Njëqind Krishtlindjet e Nënë Terezës
Edhe këto Krishtlindje, “kartolinat” me figurën e Nënë Terezës përshkuan mbarë rruzullin, ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër. E veçanta e kësaj here ishte se mesha e Krishtlindjeve në Prishtinë u celebrua në katedralen e re që mban emrin e saj. Dihet që katedralet iu kushtohen shenjtërve dhe ajo është në udhën e një shenjtoreje... Ka qenë viti i saj, kështu që ishte e natyrshme që emblemat “nënëtereziane” të ishin më të kërkuarat, ndër to dhe pullat postare të emetuara me portretin e misionares etj. Ashtu si dhe ekspozitat, albumet, botimet, afishet, filmat, bustet, gjithçka prej saj që na bën nder. Vetëm pak ditë më parë në Tiranë u promovua libri më i fundit me letërkëmbimin e murgeshës së famshme të Kalkutës. Të gjitha në përmbyllje të vitit 2010, i njohur ndryshe si viti i misionares së shquar. Janë plot njëqind, Krishtlindjet e saj.
Ajo nuk u nis për të bërë epokë, por bëri. Shumëkush mbase e ka një dëshirë të tillë në jetë, shtetar i lartë a pasanik i madh, por që nuk e mbërrin këtë fat të lumë, se nuk ka gjë më të çmuar se të dish dhe të mundësh të dhurosh dashuri për njerëzit. E Nënë Tereza ishte vetë një dhuratë hyjnore e shekullit të 20 për “epokën” e re, mijëvjeçarin e tretë. Si një lajtmotiv, por dhe si një kartolinë e gjithëkohshme drejtuar njerëzimit, do të shtegtojnë fjalët e saj proverbiale: “Nga gjaku dhe prejardhja jam shqiptare, kurse për nga thirrja, i përkas mbarë botës”.
Tash që Nënë Tereza u bë “shekullore”, se pse dëshiron të ndalesh pafundësisht gjatë para fotografisë së saj, duke e kundruar thellë atë. Është një foto unike jo vetëm e shekullit të njëzetë, por dhe e mbarë mijëvjeçarit të shkuar. Njeriu vërtet mund të fokusohet në gjithçka të ikonës më të madhe të humanizmit botëror, te jeta e saj e pashembullt, te thëniet e urta filozofike-profetike, episodet jetësore, poezitë, e gjer mrekullitë, pasi ajo ishte si një univers i gjallë në lëvizje; por është së pari fotografia e saj e patjetërsueshme që të magjeps pafund. Shikojeni Portretin e saj, nën atë shaminë e bardhë me tre shirita blu për ballë, që është simboli i urdhrit të murgeshave, krijuar prej vetë asaj, një fytyrë aq e paqme, aq e dëlirë, aq e butë, aq e fisme, aq e përvuajtur, që të mbush me një dritë që as vetë dielli nuk ta jep. Është magjia e syve të saj, e vështrimit të thellë të lumnueshëm, çka e bëri botën për vete, pa dallim hierarkish, ideologjish bindjesh, pse jo dhe besimesh.
Ishte viti 1928 kur ajo do të nisej si një anije e palëkundur nëpër dallgët e dhimbjeve të shekullit të vet. E mbushur me plot vegime të brendshme drite, mes atij terr-fati mijëra të vuajturish. “Kështu u nisa drejt atdheut tim të ri, Indisë përrallore”. Drejt magjisë së dashurisë. Drejt njeriut në skamje, për ta ringritur atë në këmbë. Ai njeri kërkonte bukë, uji, ilaçe, strehë, shtrat dhe shpresë.
Një tjetër misionar shqiptar para saj në Indinë e largët
Nuk është aspak një çudi në jetën e misionarëve, që në Indi kishte pas qenë i dërguar i Vatikanit dhe një bashkëvëlla i saj shqiptar, Imzot Prend Doçi prej Mirdite, aty nga fillimi i viteve ‘80 të shekullit të 19. Historiani Pal Doçi përshkruan kohëqëndrimin e tij në qytetin e madh të Bombeit, porti kryesor i vendit, dritarja nëpër të cilën India shihte botën. Njëherit Bombei ishte dhe porta nëpër të cilën ndikimi botëror, perëndimor depërtonte për në Indi. Imzot Doçi, pas thirrjes në Romë të Kardinal Agliardit, u caktua në vend të tij, në detyrën e kryetarit të Misionit Katolik, duke e shfrytëzuar atë pozitë të lartë për dije më të thella, si dhe njohjen e gjuhëve të huaja, duke qenë i mirëpritur në rrethet kulturore dhe shkencore të Bombeit.
