme "Time" ka botuar një artikull për këtë fenomen në internet, kanë filluar poteret.
Duke qenë se rrjeti është cilësuar "pa kufij", zhvillimi i fenomenit "retrosexual" ka bërë që faqja më e klikuar e internetit "Facebook" të bllokohej. Ky ishte një fenomen më vete. Me 340 milionë vizitorë, "Facebook"-u është tashmë një "superkomb". Përveç shtimit të numrit të anëtarëve, po rritet edhe mosha e tyre. Dikur numri i të rinjve që klikonin në faqen e "Facebook"-ut ishte jashtëzakonisht i lartë, ndërkohë që sot është shndërruar në një "klub" ku gjenden edhe breza më të rritur. Në mars të këtij viti, përdoruesit me moshë nga 26 deri në 44 vjeç, kanë qenë më të shumtë në numër se ata nga 18-25 vjeç. Gjithashtu, duhet të dini se nëse jeni pjesë e "Facebook"-ut, një nga tre miqtë tuaj është mbi 35 vjeç. Pra, pikërisht mosha ku është fokusuar edhe përcaktimi i fenomenit "retrosexual".
Termin e ka shpikur "Boston Phoenix" dhe prej këtu ka nisur edhe kërkimi i "dashurisë që i përket të kaluarës". Ç‘është bërë me vajzën që i kam dhënë puthjen e parë? Ose e dashura që zura gjatë pushimeve verore? Ku mund të jetë tani djali që njoha në kamping? Ja ku filloi përsëri loja e "Sliding Doors": sa herë e kemi pyetur veten se si do të ishte jeta jonë "nëse"...
"Pikërisht kjo kureshtje është arsyeja që na bën të kërkojmë në ‘Facebook‘", shpjegon W. Keith Campbell nga Universiteti i Gjeorgjisë, i cili ka shkruar një libër të titulluar "Narcisizmi epidemik". Kelly Katrina Hildebrandt i dërgoi një mesazh në "Facebook" Kelly Carl Hildebrandt duke i bërë të ditur (mos qeshni kur ta lexoni) se kishin të njëjtin emër. Pas këtij mesazhi çifti përfundoi në altar.
Ju duket çmenduri? Sigurisht që ky është një rast i veçantë, por në kërkimin e dashurisë së vjetër ka ende iluzion për romancë, ose dëshirë për aventurë, si ajo që e shtyu Jillian Stein, 30 vjeç, i cili punonte në një kinema të Los Anxhelos, të "zhytej" në një fundjavë të qetë takimesh në Florida. Ai kishte planifikuar të bënte "një turne" takimesh me ish të dashurat e tij, që i kishte rigjetur në "Facebook". Sa për t‘iu bërë me dije: me të dashurën e parë që tashmë ishte martuar, u puth e u përqafua, me të dytën u ledhatua dhe me të tretën shkoi në shtrat. Këndshëm, apo jo? Por mos krijoni iluzione të kota, sepse jo gjithmonë gjërat përfundojnë kaq mirë. Dje për shembull, një "bloger" nga Çikagoja, e pasionuar pas filmave vizatimorë japonezë, thoshte me keqardhje: "Retrosexual, dashuritë e ricikluara. Ah sa keq! Dashuritë e mia të vjetra as që e përdorin kompjuterin...
Gazeta Shqip