Ne vend te diktatures na qenka permbysur parajsa

Zoti Vangjush Gambeta po boton kujtimet. Vendin kryesor në to e zë angazhimi i tij në gazetën “Zëri i Popullit”. Përgjatë shkrimit ai tregon se në tërë periudhën që punoi te “Zëri i Popullit”, në drejtim të gazetës u ndërruan pesë kryeredaktorë: që nga Paçrami e deri te Xhelil Gjoni. Gambeta flet me respekt e simpati për të gjithë ata, duke nënvizuar tiparet e veçanta karakteriale e duke mbajtur të përgjithshëm, profesionalizmin, kujdesin atëror për gazetarët e rinj, besnikërinë e fjalës së dhënë e tjera.
- Lexuesi, - shkruan Gambeta, -mund të më pyesë: ku do të dalësh me këto “grimca kujtimesh”. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje po mendoj gjatë, i frymëzuar nga libri i prof. Hamit Beqës “Edhe engjëlli, edhe djalli është brenda tek i gjalli”. Engjëllin na i ka dhënë Zoti që kur u lindëm, djallin na i futi në trup diktatura….
Por megjithatë, nga sa lexojmë prej zotit Gambeta, kuadrot drejtuese të gazetës më mashtruese e më të mërzitshme në historinë e këtij rruzulli, nuk kishin asnjë tipar nga ata që ta shpien mendjen te diktatura.
Një diplomat i viteve 80 reagoi njëherë ndaj një shkrimit tim, ku flisja për dallimet e detyrave të sotme me ato të djeshmet, që kanë qenë para diplomatëve shqiptarë. Ai m’u kundërvu duke derdhur një lumë konsideratash me kurrikulumet e pasura e të ndritura të njerëzve të caktuar nga Hoxha në shërbimin diplomatik. Zotëria nuk përmendte ndonjë gjë të veçantë dhe bile nuk qe ndalur fare në detyrat që kryenin ata në shërbim të asaj politike ultraizolacioniste, e cila e kishte vendosur Shqipërinë kundër ShBA-së, Japonisë, Kanadasë, Gjermanisë, Francës, BRSS-së, Kinës, Australisë, Italisë e shumë të tjerëve edhe ndërpres listën pasi nuk kam vend të rreshtoj mbi 150 e ca shtete! Ai i quan kolegët e tij të atëhershëm, diplomatë të përsosur. Askush nuk e kupton se çfarë përsosmërie duhej pasur që të zbatoje detyrën parësore të diplomatëve enverianë, atë të mbajtjes gjallë të armiqësisë me tërë botën dhe shpërndarjes së veprave të të ndjerit komandant!
Me të tilla tone flet për kolegët e tij policë edhe i madhi i policëve të kryeqytetit në një libër, ku përshkruan gremisjen e rendit komunist dhe një nga tronditjet më spektakolare, atë të pushtimit të ambasadave nga shqiptarët që u pat vajtur sharra në kockë. Edhe pas kaq vitesh ai nuk e ka ndërruar gjuhën dhe për profesionalizmin dhe devotshmërinë e forcave të rendit, ai vë notat më të larta. Sipas D. Bengasit, hetuesit, sampistët dhe policët i kishin plotësisht të qarta detyrat në marrëdhënie me keqbërësit. E vetmja gjë e paqartë ishin keqbërësit vetë: ishin ata të mbyllurit në ambasada, apo ata të mbyllurit në bllok?!
Për një ide mbi kuadrot e ushtrisë të atëhershme ndihmojnë me kujtimet e tyre Veli Llakaj dhe Hito Çako. Në shkrimet e tyre do të gjeni njerëz parimorë, të guximshëm, mikpritës bujarë, strategë të shkëlqyer dhe atdhetarë të përgatitur për të mbrojtur lirinë deri në sakrificën sublime. Edhe kur rrufetë, gjatë purgave staliniane të viteve 74-76, u kthyen përmbi kokat e tyre, ata shfaqën trimëri të rrallë dhe shqiptuan me zë të lartë fraza memorabile. Kundër kujt u thanë ato fraza, nga shkruesit e kujtimeve nuk del në dritë. Diktatura që po kërkoj unë me fener në dorë në ushtri, është akoma më e vagullt.
Ditë të shkuara në Tiranë u shfaq një film kushtuar Fadil Paçramit dhe u ekspozuan libra të shkruar enkas për të!
