Për gati një vit ata udhëtuan nga veriu në jug të vendit, duke fjetur "aty ku i zinte nata". Shqipëria ishte më tepër se një aventurë për dy anglezët që patën rastin të shihnin nga afër rrëfimet në pikturë të Learit.
Gati një vit më vonë Robin përfundoi librin e tij për Shqipërinë, dorëshkrimi i të cilit është çuar për botim.
"Dorëshkrimi i librit tim, ‘Land of Eagles: Riding Through Europe‘s Forgotten Country‘, është dërguar në botim. Publikimi i librit do të bëhet në gusht të vitit të ardhshëm", thotë në uebsajtin e tij Robin.
Sipas tij, libri do të jetë një shtyrje për shumë të huajt që ta vizitojnë këtë vend. "Jam duke shkruar një libër për të. Më pëlqen mikpritja, prandaj dua edhe të inkurajoj të tjerët të vijnë për vizitë në këtë vend", ka thënë ai.
Interesant është fakti që gjatë këtij udhëtimi çifti është ndjekur edhe nga regjisori Mickey Grant, i njohur nga filmi i tij i fundit, "Injection", që ka ndikuar në lirimin e infermiereve bullgare nga Libia. Grant, që ka parë nga afër këtë udhëtim, ka fokusuar në kamera gjithçka duhet për një dokumentar të quajtur "Albania Land of Eagles". Filmi mbi udhëtimin e çiftit anglez ka përfunduar dhe është dërguar në festivalin e filmave dokumentarë "Mipdoc" në Cannes, në muajin prill. Pavarësisht interesimit, filmi ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për t‘iu shitur ndonjë kompanie të distribuimit. Që nga atëherë filmi është shtuar me material të ri arkivor, si dhe është shtuar muzikë shqipe.
Sipas Grant, versioni final do të jetë i gatshëm në vjeshtë, por do të publikohet së bashku me librin në gusht të vitit të ardhshëm.
Shqipëria nuk ishte udhëtimi i parë i dy bashkëshortëve anglezë. Ata kanë udhëtuar me kuaj në vende të tjera dhe më pas kanë shkruar libra mbi këto udhëtime. I tillë është libri mbi udhëtimet në Francë, për rrugëtimin përgjatë Murit të Gjatë në Kinë, si dhe udhëtimet në Zelandën e re dhe Spanjë.
Udhëtimi i tyre në Shqipëri ka nisur të zgjojë interes të madh te njerëzit në Britani, që ende pa dalë libri kanë nisur të pyesin rreth tij dhe Shqipërisë. Komediani Michael Palnio, njëri nga yjet e "Monthy Python", u ka shkruar në uebsajtin e tyre se i ka zili për këtë udhëtim. "Shqipëria mbetet një nga vendet më misterioze në Evropë. Robin dhe Louella Hanbury Tension kanë udhëtuar në këtë vend në një mënyrë që unë i kam shumë zili. Vetëm me kuaj, në një udhëtim në të cilin kanë pasur mundësi që të shohin stereotipet e vendit, dhe të shohin bukurinë dramatike dhe unike të traditave të trashëguara", shkruan Palnio.
Në fakt, përshkrimi që ata kanë bërë për këtë udhëtim është tepër interesant. Në shënimet e saj, Louella flet me aq dashuri për mëngjesin e saj të parë në Theth, njerëzit që ka takuar gjatë këtij udhëtimi, rakinë e rrushit, që bashkë me të shoqin ka provuar në ato shtëpi aq të thjeshta me një mikpritje të madhe, duke mos harruar të hedhë dhe detajet sesi dy kuajt e tyre, Billy dhe Pietere, ndjenin këtë natyrë...
Nga : Gazeta Shqip