Ç‘përgjigje u jepni atyre që ju kanë bërë ftesë në film vetëm për emrin dhe jo për aftësitë tuaja si kërcimtare dhe këngëtare?
Në lice kam qenë pjesë e grupit teatral, kështu që kam kënduar dhe kërcyer në shumë spektakle në Broadway. Për mua, "Mamma mia!" është njësoj sikur po rikthehem në shtëpi. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë. Për të xhiruar skenat e kërcimit më janë dashur plot tre javë prova, para se të filloja xhirimet. Jam angazhuar me shumë seriozitet dhe rezultatet janë të dukshme.
Kush ju telefonoi për t‘ju ofruar pjesën e Donës?
Regjisori Phyllida Lloyd. Fjalët e tij ishin këto: "Të them të drejtën nuk do të interesohesha, por më duket e drejtë ta provoj". I hodha një vështrim të shpejtë, më pas iu përgjigja: "Mos jeni çmendur gjë? Unë mezi po pres të jem pjesë e filmit". Kur mbusha të 40-at mendova se karriera ime kishte marrë fund. Në atë periudhë regjisorët nuk më ofronin pjesë kushedi se çfarë dhe në pjesën më të madhe të rasteve në gjithë vitin mund të luaja vetëm një film të saktë. Prej pak kohësh në Hollivud gjenden edhe gra të cilat kanë pushtet dhe i nxisin regjisorët që në film të ketë edhe aktorë të vjetër. Shpesh filmi është shfaqja e fantazive e atij që paguan biletën dhe për vite me radhë fantazitë e vetme të marra në konsideratë janë ato të meshkujve. Tani gjërat kanë ndryshuar disi.
Jeni menduar gjatë para se të merrnit pjesë në film?
Gjatë kësaj periudhe kam bërë shumë prova, duke kënduar këngë të ndryshme. Të kuptohemi, nuk kam bërë prova në një studio muzikore, sepse jam e sigurt se asnjë muzikant nuk do të pranonte të humbiste kohën me mua. Studioja e vetme ka qenë shtëpia, i vetmi vend ku jam ushtruar. Për javë të tëra nuk kam bërë gjë tjetër veçse kam kënduar, madje edhe gjatë kohës që udhëtoja, kur kisha pjesë të ndryshme për të xhiruar. Fatmirësisht janë këngë që nuk të lodhin kurrë duke i kënduar. Kam qenë kaq e entuziazmuar, saqë nuk e kam ndier lodhjen. Pra, kam studiuar duke ndjekur paksa teorinë time, sipas të cilës ndonjëherë është më mirë të jesh i papërgatitur dhe i turpshëm. Shpesh më ndodh të kem frikë dhe më vjen turp, sepse nuk jam në lartësinë e duhur që të arrij rezultate të mira dhe efikase.
Keni menduar ndonjëherë se si do të reagojnë katër fëmijët tuaj kur t‘ju shohin duke kënduar e duke vallëzuar në film?
Duhet ta pranoj se për shumë javë ky mendim më ka nervozuar pa masë. Tani jam e qetë, sepse fëmijët i kanë parë disa skena, kështu që momenti më i sikletshëm është pasi të ketë përfunduar gjithçka. Mezi pres momentin që ta shohin në ekran.
Si është të interpretosh në një film-muzikal, me një ish-agjent 007 si Pierce Brosnan?
Pierce ka qenë fantastik. Askush nuk e prite, por është një këngëtar i madh. Ka zë të ëmbël, të papërpunuar dhe mashkullor. Nëse duhet të bëj krahasime, do të thosha se është një përzierje mes Tom Waits dhe Joe Cocker.
Shumë kritikë theksojnë se një aktore e nivelit tuaj nuk duhej ta pranonte këtë rol kaq "qesharak"…
Nuk më intereson shumë se çfarë mendojnë të tjerët. Unë zgjedh të jem pjesë ose jo e një projekti në bazë të dëfrimit që më jep. E dija që në fillim se të interpretoja në filmin "Mamma mia!" do të ishte një nga aventurat më ekzaltuese. Dhe siç theksova më lart, pranova që në momentin e parë, pa hezituar. Në karrierën time nuk kam përdorur kurrë strategji. Ndonjë herë përpiqem të numëroj filmat që kam interpretuar, por nuk ia dal. Kam shumë dëshirë të jem pjesë e filmave që janë të çmuar për kulturën popullore. Unë jam e bindur se "Mamma mia!" është një prej tyre.
Ç‘rol kanë pasur dy pjesëtarët e "Abba"-ve, të pranishëm në film?