Nuk kam asgjë personale z. Paçrami. E prek në këto shënime pasi më vjen turp të hesht e të pajtohem me ata që e njohin si unë dhe nuk e kuptoj se ç’interesa janë pleksur e i detyrojnë të ndalen e fokusohen mbi jetën e një njeriu të zakonshëm që meriton megjithatë keqardhje për vuajtjet, por që nuk të vë në lëvizje fantazinë, edhe pse ka qenë luftëtar antifashist, udhëheqës i rinisë në vitet e pas çlirimit, dramaturg, ministër kulture dhe deri kandidat i Byrosë Politike.
Dhe askujt nuk i vjen zor që në filmat e librat që kanë bërë për të, nuk arrijnë të nënvizojnë dot njëzë akt heroik jo e jo, por as edhe një episod përplasjeje. Nuk veçojnë dot asnjë tezë të tij, e cila të ishte disi jashtë binarëve të kohës. Nuk munden dot t’i atribuojnë atij as shkëndija disidence, as novatorizma në shtypin që ka drejtuar apo të dramave të shumta të cilat përmenden si korpus, si tituj, por nuk botohen, nuk rivihen në skenë, lihen mënjanë. Dhe është e logjikshme që lihen mënjanë, pasi është më mirë që ato të numërohen se të shfletohen. Askush nuk thotë dot se cila dramë, cili personazh, meriton të veçohet për dëmin që i solli autorit Paçrami! Subjektet e tij ishin tipikë për realizmin socialist. Himnizohej revolucioni, (“Në tufan”, “!9 ditët”), bëhej thirrje për luftë klasash, dënohej social demokracia e Musine Kokalarit (“Mbi Gërmadhat”), shprehej vendosmëria për të udhëhequr revolucionin botëror nga një vend i vogël (“Viti 61”). Figurshmëria letrare ishte inekzistente, gjuha ishte ajo e gazetës “Zëri i Popullit” që ai e pat drejtuar vite me radhë.
Pavarësisht se sa nderohen e përkujtohen sot tërë këta individë, gjeneralë si Balluku e Dumja, figura qendrore si Lubonja, Paçrami dhe Ziçishtët! Ata u vranë e u burgosën ngaqë kuçedra Hoxha iu vërsul atyre dhe jo ngaqë ata i dolën ndonjëherë përballë kuçedrës! Anëtarët e plenumeve të KQ-së i dënuan këta shokë të vjetër, duke tjerrë e stërtjerrë akuzat e shpifura dhe bajate të kryezotit e duke mos përfillur hiç autokritikat që ata i bënin në mënyrë të natyrshme për t’i shpëtuar dënimit. Askush nuk ua vuri veshin kur ata përgjëroheshin, se ishin besnikë të partisë dhe tërë jetën kishin ecur pas mësimeve të shokut Enver. Kjo ishte drama tipike që luhej në plenume, ku të vetmit që nuk gënjenin ishin ata që po shkonin drejt pushkatimit.
Këtë dramë Fadil Paçrami nuk e shkroi kurrë.
Z. Mark Dodani na ngatërron edhe më shumë në kërkimin e gjurmëve të diktaturës, kur në kujtimet e tij, na flet për misionet heroike të Sigurimit, mes diversantëve malësorë, që hidheshin me parashutë apo braktisnin fshatrat e qytetet e jetonin dhe organizoheshin maleve, për të përmbysur regjimin e Hoxhës me shokë. Po t’u besosh shënimeve të Dodanit, duhet që nëpër malet e veriut numri i statujave për Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun t’ia kalojë numrit të shkëmbinjve!
Në “Tirana Observer”, të 3 shkurtit 2006, Dodani përsërit fjalë për fjalë fjalimin patriotik të diversantit Hamit Matjani të lëshuar nga zbulimet amerikane me parashutë mbi territorin tonë. Ja fjalët e Matjanit: “Nuk e dija! Ju lumtë! Paska vërtet djem Shqipëria! Ju nuk po luani vetëm me mua, ju po luani me CIA-n amerikane dhe në këtë rast me të mirënjohurin, kolonelin Xhon. Ia kisha thënë se akoma nuk i kishte njohur mirë shqiptarët, i kisha thënë se sa herë kaloja kufirin shqiptar mbi mua binin breshëri plumbash. Kur t’i vijë koha do ta kuptojë edhe Xhoni, që mua mu vërtetuan fjalët që i pata thënë. Edhe unë në vena gjak shqiptari kam”. Dhe më tej Dodani shkruan për operacionin e zënies së Hamit Matjanit, i cili u përdor në lojën kundër CIA-s (që atëhere nuk ishte me ne - shënimi im). “Në udhëzimin e posaçëm të Kadri Hazbiut”, - nënvizon Dodani, - “grupi special kishte përcaktuar që nuk duhej të vriste kurrsesi, jo vetëm Hamit Matjanin, por asnjërin syresh, sepse me ta, “si shqiptari shqiptarin mund të merremi vesh për të kundërvepruar me mjeshtëri kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë. Madje ata mund të integrohen të rehabilituar në strukturat tona”, – parashikonte Hazbiu.
