TIRANE, 14 Nentor /ATSH/- Në kuadër të Konferencës vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë gjithashtu zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, Philip Hammond, u nënshkrua në Pragë Marrëveshja për Krijimin e Fondit te Ballkanit Perëndimor.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë nënshkruan Marrëveshjen për Krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Krijimi i këtij fondi të përbashkët ka si qëllim financimin e projekteve të vogla dhe të mesme në fusha si arsimi, kultura, mjedisi, bashkëpunimi rinor, bashkëpunimi ndërkufitar, etj.
Selia e Fondit do të jetë në Tiranë. Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, Ministri Bushati theksoi se akti i nënshkrimit ishte kurorëzim i një bashkëpunimi konstruktiv disa-vjeçar mes vendeve të rajonit. Ai shprehu mirënjohjen për vendet e Vishegradit - Republikën Çeke, Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, për iniciativën dhe ndihmën në ngritjen e një fondi sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.
Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes u pasua nga një takim i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku ata diskutuan mbi hapat që duhen ndjekur deri në formalizimin e Fondit dhe fillimin e aktivitetit të tij. Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtim të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Çfarë është Fondi i Ballkanit Perëndimor (FBP)?
FBP është një platformë bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia), e ngritur sipas modelit të suksesshëm të Fondit Ndërkombetar të Vishegradit.
Cili është qëllimi i aktivitetit të FBP?
Qëllimi i FBP është promovimi i vlerave të përbashkëta dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal mes qytetarëve, shoqerisë civile dhe institucioneve të rajonit të Ballkanit perëndimor, duke siguruar një qasje konkrete "people-to-people" për popujt e vendeve anëtare.
Objektivat e FBP-se do të hartohen në bashkëpunim me aktorët e shoqërise civile dhe do të bazohen mbi prioritetet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
FBP do të financoje projekte të fushave të ndryshme me interes të përbashkët si: edukimi, mjedisi, të drejtat e njeriut, kultura, shkëmbimet ndërkufitare dhe bashkëpunimi rinor rajonal.
Si do të funksionojë FBP?
FBP do të funksionojë nëpërmjet mbështetjes dhe bashkëfinancimit të projekteve të vogla dhe të mesme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas modelit të Fondit të Vishegradit, mekanizmi i aplikimit për financim do të jetë i thjeshtë dhe aksesueshëm nga një gamë e gjerë aktor?ësh duke filluar nga individët deri tek organizatat rinore, rrjetet rajonale të shoqerisë civile, institutet kërkimore dhe akademike etj.
Ku do të jenë zyrat qendrore të FBP?
FBP është iniciativa e parë rajonale me qendër në kryeqytetin e Shqipërisë. Zyrat e FBP do të jenë në Tiranë dhe Drejtori i parë Ekzekutiv i organizatës do të jetë një diplomat shqiptar me experiencë në fushën e iniciativave rajonale. Sekretariati i FBP do të ngrihet me asistencen teknike të Fondit të Vishegradit dhe do të punojë nëpërmjet koordininimit të prioriteteve vjetore të Vendeve te Ballkanit Perëndimor.
Cilat jane pritshmerite e aktivitetit te FBP?
FBP do te rrise nderveprimin e aktoreve te ndryshem ne rajon duke perforcuar vlerat e perbashketa te shoqerise dhe bashkepunimin rajonal ne fusha te ndryshme me interes te perbashket.
Projektet rajonale do te kontribuojne ne rritjen e potencialeve te shoqerise civile dhe shkembimin e eksperiencave te aktoreve te ndryshem ne rajon. e,xh/ /a.g/