***
Neimi, njëri prej peshkatarëve të Skelës është “bashkëpunues”. Të rrëfen haptaz se si punojnë, çfarë kapin ku e shesin dhe përse kanë mbetur kaq pak sa janë sot. “Jo çdo ditë kap peshk dhe kur kam fatin të kap, nuk i kaloj 3 kilogramë”, tregon Neim Aruni, një burrë rreth të 50-dhjetave por që flokët i ka të zeza e trupin e fortë të një peshkatari. Për të kanë ikur ditët e bukura kur peshkatarët kishin ç’të zinin. “Po si mund të jesh gjithë jetën peshkatar kur je në mëshirë të fatit, do ketë apo nuk do ketë peshk. E shikon që këtu në Skelë kanë mbetur ata më të duruarit, se të tjerët nuk vijnë më”, shprehet Neimi, a thua se durimi nuk duhet të jetë virtyt i një peshkatari.
Këta peshkatarë e kanë humbur durimi që kur peshkarexhat u rrëmbejnë turmat e mëdha të peshqëve që afrohen drejt brigjeve. “Me kaq pak para sa nxjerrim edhe të regjistrosh mjetin tënd ligjërisht është e pamundur, se duhet të paguash 7 mijë lekë në vit”, të bën mirë llogaritë Neimi, i cili është zemërgjërë e të ofron për të pirë.
Varka e tij, gati 5 metra e gjatë, qëndron çdo natë në afërsi të Skelës, mirëpo deti e ka vjetëruar tejmase. “Eshtë kauçuk, jo dru, por do një dorë të mirë boje. Duhet të rregulloj pak edhe rrjetat se më janë vjetëruar”, rrëfen Neimi dhe kur vjen fjala për mënyrën se si peshkon, të tregon me hollësi gjithçka. “Secili nga ne ka një vend të caktuar ku i hedh rrjetat. I hedhim natën dhe i shënojmë me ndonjë gjë që pluskon mbi ujë që të mos i humbasim. Sipas fuqisë sonë ne hedhim rrjeta, unë e kam 1 metër e gjysmë të gjatë. Në mëngjës i mbledhim. Por periudha më e mirë është kur peshku lëshon vezët, sepse vjen drejt bregut, ku ne jemi”. Por Neim peshkatari, që më shumë i pëlqen ta thërrasin Neim detari, tregon se ka kapur njëherë edhe një peshk lic, 13 kilogramë të madh. “Një lic 13 kile ka qenë peshku më i madh që kam kapur. Ai zakonisht ushqehet duke ngrënë peshk qerthull. Lici, që është i gjatë dhe i bardhë qëndron shumë lart detit, gati në sipërfaqe dhe duke iu turrur atë ditë qerthullit qëndroi shumë poshtë dhe ra në rrjetën time”, rrëfen aventurën e tij të para një viti Neimi. Dhe në aventurë shohim edhe Tomin, një peshkatar që peshkun e gjuan me pushkë deti, por që nuk na afrohet. Tomi është një lloj “peshku” grabitqar që zhytet e që ndjek ndonjë peshk më të vogël se trupi i tij, për ta gjuajtur mbi shpinë e për ta tërhequr me litarin që ka pushka e detit.“Me siguri do jetë mërzitur se nuk ka zënë gjë sot”, e justifikon shokun e tij Neimi. “Eshtë pasion dhe kur nuk kap gjë nuk është vetëm çështje lekësh por edhe mërzitjeje”, komenton Neim detari.
DETI I PASIONIT
Ishte fare i vogël kur gjyshi i tij, Saliu, punonte në det duke tranportuar mallëra në anijet që shkonin nga Italia në ish-Jugosllavi. Ndërsa vetë Neimi, përpos trashëgimisë gjenetike nisi të punojë në det në Ndërmarrjen e Portit të Ri në një anije polumbarësh të rëndë si motorrist. Kjo anije, rreth 25 metra e gjatë funksionoi ngaviti 1978 e deri në vitin 1992. Gjatë 14 viteve Neim Aruni e mori profesionin duke hedhur një grep këtu e një grep atje. Kapte peshk, por sa për veten. Pas 1992, vit kur nisi eksodi i shqiptarëve në Itali dhe kur anija e Neimit u përmbys, Neimi filloi të merrej me naftën në zonën e Gorishtit, por pasionin e tij nuk e la, duke iu rikthyer detit me një varkë të vogël. “Eshtë pasion, shlodhje, sport për mua. E dua këtë det”, të thotë, por kur e pyet se a e ka frikë detin pohon me kokë. “Kush thotë se deti nuk është i frikshëm, nuk e njeh detin dhe kush e njeh detin patjetër që do thotë se është i frikshëm. Para disa vitesh, kur kisha një varkë me motorr kam shpëtuar shumë djem që merrnin guximin e shkonin larg bregut. Por është e vërtetë se detin duhet ta marrësh me guxim”, tregon peshkatari. Sipas Neimit me guxim e durim duhet ta vazhdosh edhe këtë punë pasioni. “Unë djemve të mi u kam dhënë shkollën dhe jo detin. Dua që ata të mësojnë por e kuptoj që njësoj si unë, edhe ata të katërt e kanë shumë qejf peshkimin. Le të kthehen këtu, sa herë t’i marrë malli por jo të mbeten”, tregon i bindur për djemtë e tij Neimi. Dhe djemtë e kanë dëgjuar të atin, duke marrë të tjera profesione e duke u kthyer në Skelë vetëm kur i merr malli.
