Në fakt, libri në shqip dhe në anglisht, jo se më habiti e më la pa mend, për sa i takon informacionit që sillte. Ata katër gjahtarë me qentë e tyre dhe dreri që vrapon, e quajtur ndryshe "Piktura e Trenit", është kaq shumë e njohur për mua dhe të tjerët, qysh nga bankat e shkollës. Por këtë "epos" ekzistencial të parashqiptarëve, të hedhur në një rrafsh shkëmbor, vertikalisht, nga duart e të parit piktor të periudhës së neolitit këtu e 3600 vjet më parë, aty, në shkëmbin e Spilesë, buzë gjirit të ngushtë që formon liqenin e Prespës së Vogël, e ka zbuluar dhe interpretuar i pari bash Muzaferi. Dhe argumentet e tij shkencore, qasjet me simotrat e kësaj pikture neolitike filluar nga Lipci në Malin e Zi, Valcamonica (Brescia) në Itali, pikturat prehistorike të Comunes (Itali) e gjer tek ato në Gortalovo, Qarku i Plevenit (Bullgari), sjellin në dijen tonë pohimin tashmë të pakundërshtueshëm dhe të pakapërcyeshëm se "Piktura e Trenit" është e vetmja dhe më e hershmja e kësaj tipologjie në Ballkan, prandaj edhe një tempull sublim i parahistorisë së shqiptarëve, ngulur në këto vise dhjetëra mijëra vjet më parë, atëbotë kur njerëzimi porsa bulbonte si vetëdije e sublimuar në kontinentin plak. Me kujdes, ballafaqime faktesh, stilemash, paradigmash, si dhe një logjikë shkencore që s‘lë diskutim studiuesi hedh poshtë edhe ndonjë tezë të përndarë tej e tëhu në ajrinë e spekulimeve shkencore mbi kinse datimin e saj në periudhën e mesjetës, mbase (mos qoftë kështu!) për ta rrëzuar këtë katedrale lavdie të kulturës së hershme të shqiptarëve, këtë kështjellë të ngulmimeve të tyre në trojet ku Zoti i pat hedhur në fillesë...
Polemika, paçka se brenda një takti dhe etike që respekton tjetrin shtrihet edhe në riinterpretimin e pikturës shkëmbore të Rubikut, duke e korrigjuar përfundimin e dikurshëm të akademikut Dhimitër Shuteriqit se ajo ishte një paraqitje simbolike e luftës fetare midis Perëndimit dhe Lindjes gjatë Mesjetës. Faktologjia e fundme (2006-2007) dhe qasja e saj me pikturat murore të Bovillës në afërsi të Tiranës dhe të Vlashnjës në afërsi të Prizrenit, e çojnë studiuesin pashmangshmërisht drejt epokave të moçme. Arti prehistorik i bërë në formën e shkrimeve piktografike, veç hershmërisë së ngulmimeve preilire dhe ilire, sjell shansin e kuptimit të filozofisë së jetës së atëhershme të stërgjyshërve tanë, filozofi që shfaqet falë mitologjisë, besimeve dhe sugjestionit ezoterik, riteve magjike, religjioneve politeiste pagane, apo kodeve të komunikimit për mbrothësi në jetë, begati e bollëk, posaçërisht në gjueti. Figurat antropomorfe që sundojnë në këto piktura shkëmbore, tok me ato zoomorfe, pleksen çuditërisht me simbole të cilat të dyzojnë, ndaj dhe nguron të vraposh drejt e në përshpjegime kategorike, të "padiskutueshme", rreth vërtetësisë dhe autenticitetit të tyre. Gjithsesi, vizatimi i kafshëve (drerit për shembull) ishte, veç të tjerave, një lloj magjie homeopatike me anë të së cilës njerëzit e asaj kohe realizonin saora ndikimin mbi vetë gjuhën dhe komunikimin. Më tutje, kjo lidhet me ritet dhe ritualet. S‘duhet anashkaluar procesi i krijimit të kulteve, na thotë autori, posaçërisht ai i Diellit si jetëdhënës. Linjat e kursyera të pikturave shkëmbore, sidomos pikat mes tyre, merren sipas Korkutit edhe si shenja të këtij "Dielli", pra si burim jete dhe energjie, si fuqi nuzmatike, më tutje si shenja të dallimit gjinor, të riprodhimit seksual etj. Ky polisemantizëm e detyron mendjen e studiuesit të bëjë ekskursione të shpejta sa në histori, sa në filozofi, sa në teologji, veç duke mbetur, më në fund, besnik i arkeologjisë ku ka edhe shpirtin, sikundër marrjes parasysh të hipotezave (pandehmave) që vijnë nga integralet e hequra prej studiuesve të tjerë bashkëkohës të fushës (në botë), të cilëve ai u është referuar. Kështu ka bërë, bie fjala, për afritë që hasen midis pikturës shkëmbore neolitike të Lepenicës (18 figurave antropomorfe dhe 8 figurave të çrregullta gjeometrike) dhe asaj të "Slijebit" afër Vishegradit në Bosnjë apo figurës antropomorfe të "Verdi Rock" (Valcamonica).
Nga shtatë vizatimet shkëmbore që Korkuti sjell në librin e vet, ato të Trenit dhe të Lipcit janë dëshmi e popullsisë autoktone ilire, ndërsa pesë të tjerat (Bovilla, Rubiku, Vlashnja, Reçi e Xibri), sipas tij, mbeten një problem i pazgjidhur ende për sa i përket përcaktimit të bartësve të tyre, si dhe një datimi më të qartë. Rrjedhimisht, para studimeve tona ka një truall ku duhet ngulmuar, hulumtuar më tej dhe deduktuar. Me gjasë na duhet të përkëdhelemi nga pohimi i Korkutit se ato janë "vepër e popullsisë paleoilire, protoilire ose e një substrati etnokulturor më të hershëm, të po atij territori, kur në epokën historike jetonin ilirët e jugut".
T‘i japësh "gjuhë" ndoca pikturave gurore që heshtin me kryeneçësi në zgafellet dhe shpellat e Shqipërisë, të sjellësh sosh një kumt mbijetese e vazhdimësie për trojet e të parëve tanë, pse jo edhe një flakëz krenarie se qenkemi po ajo rrjedhë prej po atij populli të lashtë, ilirëve e protoilirëve, vijmë prej një kohe ku mugujt e epokave na dëftojnë epërsi e na japin më shumë kuptim - kjo është vërtet diçka e bukur dhe e lavdërueshme. Ca më fort e bukur dhe e lavdërueshme është kur kemi parasysh se libri i drejtohet edhe auditorit të huaj shkencor. Bash një të tillë punë (jo thjesht njohëse) shkencat tona albanologjike duhet ta bëjnë edhe më me pasion, dije, ngulm e cilësi shkencore nesër. Autori, miku im i nderuar, ka shkuar mes një kalvari mbi 40 vjeçar përsiatjesh, meditimesh dhe shqyrtimesh shkencore dhe na ka sjellë, me një gjuhë të thjeshtë dhe në mënyrë lakonike, konkluzionet e një pune që mosha dhe eksperienca i bëka ca më të praruara. Profesori i njohur i arkeologjisë shqiptare, Muzafer Korkuti, është një emër që duket se s‘dëshiron t‘ua lëshojë të tjerëve frerin e kalit të azdisur që ia paska hipur herit; kalë që s‘quhet me tamam "Pegaso", por që është, megjithatë, një sivëlla i tij dhe që ne e thërrisnim thjesht: Arti prehistorik shqiptar.
Nga Gazeta Shqip