A nuk duken të shkëlqyera, si deklarata kalorësish fisnikë, si faqe nga eposi i Veriut! Kemi një burrë që arratiset para dy vjetësh, zbret me parashutë dhe ve re për herë të parë, se, pas dy vjetësh, “paska djem Shqipëria”!!! Pastaj kemi një ministër të Brendshëm, nga burrat më të lartë që ka pasur ky vend, që jep udhëzim që ta trajtojnë Hamitin “si shqiptari shqiptarin” dhe urdhëron të mos e vrasin se …..u duhet ta varin! (Hamit Matjani është varur në fushën sportive të Lushnjës në prag të festave të nëntorit 1953, pa u integruar e pa u rehabilituar hiç nga Hazbiu! – Këtë herë, ky shënim nuk është i Dodanit, por imi!)
Por nuk është metoda letrare ajo që më shqetëson mua. Unë dua të di nëse duhet t’i vlerësoj Dodanin e Mëlyshin si heronj që mbronin lirinë, teksa Matjanin, Leshanakun dhe malësorët e Mirditës e Mbishkodrës t’i quaj të pabesët, që u shërbenin anglo-amerikanëve në dëm të kombit të vet? Apo këta që zbrisnin nga qielli të lëshuar nga CIA, (që tani është me ne!), ishin në të vërtetë heronj të përkushtuar për të përmbysur diktaturën e egër enveriane, teksa Dodani me Mëlyshin ishin shërbëtorë të verbër të saj?! Kam frikë se në gjëndjen ku e ka futur politika shoqërinë shqiptare, askush nuk ma jep dot një përgjigje të saktë dhe mua më dhimbsen librat e historisë! Më dhimbsen sidomos fëmijët që do t’i hapin ato tekste duke u përpjekur të njohin vendin e tyre dhe njerëzit që u rritën në këta troje. Shumë vetë janë të mendimit se kjo nuk është përcaktuar dot qartë, pasi dy partitë që heqin vallen nuk janë në një mendje. Kurse unë ngul këmbë se kjo nuk ka marrë zgjidhje të plotë nga që të dyja këto parti janë tmerrësisht në një mendje!...
Një nuse me buzagazin e saj fotozhenik vete më larg akoma, kur në faqet e gazetave gati për ditë ngre në qiell virtytet e Enver Hoxhës, duke arritur suksese në ndërmarrjen që ka filluar para tre vjetësh. U bënë tre vjet që Enver Hoxha, nga shkrimet e së resë, po njihet me tërë hiret e tij, me tërë madhështinë, si prind, si burrë shteti dhe si njeri vazhdimisht i mashtruar dhe i tradhtuar nga bashkëpunëtorët dhe …njerëz të familjes! Kjo Liliana Hoxha po e kryen më së miri detyrën e saj, ama është një detyrë e vështirë dhe ka kosto të kripur, pasi që të lartësohet Ai, duhet të paguajnë harxhe figurat e Nexhmies dhe të Ramizit. Nusja e Hoxhatëve i njeh mirë balancat. Ajo i njeh mirë dhe legjendat e ndërtimeve të mëdha: vetëm një therrori e madhe i bën të patundur themelet e piedestalit të monumentit!
Dhe tani të nderuar lexues a nuk e vini re se gjurmët e diktaturës nuk shihen gjëkundi? E ç’m.. kërkon rezoluta e Këshillit të Evropës mbi krimet e komunizmit ne Shqipëri?! Më lejoni, kështu të revoltuar të shtroj një pyetje tjetër: në këtë fazë foshnjore të demokracisë, 15 vjet pas përmbysjes së Statujës së Enverit dhe heqjes zvarrë në atë ditë të 20 shkurtit ’91: përse duhej hequr zvarrë ajo dhe përse ka ende disa segmente zyrtarë që e përkujtojnë atë datë?! Dhe kush mund të bëhet pengesë që ATË ta risjellim përsëri në shesh? Aty vendi është bosh!
Mjekun personal të Enver Hoxhës, zotin Isuf Kalo, kryeministri vajti e caktoi këto ditë, drejtor te një qendre të rëndësishme mjekësore në Tiranë, bile i pari i qeverisë mori pjesë në kurorëzimin e Kalos, si i pari i qendrës. Reagimi i opinionit publik ishte zero!