Por ky prelat i shquar pelegrin nuk do të qëndronte gjatë atje, por do të shtegtonte drejt Amerikës për disa vjet, në Alaskë, sërish në krye të një Misioni katolik nga Roma. Ai mbetet misionari që shërbeu në tre kontinente, e ky është një kapitull më vete, por në kontekstin e këtij shkrimi, ajo që tërheq vëmendjen është se në fillim Bombei e më pas Kalkuta janë dy qytete indiane ku misionarët shqiptarë, njëri për dy vjet dhe tjetra për 70 vjet, ndërmorën misionin e tyre të krishterë. Nëse Imzot Doçi do të largohej shpejt nga qyteti i tij indian për të “zbuluar” Amerikën (thuhet se është i pari shqiptar që ka shkelur në tokën amerikane), Nënë Tereza e ktheu qytetin e saj indian, Kalkutën, në një nga emrat më të bujshëm e të përjetësuar të qytetërimit modern.
Në tokën e largët aziatike, Nënë Tereza ishte më shumë se gjithçka shëmbëlltyrë e përkryer e njeriut humanist, jo vetëm murgesha e përshpirtshme, por dhe një mësuese e talentuar. Ka pasur herët e vonë individë që kanë dashur t’i ndihmojnë të vuajturit, duke përcjellë mesazhe e ndihma, kurse Nënë Tereza futi duart e saj drejtpërdrejt në mjerim... E preku me dorë shpirtin dhe trupin e sfilitur të skamnorëve, duke krijuar albumin më tronditës të fateve njerëzore në zgrip e në shuarje.
Të uriturit, të sëmurët, leprozët ajo i “ngjallte” nga buzë-vdekja ku kishin mbërritur. Shëmbëlltyra e saj përkulur mbi dhimbjen e botës ishte një thirrje për ndërgjegjet... e lumtura. A nuk keni sy që të shihni? A nuk keni zemër që të ndjeni?... Gërbula është më pak e rëndë se braktisja, prandaj gjendjuni të sëmurëve një sahat e më parë! Njerëzit e mi të varfër janë martirë të gjallë dhe megjithatë të pafjalë... Kështu, hap pas hapi, ajo mbërrin te themelimi i komunitetit të saj të ri fetar: “Misionaret e Dashurisë”. Deviza e tyre ishte (mbi)planetare: “Edhe në hënë do të vemi të shërbejmë nëse do të kishte të varfër!” Kudo, në rrugë, në kampe refugjatësh, në spitale, burgje, në lagjet e varfra, ku jetojnë njerëz në mjeranet e tyre.
Shekulli i njëzetë, qytetërimi modern, politika, qeverisja, shoqëria civile, gjithsekush, kishte nevojë mbi të gjitha për ridimensionimin e konceptit të shërbesës, të shërbyerit, të “shëlbuemit”. Ajo kishte dhënë modelin e dukshëm e të padukshëm, gjer me dhomën e saj të vogël, shtratin, tavolinën, stolin, gotën... sendet më të thjeshta mes atyre katër mureve të ngushta, ku ndihej keq gjithë luksi i botës: shkëlqimi i metropoleve, llamburitja e fasadave, parqeve, reklamave, qiellgërvishtësit, kazinotë...
Kësisoj, ajo ishte aq e vjetër dhe aq e re. Një gërshetim i pazakontë i kohëve të para të njerëzimit me të vonat. Para misionit të saj përuleshin të gjitha metropolet e rruzullit, të gjitha hierarkitë, titujt, çmimet, përfshi dhe “Nobel”-in, të gjitha zyrat dhe selitë e larta shtetërore. Ishte një model njerëzor i vetëkrijuar me mundim, me sakrificë, një njeri që kishte bërë më shumë se veten - kishte krijuar një urdhër motrash misionare që do t’iu shërbente të varfërve me një përvujtëri prej zoti. E gjithë fuqia e bamirësisë tashmë mund të kishte vetëm një përkufizim: nënëtereziane.
