Mirush Kabashi interpreton në Gjakovë monodramën “Z.Ibrahim dhe lulet e Kuranit”/ Një ngjarje e zhvilluar në një kënd të Parisit, kërkon të hedhë dritë mbi debatet që bëhen sot në emër të fesë
Pas Sokratit, Mirush Kabashi ka veshur një tjetër mantel. Atë të Ibrahimit. Personazhi i krijuar nga dramaturgu francez, Eric-Emmanuel Schmitt, prej vitit 2008 vazhdon të ngjitet në skenat shqiptare nga Kabashi. Një personazh që kërkon t’i flasë moralit njerëzor dhe në këto kohë të trazuara ku shpirti duket se ka humbur rrugë, ta kërkojë ta kthejë sërish te njerëzit. Pikërisht e brendshmja e Ibrahimit, e bëri Kabashin që 6 vjet më parë të ndalej te kjo vepër, e cila i ngjan më shumë një proze artistike, për ta sjellë në trajtën e një monologu. Një interpretim ku ai jo vetëm gjente të gjitha pikëpyetjet e shqetësimeve që e ngacmonin si individ, por që kërkonte ta ndante me publikun pikërisht për mesazhet që përcillte.
Këto ditë monodrama u shfaq në teatrin e Gjakovës, ku u prit mirë nga publiku dhe mediat. Duket sikur “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” lë të njëjtën ndjesi te publiku, pavarësisht viteve që ikin. “Ajo çfarë më ka tërhequr te kjo vepër është pikërisht mesazhi i dashurisë e mirësisë njerëzore. Monodrama vjen në një kohë kur ka një zbehje të shpirtit të njeriut. Është një himn për moralin njerëzor, për një shoqëri më të mirë dhe moderne”, thotë Kabashi, duke thënë se “kjo nuk është një pjesë fetare”, dhe se titulli e ka bërë që kjo vepër shpesh të paragjykohet. “Luftën nuk e bëjnë as besimet dhe as besimtarët. Atë e organizojnë dhe e nxisin njerëz që nuk besojnë në fe, por në fitim”, thotë Kabashi.
Vetë dramaturgu thotë se ka dashur të ngacmojë me këtë pjesë një nga konfliktet e njohura atë mes Izraelit dhe Palestinës, dhe të japë përmes këtij konflikti një mesazh paqeje.
“Unë nuk dua të zvogëloj tragjedinë e konfliktit (Izrael-Palestinë), por në nuk duhet të ngatërrojmë zërin e tërësisë së jetës me klithmat e politikës apo gazetarëve. Unë gjykova se ishte e rëndësishme të jepja një mesazh vëllazërie dhe paqe. U ndjeva krenar kur mësova se, në Izrael, arabët, hebrenjtë dhe kristianët mbështetnin përdorimin e “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” si mënyrë për përhapjen e shpresës”, shprehet autori. Elementi provokativ në vepër ishte paraqitja e fesë islame në një dritë pozitive në këto kohë kur vetëm të këqija i bashkëngjiten kësaj feje. “Zoti Ibrahim dhe Momo dy personazhet e veprës bashkohen nga dashuria që përjashton frikën që vjen prej faktit se tjetri është ndryshe nga ty.
Zoti Ibrahim i mëson Momos gjithçka: të buzëqeshë, të flasë, të mos lëvizë shumë, t’i shohë femrat me një shikim që vjen nga zemra dhe jo nga epshet. Ai shfaq para Momos një univers që funksionon sipas një rregulli shumë më të madh se ata vetë dhe e mëson atë të pranojë vdekjen. Të gjitha këto Zoti Ibrahim i ka mësuar nga Kurani. Në fakt, ato janë gjëra që njeriu mund t’i mësojë edhe diku tjetër, por Zoti Ibrahim i ka mësuar ato nga Kurani i tij. “Unë e di çfarë është në Kuran”, thotë ai vazhdimisht. Ngjarja e kësaj pjese zhvillohet në Paris. Takimi mes këtyre dy personazheve është një lloj pasurimi për njëri-tjetrin. Djaloshi është hebre ndërsa dyqanxhiu është mysliman. Vetë autori thotë se ka qenë një provokim me dashje vendosja e këtyre dy personazheve pranë njëri-tjetrit. “Unë vendosa të vërtetoj diçka, por edhe të provokoj.
