Nene Tereza me ilace borxh
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Ky projektvendim u mendua si zgjidhja e krizës së ilaçeve nga mbledhja urgjente e Komisionit të Shëndetësisë. Kreu i këtij komisioni kërkoi zgjidhjen e menjëhershme të problemit, duke përfshirë në projektvendimin që do t‘i kalojë për miratim Këshillit të Ministrave shifrën e 70 milionë lekëve të reja. Projektvendimi nuk është përgatitur ende. Blerjet e vogla me 400 mijë lekë të reja nuk mund të zgjidhin situatën, kështu që drejtoria spitalore gjeti një tjetër mënyrë për të zgjidhur problemin, huamarrjen.
"Deri tani kemi kryer procedurat me huamarrje, duke ua kërkuar distributorëve. Kjo është realizuar përmes procedurave për të cilat hidhet firma e një komisioni të përbërë nga 7 persona. Kjo ishte zgjidhja e menduar. QSUT-ja ka një numër të madh pacientësh që duan të marrin shërbime, pacientë që vijnë edhe nga rrethe të tjera të vendit", tha drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Mati Pepa. Sipas tij, kriza e ilaçeve në QSUT do të zgjidhet shumë shpejt. "Duke nisur edhe nga deklaratat e bëra nga ministrja e re e Shëndetësisë, kriza e ilaçeve do të zgjidhet para muajit tetor", sqaroi drejtori Mati Pepa. Për sa i takon projektvendimit për blerjen e ilaçeve bazë që i nevojiten spitalit, projektvendimi ende nuk është përgatitur. Drejtori i Qendrës Spitalore ka sqaruar se qendra "Nënë Tereza" nuk mund të hartojë projektvendime, por vetëm bën propozime dhe kërkesa.
Deri tani nga informacionet dhe bisedat e kryera mes dy institucioneve, Qendër Spitalore dhe Ministri Shëndetësie, nuk është përgatitur asnjë projektvendim. Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë vjen një lajm i mirë. Ai i shpalljes së fituesve për blerjen e ilaçeve nëpërmjet procedurave të tenderave. Nesër, ditën e mërkurë, do të shpallen fituesit për tenderat e paraqitur në tabelë. Në vonesën e hapjes së procedurave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për materialet e mjekimit, ka ndikuar edhe aplikimi i TVSH-së për këta artikuj, ligj që hyri në fuqi në fund të muajit shkurt. Kështu, ministrisë i është dashur edhe një herë të bëjë përllogaritje të tjera. Ky ndryshim kërkonte rishikimin e fondeve të vëna në dispozicion për këta artikuj, duke riplanifikuar sasitë e secilit artikull, në bazë të kërkesave të spitaleve, si dhe të mundësive financiare që spitalet dispononin për plotësimin e këtyre kërkesave.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që në fillim të vitit 2008, QSUT-ja është autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për të zhvilluar procedurat e prokurimit për furnizimin me citostatikë.
Gjithashtu, QSUT dhe gjithë spitalet e tjera janë udhëzuar nga Ministria e Shëndetësisë për të përdorur të gjitha hapësirat ligjore të prokurimit për furnizimin me artikuj emergjentë, (medikamente ose materiale të tjera mjekimi), mungesa e të cilave mund të rrezikonte jetën e pacientëve.