Nënë Tereza nuk ishte as e para, as e vetmja që ishte marrë me botën e të varfërve, të sëmurëve, të munduarve, puna është se ajo u ngrit në nivelin e besimit të këtyre kategorive të margjinalizuara, të shpresës së tyre të pabjerrë, të institucionit të bamirësisë në përmasa planetare. Ajo ishte guximi i së pandalshmes në një mision. Thënë ndryshe, vepra e saj ishte vetë ajo. Prandaj dhe shekulli i njëzetë erdhi e u fytyrëzua më së shumti me imazhin e saj. Në të vërtetë fillimet e atij shekulli kishin qenë ndryshe, madje gjithë gjysma e parë e tij, e më vonë, qe mbizotëruar nga fytyra të rrepta e të egra, nga tone komanduese e diktuese, luftarake, ku vetëm lutja dhe mëshira nuk kishin vend. Lexuesi tashmë i di mirë “zotërit” hijerëndë të gjithëpushtetshëm në tokë, si kur qenë diktatorë me mustaqe, sikur qenë pa to. Si në fillimet e shekullit XX, si në fundet e tij. Si në Europë, si në Amerikën Latine, Azi, apo Afrikë.
Rruzulli i hoqi në kurriz mbrapshtitë e “Neronëve” të kohëve moderne, ndërkohë që fytyrat “ungjillore” ishin tepër larg për të qenë në pushtet. E teksa ata, diktatorët, çimentosnin fronet e tyre mbi krimin e korrupsionin, vite drite larg atyre e njëherësh aq pranë njerëzve të urtë, krijonte fuqinë e pushtetit të saj një murgeshë shqiptare.
Kultura e bamirësisë nënëtereziane, si frymë që lipset ta kemi brenda nesh
Pushteti i saj ishte i vetmi që ishte sendërtuar jo mbi urdhrin, por mbi lutjen. Ndaj kushdo që vështron fotografinë e saj, mediton thellë. Çdokujt i duket se diku e ka parë atë fytyrë, ata sy, atë përvujtëri. Në arketipin e gruas së vjetër shqiptare, qysh ilire. Trevat ku lindi dhe u përkund fëmijëria e saj ishin me plot gra të atilla. Ishin gjyshet dhe nënat tona. Përkatësia shqiptare e saj nuk është vetëm pasaporta, pagëzimi në një kishë shqiptare, emri shqiptar, familja shqiptare, amësia dhe atësia e saj - a nuk ishte ajo: e bija e Dranes dhe e Kolës, motra e Ages?... Përkatësia e saj është në radhë të parë tipologjia dhe psikologjia shqiptare, që ajo mbarti që në vogëli, mënyra se si shqiptarët e shihnin jetën, shoqërinë, njeriun në vuajtje e nevojë.
Ka pasur një solidarësi të jashtëzakonshme mes shqiptarëve të vjetër, të pa shprishur në virtytin e tyre të racës. Mund të qëmtohen plot raste të një antropologjie mirësie shpirtërore, sociale të pashoqe në njeriun shqiptar, si një parakusht për të pasur mirakandje, mirësi, bamirësi. Me ba mirë, baj mirë, bamirës e të tjerë janë trajta të lashta të gegënishtes, ashtu siç kemi dhe të kundërtën: me ba keq, bakeqës etj. Në vitet ‘30 të shekullit XX një antropolog amerikan bën një vizitë kërkimore shkencore në disa treva veriore shqiptare, i shoqëruar nga e shoqja. Në një nga shtëpitë mirditore, një grua e atyre anëve e pyet zonjën e huaj se si i kishte fëmijët etj. Ajo i thotë se kishte një djalë ushtar. Atëherë mirditorja e vjetër shkon tek arka e saj, që i vinte një erë e mirë, ngre kapakun dhe merr një kokërr mollë, të cilën ia zgjat mikes së largët: “Merre, moj motër dhe dërgoja djalit tënd ushtar në Amerikë!”.