Ajo çka unë doja të vërtetoja është fakti se në shumë vende të kësaj bote (kryeqytetet e Europës, qytetet-porte, qytetet amerikane etj.) njerëz të besimeve të ndryshme fetare dhe me kultura të ndryshme bashkëjetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Rruga “Blu” në Paris, vend në të cilin zhvillohet ngjarja dhe që në të vërtetë nuk është fare blu, banohet kryesisht nga hebrenj dhe pak nga kristianë e myslimanë (edhe unë kam banuar për pak kohë në atë vend).
Njerëzit aty jetojnë në harmoni të plotë. Mes atyre njerëzve që vijnë nga vende të ndryshme e që besojnë në fe të ndryshme lulëzon miqësia dhe mirëkuptimi. Ata bëjnë edhe shaka rreth diversitetit mes tyre (një mjek hebre i thotë me shaka dyqanxhiut mysliman se ai do të agjëronte muajin Ramazan vetëm po të ishte në Suedi, ku dielli perëndon në ora 3:00 pasdite). Fatkeqësisht, lajmet që vijnë nga gazetarët tregojnë se gjërat nuk janë edhe aq në harmoni. Në këtë mënyrë, marrëdhëniet arabo-hebreje reduktohen shumë dhe përcaktohen vetëm nga konflikti Izrael-Palestinë, duke lënë mënjanë dhe harruar fusha të tëra ku ata bashkohen dhe janë në konsensus. Kur Momo merr kopjen e vjetër të Kuranit që Zoti Ibrahim ia jep, ai gjen aty, mes fletëve, lule të thara. Kurani i tij është një libër, por është edhe çfarë Zoti Ibrahim ka vënë aty: jeta e tij, mënyra e tij e të lexuarit, mënyra e tij e interpretimit”, shprehet Schmitt. Për Kabashin ky është një monolog i ndjerë, i cili kërkon të rikthejë vëmendjen te morali.
Asnjë shoqëri nuk ecën përpara pa moral dhe kjo është dhe filozofia e shfaqjes. Prej vitit 2008, kur u shfaq për herë të parë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, ajo ka njohur vënie në shumë skena. Disa vite më parë, kjo vepër u ngjit edhe në skenën e Cityplay House Theatre në Toronto të Kanadasë. Pjesa është ngjitur dhe në teatrot e Turqisë, Nju Jork, Argjentinë, Belgjikë, Bullgari, Francë, Gjermani, Rusi etj. Për Kabashin, ashtu si Sokrati ky personazh e ka tërhequr të tërin. Pas suksesit të Gjakovës, tashmë ai kërkon ta rikthejë atë sërish për publikun shqiptar. Loja e tij, në këtë shfaqje është quajtur e mrekullueshme. I ndjeri Sabri Godo u shpreh pasi e pa këtë interpretim se “Mirush Kabashi ka bërë një interpretim të përsosur. Është një aktor me aftësi të jashtëzakonshme që e arriti kulmin me interpretimin e kësaj monodrame (Z. Ibrahim dhe lulet e Kuranit). Ai është një aktor botëror tashmë, sepse arrin të mbajë i vetëm një monodramë për më shumë se një orë. Njerëz si ai janë të rrallë në botë. Ne akoma nuk e kemi çmuar sa duhet atë edhe pse i kemi dhënë disa çmime. Tani ne duhet të mbledhim mendjen e të shohim qartë se kë kemi përpara nesh”.