Unë nuk do të habitesha tani, që si Komandant të Shërbimit Informativ Shtetëror, (atë që dikur e quanin Sigurim të Shtetit), të emërohej i mirënjohuri Sulo Gradeci, i cili ka përvojë të shkëlqyer dhe jam i bindur katërcipërisht, që as nga opozita e as nga partitë satelite në pushtet, nuk do të kundërshtohet.
Përse të kundërshtohet?! Njëmijë e një kundërshtime bëri Opozita për kandidaturat e ambasadorëve. U gërmua në të kaluarën e znjës Harxhi, që vajzë e re, në një gjendje të trazuar emocionale pat cituar hamendje, (vetëm cituar!), në lidhje me ndikimin e Perëndimit në kalvarin e ’97-ës. Nuk u morën parasysh as shpjegimet e saj dhe as mundësia e pjekurisë që sjell koha. Ama, nuk u ndoq i njëjti kriter për Mehmet Elezin. Nuk i hodhi asnjeri sytë nga e kaluara e Elezit, e të vetmit prej ambasadorëve të emëruar nga ’91-shi e këtej, - absolutisht i vetmi(!), që ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të një partie komuniste, nga figurat më kyçe të sektorit të propagandës enveriane. Dhe dihet bukur fort se çka përrallisur ai për SHBA-në dhe borgjezinë perëndimore. Ky emërim është unik. Nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet e kampit lindor!
Jo, jo, tani nuk ka kufizim emërimesh për gardën e vjetër të hierarkisë ramizo-enveriste. Tani zoti Berisha nuk ka më droje. Ai e shkundi pudrën antikomuniste të viteve të para. Në qeverinë dhe institucionet e tij nuk gjen më, të burgosur e martirë që i nevojiteshin aq shumë për mitingjet e fillimit, nuk i lypsen më ata shoqëruesit aq të çmuar për udhëtimet e para në Strasburgjera dhe Uashingtonëra. E mos prisni më që ai në ndonjë prag votimesh të shpallë dënimin me vdekje të Aranit Çelës e Zylyftar Ramizit, siç bëri më 24 maj ‘96! Me shumë mençuri, ai tani po synon që t’ua heqë rivalëve socialistë nga thonjtë elektoratin e majtë, atë elektorat që mban akoma nëpër mure fotografitë e komandantit legjendar.
Për t’iu bindur për këtë, po shkëput dhe shënimin e fundit që kam marrë nga gazeta "Tema", e datës 22 dhjetor 2005:
Shkëpus nga gazeta: Kryeministri Berisha tha se ndihej i gëzuar që ndodhej në Mosul mes ushtarëve shqiptarë, pjesë e koalicionit ndërkombëtar antiterror.
Më vjen mirë, tha Berisha, që dëgjoj fjalë të mira për punën tuaj këtu. Ne, theksoi kryeministri, do te qëndrojmë në Irak për të vazhduar detyrën tonë. “Ata popuj, që kanë kaluar një diktaturë i kuptojnë më mirë irakianët se kushdo tjetër. Sadami, ashtu si Milosheviçi është një diktator, por fatmirësisht ata tashmë i janë nënshtruar gjykimit për krimet e bëra”, tha z. Berisha… Këtu mbaron lajmi i “Temës”
Diktatorët e dy popujve: Sadami dhe Milosheviçi!!! Në kontigjentin e ushtarëve shqiptarë nuk ndodhej, për fat, asnjë kosovar. Zoti Berisha po u fliste ca ushtarëve të lindur në Vlorë, Skrapar e Burrel. Ai gërmoi me kujdes për diktatorë në thellësinë e historisë së shqiptarëve që kish para vetes dhe gjeti vetëm Milosheviçin!!!
Ku shkoi pra diktatura? Ajo nuk ka ekzistuar thonë me vendosmëri disa. Ose ajo nuk ka ikur gjëkundi, thonë ca të tjerë, është ende aty, nën forma të reja, të pashfaqura më parë në historitë e popujve. Ku dihet?! E kujtoni atëherë? Edhe atëherë ne nuk thoshim që ishim nën diktaturë. Ai që ne, ca pak dhe gabimisht, në këto kohëra i themi me gjysmë zëri diktator, tani, i riderdhur në bronz, mund të kthehet në sheshin qendror të Tiranës. E kjo pritet të ndodhë në ndonjë nga 20 shkurtat këtyre viteve që po na vijnë!...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama