Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti sot në një takim të veçantë Fotini Gjenimata, ministre plotësuese e Mbrojtjes së Republikës së Greqisë, e cila ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit ministrja Kodheli e njohu Gjenimata-n me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për plotësimin e reformave jetike për mbrojtjen. Ndërsa ministrja Gjenimata, shprehu vullnetin e qeverisë greke që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të vazhdojnë të jenë shkëlqyera.
Po ashtu, të dyja ministret u shprehën vullnetin e mirë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet dy vendeve, duke vënë theksin tek rëndësia e veçantë në sektorin e mbrojtjes.
Në fund të takimit mes dy homologeve u nënshkrua Plani i Bashkëpunimit Shqipëri-Greqi në fushën e Mbrojtjes për vitin 2014. Po dje, ministrja Gjenimata pati një takim edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo.