Një nga novelat e Cvajgut, titulli i së cilës në shqip është përkthyer “Bukinisti Mendel”, tregon historinë e shitësit të librave antikë që kalonte ditët në ‘Café Gluck’ në Vjenë, në vitet para Luftës së Parë Botërore, fillimin e së cilës ai, i zhytur gjithmonë në lexime, as e mori vesh. Nuk do vazhdojmë me historinë tragjike të Jakob Mendel, sepse kemi historinë e Mehmet Gëzhillit, ose më mirë historinë e një shtëpie librash të vjetër që ai dëshiron të krijojë në Tiranë. E ka nisur me një stendë në Panairin e 15-të të Librit, e para e këtij lloji në këtë një dekadë e gjysmë traditë. Një stendë e pagëzuar me emrin e një krijese të palindur ende: “Shtëpia e Bukinistit”. Dhe Gëzhilli nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kjo ide, një shtëpi, një librari, quheni si të doni, një vend ku blihen e shiten libra, të përdorur, të vjetër, të çdo fushe, të çdo gjuhe, të çdo periudhe, si ato libraritë e librave të harruar në romanet e Carlos Ruiz Zafon, por jo të fshehur, as sekrete.
“Qëllimi i një shtëpie bukinisti nuk është vetëm të shesë, por edhe të blejë libra të vjetër, sepse vetëm kështu mund të furnizohesh vazhdimisht me libra. Ka njerëz të moshuar, pensionistë që e kanë lexuar shumë herë një libër, apo të tjerë që nuk kanë hapësirë në shtëpi, sepse vijmë të gjithë nga shtëpitë me një dhomë e kuzhinë, e sa ta hedhin librin, më mirë ta shesin, për të nxjerrë qoftë edhe diçka të vogël prej tij dhe pse jo, për të ndihmuar dikë për të cilin ai libër nuk ka të paguar, sepse ka dhe libra që nuk janë botuar më dhe ekzistojnë vetëm në bibliotekat e familjeve”.
Që ditën e parë të Panairit, këta kërkues librash të rrallë u paraqitën para kësaj stende.
“Erdhi një djalë nga Tuzi, që kish bërë gjithë atë rrugë nga Mali i Zi në Tiranë, për të kërkuar dy libra për bimësinë shqiptare, një fushë ku ishte i interesuar dhe i gjeti tek unë”, – tregon Mehmeti. Në stendën e tij nuk mungojnë librat e rrallë, as ata të vjetrit me kapakë prej cohe të ngrënë e me faqe të zverdhura, me shkronja latine, cirilike apo hieroglifë…
“Në këtë stendë ka libra që nga fillimi i shekullit të kaluar, ka libra në shumë gjuhë, deri dhe në kinezçe, që unë i kam grumbulluar në vite. Unë gjithë jetën jam marrë me libra. E kisha si zakon, duke qenë se librat në atë kohë as nuk kushtonin shumë të blija dy-tri kopje. Dhe vazhdoj edhe sot të ble te shitësit në rrugë me duzina, i marr t’i kem, librat nuk janë domate që të prishen, aq sa ata më njohin tani e gëzojnë kur kaloj andej”.
Por kjo mënyrë shitjeje nuk është zgjidhje për Gëzhillin, të diplomuarin për Gjuhë-Letërsi, që gjithë jetën e ka kaluar pranë librave. “Nuk mund të rrinë Naim Frashëri, Shekspiri, Dante Aligeri, të shtrirë në baltë”, – thotë ai.
Zgjidhja? “Një vend, ku libri të ketë vendin që meriton”, që për nga pamja ngjan me libraritë klasike, por jo për nga mosha e librave që mbushin raftet dhe as për nga shkëlqimi i kopertinave, të cilat vjetërsia i ka bërë ose më të brishta, ose edhe më pompoze e hijerënda.
Edhe çmimet e këtyre librave ndryshojnë nga ato të librarive klasike, sepse vendosja e çmimit nuk është më një proces i marketingut të produktit libër, por një vendim dashamirës. “Vendosim një çmim të logjikshëm për vlerën që ka libri. Me një libër mund të humbas diçka, me një tjetër të fitoj, nuk është ky qëllimi kryesor”.
Qëllimi është për të mos e humbur fillin e një lexuesi fanatik me një libër domethënës, apo për t’i ardhur në ndihmë një studiuesi dhe kënaqësinë e kësaj Mehmet Gëzhilli e ka ndjerë gjatë gjithë këtyre viteve kur ai e ka zhvilluar individualisht, jo në formën e një biznesi, pasionin e koleksionimit të librave të vjetër, si për shembull, një studiues amerikan që ia gjeti librin mbi Lindjen e Mesme të Enver Hoxhës që ai kërkonte, dhe në anglisht madje, e shumë të tjerë, që në kërkimin diogjenian të një titulli kanë dëgjuar edhe emrin e koleksionuesit Mehmet Gëzhilli, i cili pikërisht për këtë është kthyer në personazh gjëegjëzash mes miqve të librit edhe jashtë Shqipërisë. “Kush është ai që vjen me pesë kuti librash e ikën me dhjetë?” – thanë herën e fundit në Panairin e Tetovës dhe përgjigjja e saktë ishte, Mehmet Gëzhilli.
Në të vërtetë, Gëzhilli në panaire librash, përfshi edhe këtë në Tiranë, merr pjesë edhe si botues. Sepse ai ka shtëpinë botuese “ARGETA-LMG”, me të cilën synon të sjellë kryevepra botërore, por edhe autorë të mëdhenj shqiptarë. Është kjo shtëpi botuese që ka botuar, sa për të përmendur një, “Epin e Gilgameshit”, veprën e stërlashtë të Mesopotamisë. “E nisa me një librari dhe një shtypshkronjë në vitin 1992. Por më pas nuk ishte e lehtë të mbaja librari. Kam vazhduar me shtëpinë botuese, me të cilën jam përpjekur të sjell vepra cilësore”.
Por ndërkohë nuk e ka braktisur dëshirën e librarisë, madje ka një dëshirë të re fare për ta hapur një me libra të vjetër. Iu ngulit në kokë ideja gjatë një vizite në mars në Lajpcig, po për një panair ku qarkullonte si aforizëm shprehja “një qytet nuk mund të kuptohet pa një shtëpi bukinisti”. “E aq më pak një kryeqytet. Ne nuk e kemi dhe është për të ardhur keq. Ndërkohë që kjo ka ekzistuar si traditë. Shkodra, Korça, Ulqini, qytete të mëdha me lëvizje dhe të hapura me jashtë kanë pasur bukinistë”.
Ndoshta Tirana do ketë një shtëpi bukinisti një ditë, si gjithë qytetet e mëdha. Për të marrë një shije, tani për tani, është një stendë në Panairin e Librit.