E sajdis dhe me dy palë shputa (çorape leshi) të qëndisura për vjehrrin e vjehrrën. Ëh!... Një kokërr mollë nga vendi më i vorfën i Europës, për në kontinentin më të pasur të globit. Njëlloj si ta niste për në hënë atë kokërr mollë ajo grua! Nga një vend i vogëlith në një supershtet. Por nuk kishte rëndësi kjo për psikologjinë e saj. Për të kishte rëndësi se ajo duhej të niste një mesazh mirësie, dhurimi, dashurie për diku larg, atje ku askush nuk e njihte e dinte. Dhe aspak si diçka aventurore, por thjesht si një gjest prekës i një nëne ndaj një biri që ishte ushtar, e ushtar në mendjen e saj përkthehej si njeri që ka nevojë për t’i falur diçka. Mund ta shtjellosh dhe më këtë detaj kaq kuptimplotë, për të kuptuar se e tillë ishte mbivendosja social-kulturore ku leu dhe u rrit Nënë Tereza. Në kulmin e varfërisë kishte aq shumë mirësi e bamirësi, e kjo mund të quhet si kultura e (ba)mirësisë njerëzore. Jep jo ai që ka shumë për vete e i tepron, por ai që dëshiron të dhurojë...
Rri e kundroj fotografinë e saj dhe më përhihet silueta e pa(shuar) e sime gjysheje, që dinte vetëm të uronte. E kurrë të mallkonte. Sa ngjasim kishte mes gjysheve tona dhe Asaj gruaje me shtat të vogël e botë të madhe, që ishte dhe mbeti Motra dhe Nëna e të gjithëve, përgjithmonë.
Nëse njeriu i mijëvjeçarit të tretë po i rrëshqet si shumë njeriut në nevojë, nga marrja fort me vetveten, ai e ka një kambanë, të epërme, që i kujton gjithkujt, orë e çast, se duhet kthyer kryet nga njerëzit që vuajnë nga sëmundjet, uria, që rrojnë në geto mes mizerjes, se varfëria nuk është fajësi i njeriut, familjes, komunitetit të varfër, por i njerëzisë së rruzullit, që nxiton të përfshihet në rrjedhat e globalizmit, po që kjo është e pa munduar pa atë “lokomotivën” e bamirësisë, që tërhoqi përmbi 70 vjet Nënë Tereza. Mbase jo rastësisht ajo ishte një përlindje e kushtim i shekullit XX. Leu në fillimet e atij shekulli dhe i mbylli sytë në fundin e tij.
Ai shekull duhej shuguruar me bekimin e saj. E ai bekim duhej të ishte dhe si një fjalë-thënie e shekullit pasardhës; një shenjtëri e re për njerëzimin e mijëvjeçarit të tretë... Shqiptarja e madhe e Kalkutës dha modelin se si mund të krijohet një botë më e mirë. Por Nënë Tereza ka nevoja të kuptohet. Pastaj të besohet dhe të “imitohet” si një “perëndi” e mbidheshme. Njerëzit lipset të sillen sipas modelit të krijuar nga Nënë Tereza, ku dy ndër gjërat më të papranueshme për sojin e saj të mbretërisë qiellore janë krenaria e tepërt dhe të sjellurit për të rënë në sy.
Jo më kot për psikologjinë e shqiptarit të vjetër, krenia dhe duku janë si dy vese. Por, si për habi, pikërisht këto dy tipare “arkaike” i ka bërë për vete politika moderne, afishet e liderëve me germa të mëdha e fotografi të vezulluese, oratoria publike pro vetes dhe për veten, mburrja pafund, mashtrimi etj. Të kuptosh sistemin e vlerave nënëtereziane do të thotë të sillesh sipas filozofisë së saj të dashurisë për të vuajturit dhe të vërtetën. Thelbi i çdo dashurie është jo shfaqja, por sidomos dashuria për të vobektit nuk ka nevojë për duk, se për të “ta din Zoti”. Pak vite më parë, një çift nga Tirana, merr udhën drejt një zone të Veriut, për të parë në spital një fëmijë të sëmurë të besimit katolik, të cilit i dhuruan një milion lekë, por me kushtin që gjesti i tyre të mos përmendej në asnjë media.
Dhe ashtu ndodhi. Dhe kur nëna e fëmijës deshi t’ua mësonte emrat, ata i shqiptuan thjesht emrat e tyre, duke thënë se ishin krutanë (nënkupto: të besimit mysliman) dhe kaq. Pa dhënë adresë, madje as mbiemrin. I dhuruan vetëm për bamirësi. Në humanizmin e tyre kishte padyshim diçka prej kulturës së bamirësisë së Nënë Terezës.
