Ledian Memushaj ka marrë aprovimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për të zhvilluar ndeshjet e "play-off"-it me Peskarën, ndërkohë që kuqezinjtë duke filluar nga dita e hënë, nisin grumbullimin për fazën përgatitore përpara se të shkojnë në Francë.
Mirëpo, për disa nga kuqezinjtë ka edhe angazhime me skuadrat e tyre aktuale. Një prej tyre është edhe Ledian Memushaj, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te Peskara. Kjo e fundit e ka mbyllur sezonin në vendin e tretë dhe do të luajë takimet në fazën "play off" për të provuar ngjitjen në Serinë A.
Mediat italiane shkruajnë se mes FSHF-së dhe drejtuesve të klubit ka pasur bisedime të gjata. Sipas portalit "ilcentro.it", Masimo Odo foli direkt me De Biazin, por nuk mori prej tij një përgjigje inkurajuese. Më pas në skenë hyri edhe presidenti i klubit, Daniele Sebasiani, duke shfrytëzuar lidhjet me Dukën "mik i kryeministrit Edi Rama".
Çeshtja e aktivizimit të Memushajt me ekipin e Serisë B në Itali diskutohej prej ditësh dhe ai që vuri pikat mbi i, thuhet se ishte Danilo Lanaskoli, ish-administrator i klubit "i lidhur me Dukën për çështje biznesi",-citon portali italian.
Kapiteni bardheblu sonte do të jëtë në fushë me Peskarën dhe të hënën do t'i bashkohet Kombëtares në Austri.
Futbollisti pritet të rikthehet të enjte në Itali për të luajtur gjysmëfinalen.
Nëse Peskara do të kualifikohej për në finale "me shumë mundësi Memushaj do të luajë ndeshjen e parë të datës 5 qershor, për t'iu bashkuar më pas kuqezinjve në Francë, për faktin se më datën 11 do të luajnë ndaj Zvicrës".