NË LUFTË ME PESHKAREXHAT
Nga 25 metra e poshtë peshkarexhat nuk duhet të kapin peshk. Ky është rregulli. Por çe do që zakonisht nuk mbahet. Peshkatarët ankohen se ndonjëherë peshkarexhat i hedhin rrjetat e stërmëdha ku të munden e ju marrin të gjithë peshqit. 70 anijet që zënë peshk në Gjirin e Vlorës kanë raste të kapin edhe 10 kuintal njëherësh. Jo vetëm sa u përket “zonave të influencës” por peshkatarët mbeten në luftë me peshkarexhat edhe në çmime. Pronarët e anijeve e shesin më lirë peshkun që zënë. Kështu iu ngushtojnë zonën e tregut, ku peshkatarët shesin peshkun, sepse produktin e këtyre të fundit e ble vetëm ndonjë qytetar nazeli a sqimatar që e do peshkun të pluskojë ende mbi ujë. “Peshku i vogël e ha të madhin”, të thotë Neimi. Dhe me këtë filozofi punojnë edhe rritësit e peshqëve në rezervate. Nga pyetjet drejtuar peshkatarëve të tjerë u mor vesh se ekzistojnë dy rezervate në afërsi të Karaburunit dhe një tjetër në Porto Palermo. Të treja, thënë nga peshkatarët, janë hapsira rreth 100 metër katrorë, ku në numër të shumtë peshqit rriten me ushqim artificial. Peshkatarët të thonë gjithashtu, se për faktin se janë vetëm 7 peshkatarë, nuk është aspak e vërtetë që restorantet furnizohen nga ta. “Çdo restorant këtu në Vlorë furnizohet me peshkun e rezervateve ose atë të pëshkarexhave në rastin më të mirë”, të shpjegojnë peshkatarët, të cilët theksojnë më pas se për tregun e qyteteve të tjera merret me mend se çfarë ndodh.
Ndërkohë mësojmë se në Vlorë janë 6 magazina të mbledhjes së peshkut që vjen nga peshkarexhat ose rezervatet. Ajo që të tregojnë me shqëtësim peshkatarët është edhe procesi i shkëmbimit të peshkut të detit shqiptar me atë të detit italian apo grek. “Ne dimë që në Itali dhe Greqi shkon peshku i cilësisë më të lartë dhe këtu tek ne vjen peshku i cilësisë mesatare apo të fundit”, të tregojnë ata rreth “shkëmbimeve mes tre vendeve”. Për ta mbetet shqetësuese jo vetëm konkurenca e pandershme por fakti se konsumatorët shqiptarë hanë peshk jo aq të freskët sa mendojnë.
BOKS
Si dallohet peshku i freskët?
Disa gjëra shumë të lehta në dukje e dallojnë peshkun e freskët të detit nga peshku që rritet në rezervate. Zakonisht peshku i freskët është më i dobët, duke krijuar një elegancë natyrale për shkak të lëvizjes së tij në hapsira të pamata. Por peshku i freskët dallohet edhe nga lëkura e tij, e cila zakonisht është më e shndritshme e më e shëndetshme. Kurse peshku i rezervatit, hapsira të kufizuara të detit në afërsi të tokës ku peshku rritet me ushqim artificial, zakonisht është më i shëndoshë për shkak të shtresave të dhjamit të depozituara nën lëkurë. Kjo ndodh për arsye se rritësit e peshqëve hedhin shumë ushqim, të cilin peshqit e konsumojnë por ata për shkak të hapsirës së kufizuar nuk kanë mundësi që ushqimin e marrë ta tresin në mënyrën e duhur në organizmin e tyre. Kjo situatë ndikon tek shtresat dhjamore të tyre. Kështu nëse në restorant u serviret peshk,mos u shqetësoni nëse është më tepër elegant se ç’duhet. Të paktën do jetë i freskët.
Çmimet e peshkut që shesin peshkatarët
Koca 3000 lekë
Levreku 1700 lekë
Sinagridha 2800 lekë
Saragoi 2800 lekë
Karkaleci i butë 3000 lekë
Gjinkalla 3000 lekë
Astakoi 3000 lekë
Çmimet e tregut të brendshëm
Qerthulli 300 lekë
Skarmoi 300 lekë
Vopa 300 lekë
Sardele 150 lekë
Astavridhi 300 lekë
Në tregjet shqiptare peshku shitet lirë
Duket një situatë e pakuptueshme mirë kur merr vesh se peshkatarët e shesin më shtrenjtë një kilogram peshk, nga çmimi me të cilin ne e blejmë në tregjet shqiptare. Mund të jetë e vërtetë që peshku i rrallë është edhe më i shtrenjtë, por si ka mundësi që llojet e tjera të peshkut kanë një çmim shumë të ulët? Peshkatarët e zonës së Vlorës e shpjegojnë me faktin se zakonisht peshku i tregjeve tona importohet nga Greqia dhe Italia, madje importohet peshk i dorës së dytë apo i cilësisë së fundit. Për këtë arsye ndodh që çmimi të jetë shumë i ulët, kryesisht 300 deri në 400 lekë të reja për kile. Një fakt që e përforcon këtë ide është edhe mungesa e llojeve të peshkut të “shtrenjtë” në tregjet tona si koca, sinagridha, gjinkalla etj.
Nga ana tjetër peshkun e freskët të detit e “konkuron” peshku i rezervatit, i cili edhe pse nuk ka shijen dhe vlerat e atij të detit, konsumohet gjerësisht nga shqiptarët.
Valmora Gogo : Gazeta Shekulli