Nënë Tereza, si sistem vlerash dhe si model sjellje e përkushtimi
Ajo u shndërrua në një mit të kohëve moderne, pa e menduar kurrë një gjë të tillë. Nëse ajo do të kishte projektuar një strategji për karrierën dhe famën e saj, ajo nuk do të ishte ajo që në fakt u bë. Ajo u popullarizua nëpër botë pikërisht se ishte modeli i munguar i njerëzimit. Miti i dashurisë, përulësisë, përkushtimit për të mjerët u ngrit në kult. Drejt kësaj lumturie Nënë Tereza shkoi me katolicizmin e saj si busull, por ajo u ngrit dhe mbi besimin e fenë që i përkiste. Nënë Tereza ishte mishërimi më i madh i dashurisë dhe ajo nuk mund të kuptohet nga askush që nuk e ka këtë ndjesi të fortë brenda rremave të gjakut të tij.
Shkrimtari disident Pjetër Arbnori, ish-funksionar i shtetit demokratik shqiptar, kujtonte se si Nënë Tereza në një nga bisedat me të i kishte thënë: “Mua të gjitha shoqëritë ajrore ma japin biletën e udhëtimit falas”. Kësaj pelegrineje universale nuk kishin si t’ia shpërblenin ndryshe poseduesit e ajrit dhe të qiellit, vetëm se duke i dhënë biletën falas, atë që nuk e bënin me asnjë person tjetër të rruzullit. Por ata ishin të ndërgjegjshëm se në linjat e tyre atë ditë po fluturonte një nga krijesat e qiellit për t’i shërbyer njeriut në fluturimin e tij drejt jetës.
Ato para të kursyera nga ajo biletë do të venin veçse për të varfrit e saj dhe të botës, prandaj duke ia kursyer asaj biletën, ata tërthorazi kishin ndihmuar për misionin e Nënë Terezës. Zonja e virtytshme mund të kishte në xhep të gjitha pasaportat e rruzullit, se kush do t’ia ndalte asaj të bëhej shtetase e vet. Por ajo kishte vetëm tri sosh: pasaportën indiane, pasaportën shqiptare dhe pasaportën e Vatikanit. Është i mjaftueshëm ky fakt për tri realitet-simbolikat e përkatësisë së saj.
Nënë Tereza është një mënyrë të menduari dhe të vepruari, si e tillë ajo është një qasje psikologjike e njeriut, e cilitdo njeri, si atij që ka pushtet mbi të tjerët, si atij që ka nevojë për fuqinë e lutjes, bamirësisë dhe dritës njerëzore. Prandaj ky model mund të konsiderohet si një besim në dashurinë, prej dashurisë, për dashurinë. Që të krijohet një model, që të merret nga të tjerët një mënyrë sjellje dhe të menduari, lipset që më parë të kemi një simbol. Dhe Nënë Tereza është një simbol i tillë. “Nënë Tereza e sotme është një konstruksion verbal, nuk është as Gonxhe Bojaxhiu, as themeluesja dhe drejtuesja e urdhrit “Misionaret e Dashurisë”, as ajo plaka e imtë dhe e kërrusur, që më 1979 merrte çmimin “Nobel” për paqen. Ajo tashmë është kthyer në simbol, në një nga ikonat më të spikatura të kohës sonë”, shkruan Çapajev Gjokutaj. Prandaj, kur është fjala për
të, nuk vetëveçohet askush, por e ndjen se duhet të gjendet në nderimin e saj. Një meshë në Prishtinë në katedralen e re, në fillimin e shtatorit 2010, ishte një meshë e të gjithëve, e katolikëve, myslimanëve të pranishëm që përshëndetën, e burrave të shtetit, e diplomatëve. Si model për t’u ndjekur, Nënë Tereza, do të thotë që gjithsekush, njeri i thjeshtë apo i pushtetshëm, institucion apo shoqatë, të krijojë një tjetër marrëdhënie me njerëzit në nevojë, t’i ndihmojë ata pa duk e propagandë. Nderin që bën hidhe në përrua, thoshin të moçmit tanë dhe murgesha jonë vepronte sipas këtyre kodeve morale e filozofike. Shembulli më i mirë se si duhet të sillesh prej së vërteti me varfërinë e të tjerëve është dhe gjesti i saj me limuzinën që i pati falur Papa Pali VI në vitin 1964. Ajo menjëherë e shiti për të fituar para që do t’i vinte në shërbim të leprozëve të saj në
Kalkutë. Ajo nuk mund të ishte e qetë kur ata vuanin. Luksi ia vriste sytë. “Luksi” i saj, thënë në mënyrë të figurshme, ishte mjerimi i pafundëm njerëzor, që parakalonte ditë për ditë para saj e ajo donte ta zhdukte, si një “motër” e Migjenit.
