“Të jesh nënë është shumë më bukur nga sa e kisha imagjinuar. Pas aborteve dhe dy fëmijëve të vdekur i kisha hequr shpresat se diçka e tillë mund të ndodhte”. Maria dhe partneri i saj, John Foran, kishin vite që përpiqeshin të bëheshin me fëmijë, por sa herë Maria ngelte shtatzënë, shumë shpejt gëzimi kthehej në dëshpërim. “Ishte një tmerr. Ta përjetosh çdo herë nga e para të njëjtin makth, ishte një agoni e pafund. Por, ne ishim të vendosur të vazhdonim ta provonim”, thotë John. Në vitin 2003, çifti u përball me lindjen e një fëmije të vdekur, vajza e tyre Shanon, të cilës ia kishin vënë emrin pa lindur akoma.
Gjashtë vjet më vonë, zonja Pridmore solli në jetë vajzën tjetër, Kia. E lindur para kohe, Kia mundi të jetonte vetëm dy javë. Humbjet e njëpasnjëshme të fëmijëve e përkeqësuan shëndetin e Marias, e cila pësoi dy herë atak, ende pa i mbushur të tridhjetat. Në fund, ajo dhe i shoqi morën vendimin e vështirë për të hequr dorë nga ëndrra për të pasur një familje.
Por shumë shpejt, Maria mësoi se ishte sërish shtatzënë . Frikës së saj që i vriste shpresat iu bashkua edhe dignostikimi me një sëmundje dhe një infeksion, kombinimi i të cilave do të bënte që bebja në barkun e saj të mos furnizohej me ushqim. Annette Briley, një mami në qendrën e bamirësisë “Tommy”, e këshlloi Marian të merrte çdo ditë një tabletë aspirine, ndërsa bënte edhe dy injeksione për hollimin e gjakut dhe i ishte rekomanduar që të gjithë shtatzëninë ta kalonte në shtrat. Maria pati komplikacione pak ditë para datës që fëmija pritej të vinte në jetë. Ajo iu nënshtrua një operacioni dhe solli në jetë Mian, një vogëlushe e shëndetshme. “Kjo që ndodhi na mëson se kurrë nuk duhen humbur shpresat”, thotë Maria, teksa mban në krahë dhuratën më të çmuar që mund të marrë një grua. / Gazmira Ndoja