Benny Andersson dhe Björn Ulvaeus kanë ndjekur me shumë kujdes xhirimet nga fillimi deri në fund dhe janë treguar kaq të sjellshëm që na lanë të interpretonim gjithçka lirshëm, pa ndërhyrë në këngët e tyre. Na kërkuan vetëm të mos transformonim këngët dhe të këndonim në një kohë. Unë jam angazhuar shumë, sepse nuk doja t‘i irritoja dhe për më tepër t‘i zhgënjeja dy pjesëtarët. Duhet ta pranoj se ajo që dukej jashtëzakonisht e vështirë u shndërrua në një punë zbavitëse.
Cila është kënga juaj e preferuar e "Abba"-ve?
Padyshim që "Dancing queen". Ajo këngë është një ikonë e muzikës pop. Kur e dëgjon, është e pamundur të jesh e trishtuar apo të përfshihesh nga depresioni.
Nëse në Hollivud do të vendosej të prodhohej një film mbi jetën tuaj, cilën aktore do të preferonit që të interpretonte rolin tuaj?
Pa diskutim që Cate Blanchett. Nëse do të kërkoja perfeksion, atëherë do të bashkoja aftësitë e Cate me ato të Molly Shannon, prezantuesen e programit televiziv, "Saturday night live".
Që në fillim ju keni vendosur të bëni një jetë të rregullt e të veçuar nga të tjerët. Vazhdoni të jeni e bindur për këtë?
Sigurisht që po. Nuk e kam nxjerrë kurrë veten time në shitje dhe kam luftuar me gjithë forcën time që unë dhe familja ime të mos bëheshim mall për t‘u ekspozuar në treg. Të them të drejtën nuk më pëlqen ai stil jete: njerëz të famshëm me çdo kusht.
Pas shumë vitesh karrierë dhe në nivelin maksimal, keni menduar ndonjëherë se ka ardhur momenti i duhur për t‘u tërhequr nga skena?
Të them të drejtën e mendoj gjithmonë këtë gjë. Në mendjen time qarkullojnë shpesh pyetje të tipit: pse njerëzit kanë ende dëshirë të më shohin në skenë? Pse më ofrojnë sërish mundësi për të bërë këtë punë? Ndoshta tani ka ardhur momenti të mbyll gjithçka dhe t‘u përkushtohem të tjerave. Ka vite që bashkëjetoj me këto mendime. Kur isha e re mendoja se do të punoja si përkthyese në Kombet e Bashkuara, sepse më dukej sikur do të mësoja shumë gjuhë. Më pas jeta dhe fati më shpunë në tjetër drejtim.
Cili është mendimi juaj për aktoret që i drejtohen kirurgjisë estetike? Mendoni se rezultati është vërtet efikas? Ju duken më të bukura pas ndërhyrjes?
Unë mendoj se është një zgjedhje shumë e limituar, sepse të arrish numrin e përcaktuar është shumë e thjeshtë. Për një grua që është aktore, ky nuk është maksimumi dhe i kuptoj koleget. Dëshira e tyre është të mos dalin kurrë nga skena, dëshirojnë të jenë pjesë e grupit që punon. Në fund të fundit, pjesa më e madhe e skenarëve shkruhen duke menduar për gratë e bukura dhe të reja.
Cila është pjesa më e vështirë e jetës së një artisteje të suksesshme?
Kjo punë më ka dhuruar një jetë fantastike, por dëshira për të mos prishur asgjë vazhdon t‘i vërë gjërat në diskutim. Por të heqësh dorë nga një karrierë e gjatë është mjaft e vështirë.
Si është e mundur të mbetesh kaq modeste pas një karriere të shkëlqyer?
Karriera dhe lufta e gjatë në botën e kinemasë vetëm mund të të poshtërojnë. Arroganca është tipari tipik i një karriere të gjatë. Sa më shumë të rezistosh, aq më shumë e kupton se sa e rëndësishme është të jesh modeste. Unë jam një nga ato që gëzohen pa masë kur marrin një çmim "Academy award".
Grupi "Abba": banda pop më e madhe në botë
370 milionë kopje të shitura në tetë vite karrierë (nga 1973 deri në 1981). Kjo shifër e bën kuartetin suedez pop si një nga bandat më popullore të planetit. Emri i grupit është formuar nga bashkimi i shkronjave të para të pjesëtarëve të grupit: Björn, Agnetha, Benny e Anni-Frid. Kënga e tyre më e famshme është (1999) kolona zanore e muzikalit "Mamma mia!", shkruar nga dramaturgia angleze, Catherine Johnson. Filmi flet për problemet e Sophie dhe nënës së saj, Donna. Sophie, që është një hap larg martesës, dëshiron të njohë të atin, që nuk e ka takuar kurrë më parë. Muzikali është ndjekur nga 20 milionë spektatorë në botë
Nga : Gazeta Shqip