Uratorja poetike e shenjtëreshës shqiptare dhe një antologji poetike e papërfunduar kushtuar saj
Nënë Tereza vazhdon dhe sot e kësaj dite të jetë një befasi, se si ajo u bë ajo, por mbase e vetmja gjë që nuk më ka çuditur aspak tek ajo ka qenë pikërisht poezia e saj. Ka qenë krejt e pamundur që shpirti i saj të mos shkrihej si qiriri dhe në vargje, një jetë duke i kënduar dhimbjes njerëzore. Në spektrin e botimeve me rastin e Lumnimit të Nënë Terezës, figura më emblematike botërore e kësaj kohe, bie në sy dhe një përmbledhje poetike e saj, Nënë Tereza “Mësomë të dua” (Lehre mich zu Lieben), shqip dhe gjermanisht, publikuar në vitin 2003 nga “Rozafa” Prishtinë & ABS Albanische Baratungsstelle (Këshillimorja shqiptare) Basel - CH. Përkthimi në gjermanisht është bërë nga Hans-Joachim Lanksch. Ndërkaq botimi është pasuruar me disa vepra artistike në pikturë të disa prej piktorëve më të njohur shqiptarë, si Gjelosh Gjoka, Ibrahim Kodra etj.
“Antologjia” poetike e Nënë Terezës është e mirëpritur pse dëshmon një përmasë tjetër të gjenisë së saj krijuese, shpirtin poetik aq të ndjeshëm, sa Nënë Tereza nuk mund të kuptohet pa poezinë e saj, një poezi krejt e veçantë. Poezia duket se ka qenë një pasion i hershëm i gruas shqiptare fisnike nga Shkupi. Poezia e përshpirtshme, e lëvruar në poezinë shqipe qysh nga Jul Variboba e gjer te Gjergj Fishta, ka traditën e saj. Një shpirt që gjithë jetën ka shqiptuar lutje, uratë, mirësi njerëzore dhe humanizëm në përmasa planetare nuk mund ta shpirtëzonte akullimën e botës së të varfërve përreth saj, vetëm se përmes fjalës së butë e të shkriftë të shpirtit të madh. Fjala dhe pastaj sendet e nevojshme të botës materiale me të cilat ata, shpirtrat e vuajtur, do të mbështilleshin. Sepse a nuk kishte qenë e para Fjala!
Kjo është njëra anë, domethënë poezia e saj kushtuar njerëzve, Zotit, botës, kurse ana tjetër është poezia e të tjerëve kushtuar asaj. E para përmbledhje poetike në kushtim të Nënë Terezës është botuar në vitin 1985 në Kosovë nga “Drita” e Ferizajt, në 75-vjetorin e Nënës Tereze Bojaxhiu. Botimi i titulluar “Lule për Nënën” në rreth 300 faqe, me format të madh dhe lidhje të fortë, mban firmën e mirënjohur të Dr. Dom Lush Gjergjit, biografit të shquar të misionares së madhe dhe është përgatitur nën kujdesin e Imzot Nikë Prelës, asokohe ipeshkëv i ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit. Përmbledhja hapet me një dedikim dhe poezinë “Lamtumirë” të saj, si dhe pozitë kushtuar “Motrës sonë, nëna e gjithë botës” nga Enver Gjerqeku, Mark Krasniqi, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Resmije Kryeziu etj. Bie në sy se poezi për të kanë shkruar si poetë të njohur, si klerikë apo persona të tjera që janë bërë poetë vetëm njëherë në jetën e tyre, sa për të thurur një poezi për këtë zonjë të lartë hirplote.
Por ka aty dhe rrëfime, kujtime, fotografi, skica. Kishte ndodhur mbase vetëm njëherë tjetër kështu, kur poetët me të njohur të kohës, nën kujdesin e De Radës, qenë mbledhur të bënin një antologji poetike kushtuar Elena Gjikës (Dora D’Istrias), që rronte në Rumani, po që njihej botërisht për ndihmesën e saj për çështjen shqiptare dhe Shqipërinë, nga e kishte dhe origjinën.