Sipas psikologes amerikane, "Deja vu"-ja është shembulli klasik i kujtesës që nxit kujtimet, por nuk i lidh ato me njëra-tjetrën. "Një situatë e zakonshme të duket shumë familjare, por nuk arrin të identifikosh arsyen e këtij familjariteti. Dhe nuk është një rastësi që këto fenomene të shfaqen më tepër te personat që udhëtojnë shpesh, të cilët kujtojnë me saktësi ëndrrat e tyre, ose shohin shumë filma". Fakti që fëmijët e vegjël deri në moshën 10-vjeçare nuk kanë pasur eksperienca, kjo tregon se duhet një tru mjaft i zhvilluar për të provuar atë që Shën Agustini e quante: "një kurth i djallit". Studimet e psikologes konfirmuan atë që neuroshkenca e kujtimeve kishte vërejtur prej kohësh: ngjarjet që na ndodhin çdo ditë copëtohen nga truri (tingujt nga njëra anë, ndërsa aromat dhe ngjyrat nga tjetra) dhe ruhen në formën e kujtimeve në hapësirat e ndryshme të mendjes sonë. Shkëndija e "Deja vu"-së ndizet pikërisht në momentin kur një eksperiencë e së tashmes koincidon me një nga teserat që përbëjnë grumbullin e kujtimeve të së shkuarës. Mjafton një element i kapur nga kujtesa për të rikujtuar gjithë skenën, duke sjellë kështu ndjesinë tipike të "Deja vu"-së. Ja se si një kujtim bëhet fotografi aktuale.
Kjo teori arrin të shpjegojë edhe një fenomen që vitin e kaluar i kishte lënë pa fjalë studiuesit. Një shkencëtar i Universitetit të Lidsit, një nga ekspertët më të mëdhenj të kësaj "kokrrize rëre" që përfundon në mekanizmat e kujtesës, kishte përshkruar në revistën "Brain and Cognition" rastin e një të verbri të mësuar me "Deja vu"-në. Ndjesia krijohej kur burri dëgjonte zhurmën e një zinxhiri që zbërthehej. Ai dëgjonte një lloj tingulli muzikor, ose perceptonte fragmente bisedash mbi një temë të caktuar. Për t‘i bërë ballë paparashikueshmërisë së kësaj ndjesie, që i dukej sikur e kishte jetuar edhe më parë këtë moment (e pamundur ta krijosh me komandë në laborator), në Universitetin e Lidsit tentuan ta provonin me hipnozën, por "ajo" ishte zhdukur, për t‘u kthyer në harresë.
Intervista
Biologu: Ne dhe realiteti ynë i sajuar
"Ne mendojmë se shohim realitetin, por mendimi ynë nuk bën gjë tjetër veçse materializon asgjënë. Nuk duhet të mrekullohemi nëse ndonjëherë shfaqet një hap i rremë", si në rastin e "Deja vu"-së, thotë shkrimtari e profesori i biologjisë dhe gjenetikës.
"Deja vu"-ja lind nga një eksperiencë konkrete. Pse thoni se vjen nga asgjëja?
Që lind nga një eksperiencë konkrete, është ajo që besojmë ne. Në të vërtetë nuk dimë shumë mbi domethënien e fjalëve "kuptoj" e "kujtoj". Para se të kërkojmë shkaqet e "Deja vu"-së, duhet të studiojmë me kujdes si funksionon truri ynë; si të veprojmë sipas parimit të shoqërimit të mendimeve, pa të cilin nuk mendohet e nuk njihet asgjë. "Deja vu"-ja është një dritare për të zbuluar fenomene të panjohura. Mendoj se është një eksperiencë, rëndësia e së cilës është mbivlerësuar shumë.
Ju e keni provuar ndonjëherë ketë ndjesi?
Jo, dhe besoj se gjithë kjo varet nga hipnotizimi. Mesa duket bëhet fjalë për një mekanizëm filozofik të kujtesës, rëndësia e së cilës është zmadhuar. Por, kjo nuk do të thotë se duhet t‘i futemi punës kokë e këmbë për të kuptuar më mirë se cilat janë mekanizmat e nëntëshëm të aftësive të trurit për të perceptuar realitetin dhe për ta fiksuar.
Mendja e njeriut është cilësuar si misteri më i madh i universit...
Duhet ta pohojmë se realitetin e kemi shpikur nga asgjëja. Ky proces nuk ndodh rastësisht. Ashtu siç theksonte Kant, ekzistojnë disa kritere të sakta që mendja jonë i përdor për të krijuar një ide mbi realitetin. Truri i njeriut është ende i mbushur me mistere, por natyrisht nuk bëhet fjalë për një organ që vepron në bazë të ligjeve anarkike. Ndoshta sajon realitetin, por nuk e bën në atë mënyrë, që pak a shumë të gjithë të jenë dakord.
Gazeta: Shqip