Ne shtator AH1N1 edhe ne Shqiperi

Në shtator, AH1N1 edhe në Shqipëri
Dy ditë më parë, pas publikimit të këtij lajmi, task-forca, grup i cili është ngritur për të vlerësuar situatën, për të rritur vigjilencën dhe njëkohësisht për të marrë vendime të mëdha, ka diskutuar edhe njëherë për planin e punës në radhët e sistemit shëndetësor shqiptar.

Një ditë pas shpalljes së situatës pandemike nga virusi H1N1 nga OBSH, edhe Shqipëria ka mbledhur komisionin e pandemisë, për të vlerësuar situatën e për të marrë masat e nevojshme. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë se do të rritet vigjilenca ndaj rasteve që mund të dyshohen, por nuk do të ketë izolim të njerëzve jashtë vendit, apo hyrje të shtetasve në Shqipëri.

"Aktualisht, në Shqipëri s‘kemi asnjë rast të konfirmuar, thjesht vazhdojmë të rrisim vigjilencën dhe përgatitshmërinë e sistemit. Në momentin që do kemi raste të konfirmuara, do fillojmë gradualisht të zhvendosim burimet nga kapja e hershme, nga kufijtë drejt kurimit të rasteve", sqaroi dje Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik. Përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tonë, Anshu Banerje, deklaroi dje se Shqipëria nuk ka shënuar asnjë rast me virusin H1N1, por vendi duhet të përgatitet për çdo situatë, në veçanti kur është koha e ardhjes së turistëve. Sipas Banerje, masat e marra janë më të mirat dhe ndërkohë monitorimi do të vazhdojë. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast se kanë simptoma të gripit të zakonshëm, duhet të drejtohen në qendrat shëndetësore.

Sipas specialistëve, OBSH ka deklaruar se përhapja e virusit H1N1 është e moderuar, situata nuk ka ndryshuar. Aktualisht janë të prekura rreth 74 vende.  Masat mbrojtëse, informacioni paraprak, fletëpalosjet informative dhe pajisjet e nevojshme për rastet e emergjencës janë shpërndarë në rrethet kryesore të vendit, pranë spitaleve qendrore apo drejtorive të shëndetit publik. Ndërkohë që, sipas Institutit të Shëndetit Publik, vaksina për gripin e derrit A(H1N1) pritet të dalë në qarkullim si prodhim i firmave më të njohura farmaceutike, vetëm në muajin shtator.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se tashmë janë shpërndarë në rrethet kryesore të vendit, drejtoritë e shëndetit publik, spitale, qendra shëndetësore, materialet për përballimin e rasteve emergjente, pajisjet, mjetet dhe gjithë informacioni përkatës.  Mjekëve dhe personelit shëndetësor i është paraqitur e gjithë tabloja e informacioneve për gripin e derrit, simptomat, dhënia e ndihmës së parë, informimi, përpunimi i të dhënave dhe dërgimi i informacionit pranë strukturave përkatëse.

Simptomat e gripit të derrit janë të ngjashme me atë të gripit normal. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, virusi AH1N1 nuk transmetohet nga konsumimi i mishit të derrit. Transmetimi i gripit bëhet njësoj siç ndodh edhe me gripin e zakonshëm.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama