Balerin, aktor e së fundi edhe shkrimtar. Madje, jo dosido, por me dhjetëra mijëra kopje të shitura e, qershia mbi tortë, një çmim i rëndësishëm letrar italian, "Elsa Morante", për gjininë e të rinjve.Nuk ndalet Kledi Kadiu, i cili, për më shumë, di të përdorë prezencën që i lejon media për t\'u dhënë zë shqetësimeve të emigrantëve.
Në këtë intervistë të botuar njëkohësisht në italisht në Metropoli të "La Repubblica"-s dhe në "Bota shqiptare", gazeta e shqiptarëve në Itali, Kadiu flet si një ambasador i vërtetë i tërë të huajve në Itali
Të jesh klandestin do të përbëjë vepër penale. Ç\'mendim ke?
Mendoj se është budallallëk, sepse edhe klandestinët janë para së gjithash persona dhe u duhet lejuar ruajtja e dinjitetit. Fakti i të mos qenit në rregull me dokumentet e qëndrimit, nuk e kthen një njeri në keqbërës.
Edhe unë kam ardhur në Itali në rrugë të paligjshme. Pas pak u ktheva në Shqipëri për t\'u rikthyer këtu me vizë për studime. Fillova të punoja e kështu mora dokumente qëndrimi.
Si e sheh ashpërsimin e normave mbi emigracionin?
Jam dakord me testin e gjuhës italiane, është e drejtë që kush dëshiron të jetojë e të punojë në një vend tjetër të njohë gjuhën.
Ndërsa më duken shumë të rënda pengesat e ngritura për bashkimet familjare, martesat dhe ideja e patrullimeve (ronde). Gjëra të tilla u fryjnë flakëve të dhunës dhe urrejtjes mes personave.
Nuk arrij të kuptoj përse emigranti, edhe kur është i rregullt, duhet të nëpërkëmbet e të poshtërohet rregullisht. Më pranon në këtë vend, por nuk më jep barazinë me italianët. Mos vlej më pak?
Është personi që bën diçka dhe jo pasaporta e tij. Ligji duhet të jetë i ashpër me ata që përdhunojnë e vrasin, por në këtë nuk hyn aspak prejardhja. Sot emigrant do të thotë frikë, rrezik publik.
Nuk arrin të mbarosh fjalinë "jam rumun", "jam maroken", dhe të përplasen dyert në fytyrë.
Ky dallim vërehet edhe mes fëmijëve dhe kjo është një gjë shumë e rëndë. Për këtë situatë kanë përgjegjësi edhe mediat, që ushqejnë njerëzit vetëm me lajme negative, në të cilat sa më shumë të citosh shqiptarë e afrikanë, aq më shumë bujë bëjnë.
Kohët e fundit duket se është rënduar klima e intolerancës...
Populli italian në vetvete nuk është racist. Fajin për këtë atmosferë e ka injoranca e atyre që kanë pushtetin dhe propozojnë ligje të caktuara. Ka dy-tre të çmendur që kanë komandën në dorë e dalin me ide që nuk qëndrojnë as në qiell e as në tokë, si për shembull, ideja e rezervimit të vagonëve të metropolitanës vetëm për milanezë. Duket sikur jemi kthyer në kohët e aparteidit.
Shumë gjyshër të bashkëmoshatarëve të mi italianë kanë emigruar në Amerikë dhe e di që atje nuk e kanë pasur të lehtë. Historia nuk duhet të përsëritet, duhet reflektuar e ndryshuar. Nga një anë flitet shumë për integrim, për Bashkim Europian, për kufij të hapur e, nga ana tjetër, jemi dëshmitarë ligësish e absurditetesh.
Udhëtimi yt i parë për në Itali u ngjan atyre të afrikanëve sot. Ç\'mendon për dramën e tyre?
Kam përjetuar një eksperiencë të ngjashme, arrij të vihem në vendin e tyre, por situata kaq të dhimbshme nuk mund të shpjegohen me fjalë. Këta njerëz vënë në rrezik jetën e vet e kjo nuk kuptohet deri në fund nga të tjerët.
Nuk them që u duhet dhënë të gjithëve pa dallim një mundësi, por duhet gjykuar pasi këta njerëz të njihen e kuptohen, sepse çdo person është ndryshe, e ka një histori ndryshe pas krahëve, që duhet konsideruar.
Të konsideron ende ndokush emigrant?
Mund të jesh me ngjyrë, shqiptar, rumun, por kur ke sukses për njerëzit nuk je më emigrant. Sot asnjë nuk më kujton me të keq origjinën time, por nuk është e drejtë që të jetë suksesi që ta sjellë këtë.
Një njeri i mirë, edhe pse jo i famshëm, meriton të njëjtin respekt, pavarësisht nga kombësia e tij. Kurioziteti për të njohur tjetrin është një akt që flet shumë për kulturën e një populli. Por këtu nuk e shoh këtë kuriozitet, mbretërojnë thashethemet. Ka një mentalitet të mbyllur dhe mungon kultura e përgjithshme: dikush më tha që kryeqyteti i Rumanisë është Sofia!!!
Ke pasaportën italiane?
Po, prej një viti, por nuk dua t\'ia di për shtetësinë italiane, jam krenar që jam shqiptar. E kërkova shtetësinë vetëm për të qenë më i lirë për të lëvizur e për t\'iu shmangur formaliteteve burokratike poshtëruese që duhen bërë për dokumentet. Kur je jokomunitar, në skanerët e aeroporteve, bashkë me valixhet, kalon edhe shpirti yt.
Italia dhe Shqipëria...
Shqipëria është atdheu im, herë pas here kthehem. Ndihem, para së gjithash, shqiptar, por e gjithë jeta ime, puna, miqtë, janë këtu. Tani jam beqar, është e vështirë të gjesh një person që arrin të bashkëjetojë me zanatin tim. Shtëpia ime është Italia, dhe më ka dhënë shumë.
Një rrugë e gjitha në të përpjetë e jotja?
Në Shqipëri shteti i jepte përparësi atij që dëshironte t\'i dedikohej sportit apo artit. Mund të kultivonim një disiplinë falas me mësuesit më të mirë, por duhet të jepnim maksimumin. Formimi i shkëlqyer që kisha mbi shpatulla, bashkë me këmbënguljen, disiplinën dhe talentin, më hapën dyert.
Asgjë nuk është e pamundur, por mbi skenë duhet të tregosh aftësinë që ke, nuk mund të jetosh me fjalë e letrat e diplomave. Për mua vallëzimi është sakrificë, heqje dorë nga të tjera gjëra, por, mbi të gjitha, është pasion.