Nena vret 3 vajzat e saj minorene Nuk doja te benin nje jete pa shprese

Nena vret 3 vajzat e saj minorene: Nuk doja te benin nje jete pa shprese

Nëna e tre minoreneve ka pranuar se i ka vrarë ajo fëmijët, pasi nuk donte që ata të jetonin një jetë të dëshpëruar. “Isha unë që e bëra këtë gjë, isha e dëshpëruar. Nuk doja që të jetonin një jetë pa shpresë”, -është shprehur 37-vjeçarja Edlira Dobrushi, duke pranuar kështu vrasjen e trefishtë të vajzave të saj të mitura, Simona, Kesi dhe Sidni.

09:40-Tragjedi në familjen shqiptare, 3 fëmijë gjenden të therur, dyshohet se i ka vrarë e ëma

Një tragjedi ka ndodhur në një familje shqiptare në Itali. Tre fëmijë, të moshave 4, 10 dhe 13 vjeç janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Lecco të Italisë. Nuk dihet ende se kush është autori i kësaj ngjarjeje të tmerrshme, por policia dyshon se mund të ketë qenë mamaja e tyre, ajo që i ka vrarë barbarisht fëmijët e saj me thikë, dhe më pas ka tentuar të vrasë edhe veten.

Kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë njoftuar policinë, pas një ulërimë që kanë dëgjuar rreth orës 06:30 të mëngjesit në apartamentin ku ndodhi vrasja. Një fqinj kishte dëgjuar të bërtiturat e fqinjës së tij, dhe shkoi të trokiste në derë për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Sapo ishte hapur dera ai  kishte para gruan shqiptare të lyer në gjak dhe menjëherë ka lajmëruar policinë.

Kur ka shkuar në vendngjarje policia ka gjetur trupat e pajetë të tre fëmijëve mbi krevat, si dhe nënën e tyre të plagosur rëndë. Kjo e fundit është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Jam vetëm, asnjë nuk më ndihmon. Nuk mund t’ia dilja më”, -mësohet të ketë thënë 37-vjeçarja pasi ka mbërritur në spital. Nëna e tre fëmijëve të vrarë do të pyetet nga policia për të mësuar të vërtetën e ngjarjes, por aktualisht ajo ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe nuk mund t’i nënshtrohet një pyetësori nga ana e policisë.

Mendohet se fëmijët janë vrarë në dhoma të ndryshme të banesës duke i ikur nënës, e cila më pas i kishte vënë në krevatin e saj në dhomën e gjumit. Mediat italiane raportojnë se policia ka gjetur edhe një thikë të madhe kuzhine pranë trupit të pajetë të fëmijëve, thikë me të cilën dyshohet që nëna të ketë vrarë fëmijët, megjithatë kjo mbetet për tu verifikuar. 

Ende nuk dihet shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por mendohet se janë kushtet e rënda ekonomike të familjes. Shqiptarja 37-vjeçare ishte e ndarë nga bashkëshorti prej disa kohësh dhe jetonte vetëm me tre fëmijët e saj, në periferi të rajonit të Lecco-s në Itali. Policia po përpiqet të kontaktojë me babanë e fëmijëve për të mësuar më tepër rreth jetës së tyre dhe të nënës së tyre, por është e vështirë të lidhet kontakti me të, pasi ai ishte divorcuar që para shumë vitesh dhe nuk jetonte më me familjen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama