Nenoficeri mohon vrasjen tek ish-Blloku Kam alibi

Nenoficeri mohon vrasjen tek ish-Blloku: Kam alibi

Nënoficeri i arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Tiranës nën dyshimet si autor i vrasjes aksidentale të Majlinda Hoxhës në atentatin për ekzekutimin e Elton Fushës, nuk e ka pranuar akuzën. Ai ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje, duke theksuar se ka alibi. Ndriçim Balla ka mohuar kategorikisht të jetë ai autor i vrasjes, madje duke pretenduar se ka edhe një alibi që mund të provojë pafajësinë e tij. Sipas deklarimeve të 33-vjeçarit, më momentin kur ka ndodhur ngjarja te ish- Blloku, mbrëmjen e datës 9 shtator, ai ndodhej në shtëpi dhe e ka mësuar vetëm nga lajmet se çfarë kishte ndodhur.

Ai pretendon se këtë fakt mund ta konfirmojë edhe bashkëshortja e tij, pasi të dy kanë qenë bashkë në momentin kur ka ndodhur krimi. Burime nga grupi hetimor thanë se nënoficeri i Shkollës së Bashkuar gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se mes tij dhe Elton Fushës ka pasur një debat disa ditë para ngjarjes para lokalit të basteve që ishte marrë me qira nga Fusha. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur edhe në prezencë të vëllait të ushtarakut të dyshuar, pasi Fusha nuk i kishte dhënë paratë për punimet që kishte kryer në shtëpinë e tij. Por, sipas tij, debati ka qenë vetëm me fjalë dhe është mbyllur aty.

ARRESTIMI


Policia e Tiranës arrestoi dy ditë më parë shtetasin Ndriçim Balla, 33 vjeç, nënoficer te Shkolla e Bashkuar, pasi dyshohet të jetë autori i vrasjes së 30- vjeçares Majlinda Hoxha, e punësuar si ekonomiste në lokalin e basteve të Elton Fushës, i cili ishte objektiv i ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se nga hetimet rezultoi se i plagosuri Elton Fusha ka pasur një konflikt me shtetasin A. Balla (vëllai i nënoficerit të arrestuar), pasi ky i fundit i kërkonte t’i paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Por kjo shumë nuk pranohej të paguhej nga Fusha e si rezultat, disa ditë para ngjarjes, te lokali i tij ka shkuar shtetasi A. Balla, i shoqëruar me një person tjetër, që siç ka rezultuar, është autori i dyshuar ngjarjes, vëllai i tij Ndriçim Balla.

Nga deklarimet e të plagosurit Elton Fusha dhe bashkëshortit të viktimës Majlinda Hoxha, shtetasit Fatos Hoxha, që ishte i pranishëm në momentin e krimit, është shpjeguar ngjarja dhe mekanizmi i saj, si dhe është bërë përshkrimi i autorit. Kanë qenë pikërisht këta dëshmitarë dhe persona të tjerë të pranishëm që nëpërmjet paraqitjes për njohje, kanë identifikuar si të dyshuar të arrestuarin Ndriçim Balla.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama